Dështon akti normativ për lirimin e banesave, pas padisë në Kushtetuese

517
Sigal

INTERVISTA/Flet përfaqësuesi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi, për lirimin e banesave

Për përfaqësuesin e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myshit Vorpsi, akti normativ për lirimin e banesave brenda datës 1 nëntor është plotësisht i dështuar. Në një intervistë për “Telegraf”, zoti Myshit ka theksuar se përfaqësuesit e shoqatës së personave që jetojnë në shtëpitë e pronarëve kanë bërë padi në Gjykatën Kushtetuese, për shfuqizimin e këtij akti dhe ka të ngjarë që do të bëhet kjo kërkesë. Politika sipas tij, nuk ka bërë asgjë për pronarët e ligjshëm, por bëri tani një akt për qëllime të fushatës elektorale.

-Zoti Vorpsi na ndajnë dhe pak ditë nga mbyllja e afatit për lirimin e banesave, sipas informacioneve që keni a do të përfundojë kjo çështje?

-Po deri më tani nuk kanë ecur si duhet gjërat. Por gjërat do të marrin një rrjedhë tjetër në datën 29 tetor, pasi shoqata e personave që jetojnë në shtëpitë e ish- pronarëve kanë bërë një padi në Gjykatën Kushtetuese dhe kanë kërkuar pezullimin  e aktit normativ deri në dhënien e një vendimi të plotë. Kjo do të thotë që do të kemi një ndryshim të situatës. Por këto janë më shumë politika të qeverisë që janë përdorur për qëllime elektorale.

-Mbi bazën e këtyre zhvillimeve që priten, a e shihni të mundur zbatimin e këtij akti normative brenda muajit tetor?

-Unë them që duhet të kishte pasur një rrugë tjetër. Por mund të ju them që Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar para pesë vjetësh nenin 9 të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, që bënte fjalë për banesat. Ajo e ka shfuqizuar dhe për pesë vite me radhë politika shqiptare e ka pasur për detyrë që të plotësonte këtë boshllëk ligjor, të cilin Gjykata Kushtetuese e kishte paralajmëruar, por që Parlamenti duhet të merrte masat që ta ribënte ligjin. Por asnjëherë nuk e mori mundimin që të bënte një gjë të tillë, por mori një masë para dy tre muajsh më bërjen e një akti të tillë normative, që nuk shërben tjetër veçse për fushatë elektorale. Më tepër është bërë për të treguar se po bëjnë një veprim për fushatë elektorale se sa për të bërë diçka për detyrimin që ka ndaj pronarëve shqiptarë. Për të gjitha këto lodra që ka bërë politika në radhë të parë i kanë paguar pronarët shqiptarë. Sepse kanë 17 vjet që u janë kthyer shtëpitë në mënyrë të ligjshme dhe si përfundim ato nuk i përdorin fare ato. Ato kanë 17 që kanë humbje ekonomike nga ato shtëpitë. Dhe më besoni që qiraja që paguajnë qiramarrësit për shtëpitë tona janë 2 mijë lekë të vjetra kjo është qesharake.

Në disa qytete si në Vlorë, në Durrës, apo dhe qytete të tjera familjet që jetojnë në këto shtëpi kanë paralajmëruar protesta se nuk duan të largohen, ju si e vlerësoni situatën?

-Është një problematike dhe është një kundërvënie ndaj ligjit dhe ndaj rregullit dhe në këtë aspekt ato kanë përgjegjësitë e tyre. Prandaj edhe akti normativ ka parashikuar që kur nuk lirohen banesat pastaj ndërhyhet me përmbarim për të lëvizur. Aty ka një ndërhyrje politike nga kryetari i bashkisë i cili jo vetëm që u thotë mos dilni, por edhe shtëpitë që ka për banesa sociale nuk do që t’ja japin këtyre dhe nuk do që t’ja japin këtyre. Ato janë të fryrë nga politika, sepse ato mendojnë që do të qëndrojnë në shtëpi duke shkelur në mënyrë brutale të drejta e pronarëve.

-Cilat janë masat që do të merren nga pronarët nëse nuk u është liruar banesa pas datës 1 nëntor?

-Pas datës një nëntor ato familje që nuk janë larguar do të largohen jo nga pronarët, por do të largohen nga Enti i Banesave dhe në gjykatë do të dali urdhri i ekzekutimit për t’i larguar këto. Ato po mohojnë një të drejtë pronarëve që u ka dhënë ligji. Dhe ligji nuk ka hapësira të tilla që po u shkelet ndonjë e drejtë këtyre familjeve. Po zbatohet ligji i 2004-s që i përjashton këto familje si kategori dhe u thotë që mund të marrin kredi. Por nuk janë pronarët që po u shkaktojnë padrejtësi këtyre familjeve, ato nëse mendojnë se po u shkelen të drejtat le t’i kërkojnë të drejtat e tyre, por jo në kurriz të pronarëve.