Sigal

Ish – kryeministri Berisha ka publikuar në faqen e facebook mesazhin e ardhur nga një gazetar me banim në Suedi, i cili i përcjell dëshminë e një ish-punonjësi të Gardës së Republikës ku shpjegon të vërtetën e tritolit në makinën e Besnik Dervishit ish-prefekt i Vlorës. Në këtë dëshmi të bërë publike nga Berisha, ish-gardisti shpjegon se përdorues i kësaj makine ishte Ergys Hoxha, drejtor i njësisë antikorrupsion në qeveri dhe e paraqitën si makinën e prefektit të Vlorës.

Ja shënimi i plotë në facebook i ish-kryeministrit Berisha:

E vërteta e kallëpit të tritolit në të ndenjurat e Besnik Dervishit!

Lexoni dëshminë tronditëse të gardistit për ngjarjen në shpellën e mafies së kryeministrisë! sb

“Jam një gazetar me banim në Suedi, pjesë e Reporters Without Borders në Suedi dhe pak ditë mora këtë email, të cilin paditësi nuk dëshironte t’ua dërgonte vetë direkt, por ndërmjet meje për arsye moszbulimi të mundshëm të adresës IP të emailit dhe adresës së banesës nga kundërshtarët tuaj politikë apo të prekurit nga ky email.

Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj quhem Zamir Brahimi. Ish-efektiv i Gardës së Republikës për periudhën; prill 2011- qershor 2014 në pozicione si përgjegjës sigurie për aktivitet e Kryetares së Kuvendit, nga korriku 2013 përgjegjës sigurie pranë godinës së Kryeministrisë (ruajtje e jashtme). Emaili konstaton në një ngjarje për mua të rëndësisë së veçantë dhe mendova ta ndaj me Ju, duke pasur bindjen dhe besimin e plotë se do marrë vëmendjen e duhur nga ana juaj për të kërkuar me të detaje dhe vënë para përgjegjësisë “kompozuesit” e këtij skandali. Më lejoni të futem në detaje pa u zgjatur. Me 13-12-2013 (siç edhe jeni në dijeni) në ambientet e jashtme të Kryeministrisë gjatë kryerjes së shërbimit në orën 08:40 pas kontrollit rutinë konstatova dhe ndalova një makinë të dyshuar me lëndë plasëse, e cila pas verifikimeve të kryera nga ekspertët u vërtetua se mjeti kishte lëndë plasëse C4 të lidhur me telefon. Grupi i xhenierëve më pas kreu edhe neutralizimin e lëndës plasëse. Siç u publikua në mediat vizive dhe të shkruara makina i përkiste ish-Prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, informacion i pavërtetë dhe i servirur nga policia e shtetit me tendencën për të fshehur të vërtetën, e cila është se makina e tipit Peugeot me targë TR 5066 N përdorej nga vetë drejtori i Anti-korrupsionit pranë Kryeministrit, z.Ergys Hoxha. Lidhur me lëvizjet hyrëse-dalëse të mjetit në fjalë ekzistonte një urdhër lejimi nga ana e Sek. të Përgjith. z. Engjëll Agaqi. Gjithashtu gjurmë të lëvizjeve të makinës në fjalë gjenden edhe librat e hyrje-daljeve të mbajtur dhe protokolluar nga Garda e Republikës. Veprimet e mia që nga momenti i evidentimit të lëndës plasëse në makinë janë si më poshtë, kronologjia:

1- Lajmërimi i lëndës operative të G.R.SH

2- Krijimi i perimetrit të sigurisë.

3- Vendosja e rojeve siç e parashikon plani i emergjencave për të tilla raste.

I pari në vendngjarje ishte Min. Tahiri, (kjo vërtetohet edhe me pamjet filmike të mediave) i cili mori dhe drejtimin e operacionit në fjalë. Ministri solli në vendngjarje forcat xheniere por jo ambulancat edhe zjarrfikëset (siç e parashikon rregullorja për rastet e emergjencave). Sakaq nuk u lejua evakuimi i Kryeministrisë, po prapë me urdhër të Ministrit në funksionin e drejtuesit të operacionit njëkohësisht. Po të njëjtën ditë rreth orës 13:15 jam paraqitur pranë Drejtorisë së policisë Tiranë për të dhënë deklaratën time lidhur me ngjarjen në fjalë. Para se të futem në zyrat e Drejtorisë së Policisë jam ndaluar nga vetë z.Ergys Hoxha, i cili më ka thënë shprehimisht: MOS GUXO TË PËRMENDËSH EMRIN TIM. Nuk i jam përgjigjur por kam vijuar rrugën për në zyrat në fjalë. Në deklaratën e kryer në prani të oficerëve të policisë gjyqësore kam përmendur edhe zotërinë në fjalë, pasi doja t’i përmbahesha vetëm të vërtetës. Kur u paraqita në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u njoha me deklaratën, të cilën kisha dhënë pak muaj më parë për OPGJ. Aty mësova se emri i z. Hoxha ishte hequr dhe si rrjedhojë nuk ishte pjesë e hetimit. Veprim i cili ndryshoi rrjedhën e hetimeve dhe komplet të ngjarjes. Do doja të nënvizoj edhe një fakt tjetër. Më datë 15-12-2013 rreth orës 21:30 në ambientet e jashtme të Kryeministrisë është paraqitur z. Gani Hoxha (siç më vonë mësova se quhej) i cili më ka thënë: Jam MIK i Ministrit dhe Komandantit të Gardës, ke bërë një gabim i cili s’do të të kushtojë vetëm uniformën. Menjëherë kam mbajtur raport për ngjarjen edhe kam lajmëruar forcat e policisë. Gani Hoxha u shoqërua në ambientet e Rajonit numër 1 edhe u la i lirë pas pak orësh. Ndërkohë raporti im i shërbimit u injorua totalisht dhe nuk u analizua pa u hetuar kurrë, për të bërë lidhje me ngjarjen dhe personin. Si rezultat i “paprekshmërisë” (siç unë mendoj) personi Gani Hoxha paraqitet përsëri në ambientet e jashtme të Kryeministrisë dhe thotë: Do takohemi pasi të të heq uniformën, se tani e di se jam Mik i Ministrit.

Kam kryer raportin e shërbimit dhe këtë herë kisha edhe kolegët dëshmitarë, të cilët firmosën dhe raportuan, por përsëri u injorua edhe kjo ngjarje. Kam kërkuar edhe ndihmën e policisë pasi bëhej fjalë për ngjarje të përsëritur nga i njëjti person,nuk kam marrë asnjë ndihmë. Kam kërkuar shpjegim nga drejtues të analizës së GRSH se përse nuk ndiqet dhe më është thënë: Ndiqe privatisht, bëj ç’të duash se s’ka lidhje me ne. Në muajin Maj 2014 jam pezulluar pa arsye 1 muaj dhe në muajin qershor 2014 u lirova nga detyra për SHKELJE BETIMI. Informacion i dhënë me gojë dhe kurrë me dokumentet përkatëse apo shpjegimet përkatëse. I gjendur nën presione, kërcënime të vazhdueshme dhe pa mbështetjen e nevojshme u detyrova të marr familjen dhe të largohem nga Shqipëria.”