Dëshira Subashi:“Kompromisi për të zgjidhur konfliktin e KQZ-së është zbatimi i ligjit”

479
Sigal

Mungesa totale në KQZ e anëtarëve të një spektri, është një deformim i funksionit të ligjit zgjedhor.

Ish nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, në intervistën për “Telegraf” shpjegon përse  në KQZ është krijuar konflikti politik, cilët janë shkaktarët dhe, sipas zonjës Subashi, kompromisi për të zgjidhur konfliktin e KQZ-së, është zbatimi i ligjit dhe jo marrëveshjet ndërpartiake, sipas konjukturave politike.

– Zonja Subashi, konflikti i krijuar në KQZ është me karakter politik apo juridik?

– KQZ-ja sot është vetëm me 4 anëtarë, që i përkasin propozimeve të bëra nga pozita, ndërsa,  partitë politike kanë rënë dakord që të administrojnë zgjedhjet me komisione të përbërë nga pozita dhe opozita, si një garanci besueshmërie në procesin zgjedhor.  Pra, sipas Kodit Zgjedhor, KQZ-ja përbëhet nga 7 anëtarë, 6 prej anëtarëve zgjidhen vetëm mbi bazën e propozimeve të partive të pozitës dhe partive të opozitës parlamentare. Këto dy kushte sot nuk janë prezente në përbërjen e KQZ-së. Ja ku është konflikti juridik, në gjykimin tim. Padiskutim, përveç karakterit të konfliktit tekniko-juridik, është prezent edhe konflikti politik për KQZ-në.  Jashtë një interesi të karakterit politik, është e logjikshme, nuk do të kishim një interesim kaq të ndjeshëm për KQZ-në.

– Të dy palët politike, PD-PS,  i përmbahen së drejtës së interesave të tyre politiko-partiake, apo secila palë përpiqet që të përfitojë nga situata e krijuar me KQZ-në?

– Kjo në fakt është një pyetje për partitë politike. Pyetja që më bëni ka marrë përgjigje nga vetë raportet e ODIHR-it, në zgjedhjet e mëparshme. Pak a shumë, në rekomandimet e ODIHR-it thuhet se partitë politike duhet të tregojnë vullnet politik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, në raport me privilegjet që ato gëzojnë nga ligji zgjedhor. Pra, e thënë hapur, partitë politike kanë privilegjin të jenë administratorë zgjedhorë. Këtë privilegj ato do duhet ta shfrytëzojnë për zhvillimin e zgjedhjeve të standardeve demokratike.

– Si ta shpjegojmë, që nga njëra palë ndërkombëtarët bëjnë apel politik se këto zgjedhje do të përcaktojnë shumë të ardhmen e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe nga ana tjetër, nuk shikojmë që PD-PS të gjejnë gjuhën e kompromisit për të zgjidhur konfliktin e KQZ-së?

– Prej kohësh, që disa muaj më parë, kur punohej për reformën zgjedhore, pika e nxehtë e reformës zgjedhore ishe KQZ-ja! Një kompromis u arrit me përbërjen e reflektuar në ligj. Por nga miratimi i ligjit, deri në zbatimin korrekt të ligjit, ka diferencë. Këtë ka deklaruar edhe zoti Thomas Markert, sekretar i Përgjithshëm i Komisionit të Venecias, që ka asistuar Shqipërinë në ligjin zgjedhor. Ai thotë se, ligji zgjedhor në Shqipëri është i mirë, por duhet të jetë i mirë edhe zbatimi i tij. Kompromisi për të zgjidhur konfliktin e KQZ-së është zbatimi i ligjit.

– Në qoftë se zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së nga Kuvendi është shkelje e ligjit, po kërkesa e opozitës, që të kemi rikompozim të ri të KQZ-së me një kryetar konsensual, a është konform Kodit Zgjedhor?

– Mendoj se, praktikisht çdo ditë, që kalon, e vështirëson plotësimin e KQZ-së. Partitë janë në kohën pik të fushatës elektorale, që do të thotë se tonet e një kompromisi janë larg. Jo më kot praktikat ndërkombëtare, që pasqyrohen në Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore të Komisionit të Venecias, rekomandojnë që komisionet zgjedhore nuk duhet të ndryshohen një vit para zgjedhjeve. Ne jemi vetëm një muaj para zgjedhjeve! Nëse ligji do të ishte zbatuar, nuk do te kishim këtë situatë në përbërjen e KQZ-së.  Jam pesimiste në një zgjidhje  të KQZ-së, gjithsesi  edhe një zgjidhje e mundshme, ka dhënë efektin negativ në këtë proces zgjedhor.

– Derisa opozita nuk jep kandidatë për të plotësuar KQZ-në, a mundet Kolegji Zgjedhor të propozojë kandidatë?

– Jo, në mënyrë absolute nuk mund të ndodhë, mendoj. Nuk është në tagrin e gjykatës.

– A mundet që KQZ-ja të vendosë për çështje të procesit zgjedhor, të cilat kërkojnë votën e cilësuar? ( nënkuptoj 5 vota)

Padiskutim, jo. As që mund të ketë vendimmarrje fare, sepse këto çështje kërkojnë kuorum me 5 anëtarë për të filluar mbledhja.

