Dëshmitari i audios, Albert Veliu: Zëri është i Agron Xhafaj. Këto përgjime i di Agroni

268

Lulzim Basha paralajmëron Ramën dhe ministrin Xhafaj, nëse kërcënohet familja e Veliut do të marrin përgjigjen më të fortë nga opozita

Pardje, në Grupin Parlamentar të PS-së kryeministri Edi Rama deklaroi se audion e PD-së e ka çuar në një ekspertizë më të mirë në botë dhe analiza e ekspertëve, që i kanë sjellë, është se audioja është e falsifikuar. Ndërkohë, Policia e Shtetit e gjeti dëshimtarin X, një pyetje që lë shumë dyshime. Si e mësoi kaq shpejt Policia e Shtetit se cilët janë personat e vërtetë në audio? Kush ia dha këtë informacion policisë së Shtetit, përveç personave që janë personazh dhe atyre që i kanë incizuar? PD-ja nuk i ka dhënë asnjë informacion Policisë së Shtetit. PD-ja, si përgjigje të përgënjeshtrimit të kryeministrit Rama, publikoi dje dëshminë e plotë të Albert Veliu, personit që i dëgjohet zëri në audio, i cili ka bashkëbiseduar me Agron Xhafaj. Personi zëri i të cilit dëgjohet në audio-përgjimin ndaj vëllait të ministrit Xhafaj, ka dhënë dje një dëshmi të fortë duke hedhur poshtë pretendimet e kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm, Xhafaj, që audio-përgjimi nuk ishte autentik. Në dëshminë e tij, Albert Veliu, tregon për lidhjet e tij me Agron Xhafajn, si kishte punuar me grupin e tij për të shitur kokainë dhe sesi Agron Xhafaj vijon të merret me trafik droge edhe së fundmi. “Në vitin 2000 punova në Itali me grupin e Agron Xhafajt. Kur rashë në burg nuk më solli një paketë cigare. E bëra këtë gjë, sepse ashtu edhe më la ai mua në baltë, më ktheu kurrizin. Edhe unë i ktheva kurrizin. Kështu janë gjërat. Siç ia bën një njeriu, ashtu ta bëjnë. Me të kam punuar që në vitet 2000-2002. Kishte lidhje me drejtorin e Vlorës, me shefin e Kufirit, dilte shpesh. E takova për t’i kërkuar ndihmë për të çuar hashash në Itali.”

Dëshmia e plotë e dëshmitarit Albert Veliu, siç dëgjohesh në audio:

“Jam Albert Veliu, 51 vjeç, i papunë. Kam punuar tërë jetën në det. Më vitin 2000 deri në 2002 kam punuar me grupin e Agron Xhafajt. Shisnim kokainë në Itali, kam punuar shoqërues gomone. Agronin e njihja që në 1999-ën me anë të një miku tim.

Agroni komandonte punën, ne merrnim mallin dhe e shisnim. Në vitin 2005 me ndodhi një aksident në punë dhe u dënova më 7 vjet burg. U kapa me kokainë 12 kile në Peskara. Në burg s’më solli një paketë cigare. Më ofroi një punë për djalin, kamerier në 2016-n. Djali është 22 vjeç. Vajta te Agroni për t’i kërkuar ndihmë para katër muajsh për të çuar barishte në Itali. Hashash. Atë punë ka bërë tërë kohën. Ai komandon gjithë Vlorën.

Agroni më çoi te Ermali. Agroni komandon Vlorën. Atë punë ka bërë, e bën edhe tani. Ka miqtë e tij që hedhin mall në Itali. Agroni kishte lidhje me Drejtorin e Policisë së Vlorës. Nuk kisha frikë nga policia. Rrugët ishin të hapura. Pas publikimit të hënën policia ka bërë presion ndaj familjes së dëshmitarit. Shefi i Krimeve i ka shkuar djalit tim në punë, 30 minuta pas publikimit, të hënën. Emri i dëshmitarit i është treguar policisë nga Agron Xhafaj. Çfarë ka dalë janë fakte reale. I kanë shkuar djalit të puna duke i thënë do të ruajmë babanë. Kam marrë kërcënime. Ata e kishin gomonen, pasi unë nuk jam padrino, jam hallexhi. E solla këtu dëshminë, pasi është institucioni më i besuar. Në prokurori nuk e çova, pasi ishin manipuluar. Me politikë nuk jam marrë kurrë. Kur pashë në këto telefonat me gisht, youtube a çfarë janë këto, më thotë pronari i djalit, ka dalë zëri jot. Edhe sot i kishte vajtur djalit te puna shefi i Krimeve, Alket e ka emrin. I kishte thënë dua ta marr babain tënd në mbrojtje. Pse të më marrin në mbrojtje, s’kam bërë gjë, mua më pikon shtëpia. Jam njeri i drejtë, jam fukara. Ku doli emri im. Ata që kanë qenë në përgjim të Agronit, ata i di Agroni. Çoje ku të duash, ai zë është. Janë fakte reale. Këto përgjime i di Agroni. Kush të ka dhënë urdhër të vesh te im bir. Dikush i ka dhënë urdhër. Mua s’më ka ardhur njeri në shtëpi, ku dihet që jam unë. Ç’ne emri im. Ç’a lidhje ka emri im në këtë mes.”