Dështimi i shkollave profesionale, kur Gjermania do emigrantë të kualifikuar

495
Sigal

Dje zëvendësministra e Brendshme Elona Gjebrea ishte në Kakavijë së bashku me oficerë gjermanë, që merren me menaxhimin e kufijve, në një përpjekje të rradhës, për të penguar shqiptarët e papunë dhe të pashpresë në Shqipëri, të mos emigrojnë në Gjermani, për të kërkuar atje, ose gjektë, atë shpresë për një jetë më të mirë, që politika ua vrau në vendlindje. Madje zëvendëministra e Brendshme e cilësoi “aventurë” përpjekjen e bashkëatdhetarëve të saj, të shqiptarëve që të përpiqen, të luftojnë me çdo çmim, për të gjetur, gjënë më të shtrenjtë të jetës së tyre: Një mundësi punësimi. Ai premtim i madh i Rilindjes, se do të hapte 300.000 vende të reja punësimi, në këto 2 vjetët e qeverisjes, u katandis te këto apele politike ndaj shqiptarëve, që të mos emigrojnë nëpër Europë, as për të kërkuar punë dhe bukën e përditshme. Pyetja që bëjmë ndaj politikës së apeleve ndaj emigrantëve azilantë shqiptarë, është: Po ju çfarë më shumë, më mirë u premtoni shqiptarëve, nëse ata qëndrojnë në vendlindje? Do t’u premtoni hapjen e vendeve të punës? Do t’u premtoni ndihmesë më shumë ekonomike dhe sociale, për familjet që nuk kanë as bukën e gojës? Do t’u premtoni shqiptarëve nxitje dhe subvencione ekonomike për të punuar tokën dhe për të hapur biznese? Nëse, jo atëhere me çfarë do ushqejnë falimjet e tyre këta shqiptarë të pashpresë, që duan të bëhen azilantë të Europës për të siguruar bukën e gojës? Dhe së fundi, pyetja ngrihet: A mund ta pengojnë masat policore njeriun të luftojë që të sigurojë bukën e gojës, qoftë edhe duke u bërë azilant?

Gjermania kërkon emigrantë të kualifikuar në profesione të caktuara

Kancelarja Gjermane në vizitën e saj në Shqipëri më 8 korrik 2015, theksoi se Gjermania kërkon emigrant të kualifikuar, madje, përmendi edhe disa profesione të kërkuara, si infermierë, elektriçistë, hidraulikë, inxhinjerë, etj. Dje, edhe partia kryesore e koalicionit qeverisës në Gjermani CDU po shqyrton mundësinë që të zgjerojnë listën e profesioneve defiçitare në vend, duke ua lehtësuar kështu shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova aksesin në tregun gjerman të punës. Shefi i grupit të punëmarrësve në Bundestag, deputeti i CDU-së Peter Vajs, ka thënë për gazetën Rajnishe Post se lista duhet zgjeruar në mënyrë që të përmbushë nevojat e kompanive gjermane.“Ne duhet të njohim më shumë profesione deficitare që kanë përparësi. Në këtë mënyrë, kompanitë gjermane do të mund t’i punësojnë më lehtë shqiptarët ose kosovarët,” ka thënë Vajs. Deri më tani, lehtësi aksesi në tregun e punës ka pasur për gjithsej 20 profesione të konsideruara si deficitare, në mesin e tyre profesioni i inxhinierit dhe ato të lidhura me mjekësinë. Për profesione të tilla, Agjensia Federale e Punës nuk u jep përparësi shtetasve gjermanë, ku ka vende të lira pune. Përballë këtij realiteti, pyetja që i bëjmë qeverisë shqiptare është: Sa janë të kualifikuar në profesionet e kërkuara në Gjermani, shqiptarët, që të kenë mundësi të marrin viza pune?

Dështimi i plotë i shkollave profesionale dhe kualifikuese

Para dy vjetësh qeveria nisi një program për hapjen e shkollave profesionale, duke pretenduar se do t’u jepej përparësi profesioneve që ka nevojë tregu i punës dhe profesione të tilla që do të kenë të ardhme në tregun e punës. Ky revolucion i pretenduar, iu besua Erion Veliaj, si ministër i Miëqënies Sociale dhe i Rinisë, madje, qeveria për herë të parë, shkollën profesionale e shkëputi nga varësia e Ministrisë së Arsimit dhe ia kaloi MMSR. U dhanë shumë fonde, u bë shumë propagandë, mirëpo, sot, kur Shqipëria nuk ka të rinj të kualifikuar as si elektricistë, as në turizëm, etj, as si hidraulikë, as si infermierë, do të thotë që shkollat profesionale që u hapën, kanë dështuar tërësisht. Edhe pse Shqipëria ka mbi 60 universitete shtetërore dhe jopublike, ne nuk kemi të diplomuar, të kualifikuar në profesione të kërkuara në Gjermani, apo edhe në tregun e punës të vendeve të tjera të Europës, sikurse inxhinierë, në informatikë, etj, por këto universitete në Shqipëri prodhojnë veçse diploma të pavlera, që nuk mund të gjejnë vende pune në tregun e punës. Qeveritarët tanë, ende nuk e kanë kuptuar domethënien e apelit të kancelares Merkel në Tiranë, për nevojën e Gjermanisë për emigrantë të kualifikuar dhe me profesione. Qeveria jonë, duhet ta fokusojë reformën në Arsim, pikërisht në këto nevoja të mëdha që kërkon tregu i punës dhe të mos e orientojë reeformën e Arsimit në interesat klienteliste. Qeveria, nuk mund ta ndalojë emigracionin dhe ikjen e shqiptarëve nga vendlindja me masa policore, por duhet t’u japë arsimin e duhur dhe të kualifikuar të rinjve.