Dështon konsensusi për reformën në drejtësi. Kërkohet ndërhyrje politike

434
Ekspertët e mazhorancës dhe ata të Partisë Demokratike nuk kanë arritur asgjë në drejtim të konsensusit për draftin e reformës. Konsensusin që nuk e gjetën dot në tryezën e reformës, ekspertët tentuan ta gjejnë në një drekë të përbashkët reflektimi, pas së cilës u rimblodhën në Kryesinë e Kuvendit, por më pas opozita braktisi punimet.
Kjo situatë ka vënë sërish në lëvizje ambasadorin amerikan Donald Lu, i cili ka zhvilluar sot një takim 60 minutësh me presidentin Nishani, në zyrën e kreut të shtetit.
Më herët, ambasadori amerikan ka zhvilluar takime me të gjithë liderët politikë, por kur u duk se palët gjetën pikat e përbashkëta për përmbylljen e një ndër reformave më të rëndësishme për vendin, konsensusi dështoi.
REFORMA NË DREJTËSI, SOT AFATI I FUNDIT PËR MBYLLJEN E DRAFTIT
Ekspertët e nivelit të lartë për reformën në drejtësi janë shprehur të bindur se drafti do të përmbyllet sot, me apo pa opozitën. Ekspertët janë mbledhur sërish sot në Kryesinë e Kuvendit, për të vijuar punën për përmbylljen e draftit, por ekspertët e PD-së nuk janë paraqitur në tryezë. Ekspertët e Partisë Demokratike pretendojnë se nuk kanë marrë asnjë njoftim për mbledhjen e sotme.
Një ditë më parë, ekspertët e nivelit të lartë dhe ata të Partisë Demokratike nuk kanë arritur asgjë në drejtim të konsensusit për draftin e reformës. Konsensusin që nuk e gjetën dot në tryezën e reformës, ekspertët tentuan ta gjejnë në një drekë të përbashkët reflektimi, pas së cilës u rimblodhën në Kryesinë e Kuvendit, por më pas opozita braktisi punimet. Pas braktisjes së punimeve, ekspertët e PD-së bënë të ditur përmes një njoftimi për mediat arsyet e mosvijimësisë së diskutimit për reformën e drejtësisë.
“Pika e parë e diskutimit ishte reflektimi i rekomandimit të Komisionit të Venecias mbi nevojën e eliminimit të kapjes politike të sistemit të drejtësisë, sipas një propozimi konkret kompromisi të ofruar në përputhje me të nga ekspertët e Partisë Demokratike. Edhe pse dje në mbrëmje u ra dakord parimisht për të reflektuar rekomandimin nr.55 të Komisionit të Venecias dhe që propozimi i ekspertëve të Partisë Demokratike do të shqyrtohej me kujdes, sot që në fillim të mbledhjes, pa asnjë argument, ekspertët e caktuar nga mazhoranca refuzuan ta analizonin këtë propozim, duke treguar vendosmërinë e tyre për të mos marrë në vlerësim asnjë alternativë që siguron moskapjen politike të sistemit të drejtësisë, pavarësisht qëndrimit të prerë të mbajtur nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje.
Duke parë vendosmërinë e ekspertëve të mazhorancës për të mosreflektuar rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe mosvlerësimin e mundësive për zgjidhje të mundshme kompromisi dhe të përbashkëta, ekspertët e Partisë Demokratike u ndodhën në pamundësi për të vijuar diskutimet në një mbledhje të përbashkët, që nuk ofron asnjë mundësi për zgjidhje të përbashkëta”, thuhet në deklaratën e ekspertëve të PD-së.
Pas largimit të opozitës, ekspertët e mazhorancës vijuan diskutimin, duke akuzuar opozitën se nuk po u përmbahet rekomandimeve të ‘Venecias’.
Më herët debatet janë përqendruar kryesisht në mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve gjyqësore, për të cilat opozita kërkon të mos jetë me 84 vota. Por dakordësia nuk është gjetur dhe është parë e udhës që të kërkohet një pushim reflektimi, pa u vendosur afati konkret kur do të rimblidhen sërish në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Mësohet se ekspertët kanë përballur këndvështrimin për mënyrën sesi i lexojnë rekomandimet e Komisionit të Venecias, ku duket se palët i lexojnë në mënyra të ndryshme.
Pika kryesore mbetet mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe institucioneve, anëtarët e të cilëve plotësohen me kandidatura të votuara në Kuvend. Opozita ka këmbëngulur që këto kandidatura të miratohen në Kuvend, me shumicë kushtetuese prej 93 votash. Ndërsa ekspertët e nivelit të lartë janë të qëndrimit se në kushtet e vështirësisë për të arritur këto vota në parlamentin shqiptar, ata të zgjidhen me shumicë të cilësuar prej 84 votash.
Por ky variant është kundërshtuar nga ekspertët e opozitës, sikundër mësohet se ata kanë kundërshtuar edhe lënien në fuqi të të dyja varianteve, për t’u shqyrtuar në prani të të dërguarve të Venecias në Tiranë, në ditët e ardhshme. Palët ndahen gjithashtu edhe për variantet e mekanizmave zhbllokues të zgjedhjes së anëtarëve të Gjyqësorit nga parlamenti.
Pas dorëzimit të draftit nga ekspertët, në një kohë rekord edhe komisioni parlamentar duhet ta kalojë për shqyrtim, për ta dërguar brenda dy ditësh në Komisionin e Venecias. Më pas, do të jenë ekspertët e Venecias që do të japin mendimin e tyre përmes një përgjigjeje që ata do ta kthejnë përmes vizitës së tyre në Tiranë në datën 21 janar. Kjo është rruga që do të ndiqet nga sot për reformën në drejtësi.
Sigal