Dëshmitari X, Balla: PD e përfshirë në një skemë mafioze! Basha, aktori dhe regjisori

712
Sigal

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e cilëson mafioze mënyrën e zgjedhur nga PD për të denoncuar implikimin e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës. Sipas tij, Partia Demokratike po përdor skema kriminale për të shantazhuar ministrin Xhafaj.

Në një deklaratë për mediat, Balla thotë se “Basha është autori, regjisori dhe aktori i video-përgjimit të montuar”.

Duke u ndalur tek video-dëshmia e dëshmitarit X, e publikuar ditën e sotme, Balla thotë se ai është “një mashtrues tepër i rëndomtë, i dënuar disa herë për disa vepra penale nga më të ndryshmet”

“Lufta politike ka shkuar edhe në ekstremet më të mëdha të një konflikti politik, por në asnjë vend nuk ishte parë që një parti politike të përfshihej në një skemë të mirëfilltë kriminale. Deri dje kemi besuar se interesa të caktuara të grupeve kriminale, të cilët shfrytëzonin interesin e një partie politike, në rastin konkret të PD, për të denoncuar raste që ndikojnë kundër qeverisë.

Ajo çka ndodhi sot me paraqitjen publike të personit që pretendon se ka qenë prezent në bisedën e publikuar nga PD, është tregues i shndërrimit të një partie politike në një organizatë kriminale që përdor forma mafioze të adresimit të shqetësimeve të tyre.

Basha është autori, regjisori dhe aktori i video-përgjimit të montuar, me të cilin ka shpresën e fundit të bllokojë vendimmarrjen e vendeve të BE për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Nuk ia vlen aspak të debatosh për vërtetësinë e deklarimeve të një njeriu, që duket qartë se është një mashtrues tepër i rëndomtë, i dënuar disa herë për disa vepra penale nga më të ndryshmet”, deklaroi deputeti i PS.

Balla i bëri thirrje Prokurorisë që të veprojë sa më shpejt, dhe të zbardhë këtë ngjarje.

DEKLARATA E PLOTË
Historia e pluralizmit në Shqipëri ka njohur, dhe besoj edhe në të ardhmen do të shënoj, raste kur lufta politike ndërmjet forcave politike kundërshtare ka shkuar në ekstremet më të mëdha të një konflikti politik.

Por asnjëherë deri më sot nuk ishte e parë, dhe jo vetëm këtu në Shqipëri, që një parti politike të humbiste kaq rëndë arsyen aq sa të përfshihej në një skemë mirëfilli kriminale mafioze.

Sinqerisht deri dje kemi besur se interesa të caktuara të grupeve kriminale, apo të intrigantëve të ndryshëm, kishin shfrytëzuar interesin legjitim të një opozite, në rastin konkret të PD-së për të gjetur dhe denoncuar fakte që diskreditojn qeverinë.

Kemi menduar se naiviteti i lidershipit të PD bëri që kjo parti të përfshihej në një skemë të pastër të shantazhit kundër ministrit përgjegjës për luftën kundër krimit.

Ajo çfarë ndodhi sot me paraqitjen publike të personit që pretendon se ka qënë në bashkëbisedimin e bërë publik nga PD, ndërmjet tij dhe vëllait të ministrit të brëndshëm, është tregues i shndërrimit të një partie politike në një organizatë që përdor forma mafioze të adresimit të interesave të tyre.

Dhe mësë pari sot, për fatin e keq të të gjithëve ne, rezulton se se Lulzim Basha është autor, regjisor dhe aktor i videopërgjimit të montuar, me të cilin shpreson të bllokoj negociatat e Shqiperisë me BE.

Nuk ja vlenë të debatosh për vërtetësin e deklarimeve të një njeriu që edhe pa e njohur dhe pa e ditur kush është, si drita e diellit duket qartë që është një mashtrues fare i rëndomtë i dënuar disa herë dhe për disa lloje veprash penale !!

Ajo çfarë duhet të sjellim fortë në vëmendje të opinionit publik dhe vecanërisht të institucioneve përgjegjëse shtetërore është fakti se është e rrezikshme për fatin e demokracisë skema dhe metoda që përdor PD.

Si mundet një parti politike në një vend të europës të ketë këtë sjellje me ligjin dhe institucionet?!!

Si ka mundësi që një parti politike në një vend europian përfshihet në inskenime mafioze ?!!
Partia Socialiste do t’i shkoj deri në fund këtij shantazhi kundër shtetit, duke kërkuar të nis hetim penal ndaj këtij mashtrimi politik, të prodhuar në zyrat e Shqup.

Një individ me një skedë të rëndë kriminale brenda e jashtë vendit që pranon publikisht se është përdorur nga PD për këtë mashtrim, duhet të përballet me drejtësinë, bashkë me regjisorin e tij.

Situata është shumë e rrezikëshme.
Ky person duhet ose të merret i pandehur, ose mqs PD e konsideron dëshmitarin e vetë të merret në mbrojte të posacme nga prokuroria e krimeve të rënda. Çdo gjë mundet të pritet nga ata që e thirrën për ta përdorur për të fabrikuar dëshmi të tilla dhe më pas i prenë biletën për ta larguar nga vendi.

Ky është një sulm i rrezikshëm kundër institucioneve të shtetit, ndaj prokuroria duhet të veprojë sa më shpejt dhe me sa më shumë vendosmëri për ti shkuar deri në fund kësaj çështje.

Jemi përpara një skandali të madh ligjor dhe politik, ndaj prokuroria të ushrojë të gjitha përgjegjësitë për sa më sipër.