Dëshmia e Albert Veliut, vjen reagimi i parë i ministrit Fatmir Xhafaj

1212
Sigal

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka reaguar për herë të parë pas dëshmisë së dëshmitarit X Albert Veliu, i cili një ditë më parë tha se kishte trafikuar drogë me grupin e vëllait të tij. Ministri e cilësoi të gjithë dëshminë një sajesë dixhitale.

Përsa i përket asaj që më pyetët për dëshminë e paraqitur dje nga PD, dua t’ju them një gjë që këtu jemi në vendin e Task Forcës Speciale, kurse atje jemi në vendin e ‘sajesave dixhitale’. Për të tjerat, detyra ime është të punoj për Prokurori speciale, për Polici speciale. Detyra e tyre është të punojnë për ‘qytetarin dixhital të sajuar’. Kjo s’është çështja ime, është çështje e tyre. Unë kam zgjedhur këtë rrugë, ata kanë zgjedhur atë rrugë. Për mua është shumë e rëndësishme të bëj detyrën“,- u shpreh ai.

Sa për rastin e Arbër Çekajt dhe ngarkesës prej 1,8 ton të kapur sëfundmi në Gjemani, ministri tha se shqiptarët nuk janë ndër më problematikët atje, por renditëen në vendin e 15.
Për sa i përket çështjes së parë më duhet të them shqiptarët nuk janë, nga pikëpamja e statistikave që ne disponojmë nga kolegët tanë, ndër vendet që zënë, që kanë një peshë të rëndësishme në krimin e zhvilluar në territorin gjerman nga të huajt. Dhe sa për dijeninë tuaj, përjashto ato vepra penale që lidhen me kalimin e paligjshëm apo emigracionin e paligjshëm, për pjesën tjetër ndër të huajt, shqiptarët renditen në vendin e 15-të në Gjermani. Por kjo nuk do të thotë që nuk ka probleme, përkundrazi, ka jo pak probleme që lidhen në fushën e trafikut të drogës, në fushën e trafikut të qenieve njerëzore, në fushën e vjedhjeve të banesave apo mjeteve motorike, të cilat siç thashë janë çështje që ne i trajtojmë bashkërisht me kolegët tanë gjermanë, në kuadrin e operacionit ‘Forca e Ligjit’ përmes Task Forcës dhe në kuadrin e njësisë “Anti-Skifter” të ngritur për hetime të përbashkëta me palën gjermane, përfshi edhe çështjet, të cilat ju sapo i përmendët”,- shtoi ai.

Ministri i Brendshëm ishte nën shoqërinë e ambasadores gjermane në vendin tonë, Suzanne Schultz, me të cilën vizituan ambientet e Task Forcës Speciale. Ndërsa Schultz tha se dilte me përshtypjet më të mira nga ambientet e Tarsk Forcës, Xhafaj vlerësoi bashkëpunimin me autoritetet gjermane si në këtë rast ashtu edhe për të çuar përpara Task Forcën antiskifter.

Mbështetja gjermane nuk ka qenë thjesht në kuadrin e këshillave konkrete, rekomandimeve konkrete, por një asistencë konkrete në hartimin e gjithë kësaj strategjie, e gjithë këtij plani veprimi dhe mbi të gjitha me kontribute konkrete në çështje konkrete. Ne kemi disa çështje, Task Forca në proces hetimi policor të përbashkët me autoritetet policore gjermane. Janë çështje shumë të ndjeshme edhe për publikun shqiptar. Pala gjermane, homologët tanë, kolegët e Policisë gjermane janë duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo thjesht asistence, por edhe shkëmbim informacion, hetim të përbashkët, për të pasur sukses në hetimin e këtyre çështjeve të rëndësishme për publikun shqiptar dhe jo vetëm për publikun shqiptar. Unë e vlerësoj shumë prezencën e Ambasadores edhe për mesazhet që ajo përcolli në mbështetje të Task Forcës edhe për mesazhet e qeverisë së saj për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe unë besoj që marrëdhëniet ndërmjet dy Policive, ndërmjet dy Ministrive në këtë fushë do të forcohen më tej dhe besoj se do të jenë marrëdhënie model edhe për tu ndjekur në raport me vendet e tjera europiane që janë gjithashtu të interesuara në funksion të këtij bashkëpunimi”,- tha Xhafaj.