– Sipas jush, cilat janë çështjet më të rëndësishme të procesit zgjedhor, në vazhdimësi, para dhe pas 23 Qershorit,  për të cilat KQZ-ja me 4 anëtarë nuk mund të marrë vendimmarrjen?

– Këto kategori çështjesh janë qartësisht të përcaktuara në nenin 24 të Kodit Zgjedhor. Para 23 Qershorit janë aktet me karakter normativ që kërkojnë kuorumin e vendimmarrjes prej 5 anëtarësh. Pas 23 Qershorit janë çështjet që lidhen me ankimimin e rezultatit zgjedhor, por edhe me ndarjen e mandateve.

– Atëherë, nëse vazhdohet që KQZ-ja të funksionojë me 4 anëtarë,  cili institucion duhet të vendosë për çështjet më të rëndësishme të procesit zgjedhor?

– Për çështjet e përcaktimit të akteve normative që vendosen nga KQZ-ja para 23 Qershorit, asnjë institucion tjetër nuk mund të vendosë, qoftë edhe gjykata. Këtë parashikon Kodi Zgjedhor, por edhe parimi i ndarjes së pushteteve. Nuk mund të vendosë gjykata për një rregull që një institucion administrate nuk e ka vendimmarrje fare. E  thënë ndryshe, gjykatat nuk nxjerrin rregulla. Ndryshe qëndron problemi pas 23 Qershorit. Ligji Zgjedhor lejon Kolegjin Zgjedhor të shqyrtojë çështjen për të cilën KQZ-ja nuk arrin të marrë vendim për mungesë kuorumi në vendimmarrje.

– Nëse kjo KQZ e tanishme, i drejtohet Kolegjit Zgjedhor që të vendosë për ato çështje që nuk mundet ajo, a do të kenë legjitimitet vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor?

– Janë përcaktuar në Kodin Zgjedhor subjektet që legjitimohen për t’iu drejtuar Kolegjit Zgjedhor. Janë subjektet zgjedhore me të drejtën ligjore që ankimojnë mosmarrjen e vendimit nga KQZ-ja.

– A mund të ketë legjitimitet çdo rezultat zgjedhor i miratuar nga një KQZ me 4 anëtarë?

– Ligjërisht rezultat zgjedhor me 4 vota nuk mund të ketë, sepse ligji kërkon 5 vota për një vendimmarrje. Por partitë politike kanë të drejtën t’i drejtohen gjykatës zgjedhore, për mungesën e vendimmarrjeve dhe vendimi i gjykatës, padiskutim është legjitim.

– A kanë të drejtë kushtetuese palët politike, që të kontestojnë rezultatin zgjedhor, edhe nëse nuk ka manipulime e çrregullime të tjera, vetëm e vetëm pse KQZ-ja është me 4 anëtarë?

– E drejta e ankimit nga subjektet zgjedhore është një e drejtë kushtetuese. Shkaqet e ankimit, qoftë edhe çështja e kuorumit prej 4 votash, vlerësohet nga gjykata zgjedhore, vendimi i së cilës është i formës së prerë.

– Faleminderit!

Është dëmtuar legjitimiteti i procesit zgjedhor

– Sikur kemi një “ambientim” politik me një KQZ që funksionon me 4 anëtarë. A mund të pretendojmë se zhvillohet normalisht dhe ligjërisht edhe vetë procesi zgjedhor?

– Kurrsesi nuk mund të jetë një proces zgjedhor normal në aspektin ligjor, kur siç shpjegova më sipër, institucioni që miraton rregullat e zhvillimit të zgjedhjeve nuk funksionon sipas ligjit. Më së pakti, janë dukshëm dy probleme themelore : Së pari, këto rregulla nuk mund të jenë të plota, sipas ligjit, sepse shumë nga aktet e rëndësishme kërkojnë minimumi 5 anëtarë që të zhvillohet mbledhja dhe po kaq anëtarë që të miratohet akti. Çdo mbledhje, apo vendimmarrje me 4 anëtarë, për këto çështje është jo vetëm në kundërshtim me ligjin zgjedhor, por është akt absolutisht i pavlefshëm. Së dyti, po me kaq rëndësi  ligjore është fakti se këto akte  ligji zgjedhor detyron nëpërmjet kuorumit të mbledhjes dhe të vendimmarrjes të marrin miratimin apo pëlqimin e anëtarëve të KQZ-së të propozuar nga dy kampet politike të pozitës dhe opozitës. Mungesa totale e anëtarëve të një spektri në gjykimin tim është një deformim i funksionit të ligjit zgjedhor. Nuk mund të përdorësh një dispozitë të ligjit dhe të mos zbatosh disa dispozita të tjera, që sipas ligjit janë komplementare me njëra tjetrën dhe që së bashku plotësojnë qëllimin e ligjit. Unë nuk besoj se kemi të bëjmë me “ambientim” të funksionit të KQZ-së me 4 anëtarë. Madje, kaq i rëndësishëm është ky element, sa ligjvënësi në pikën 3 të nenit 19 të Kodit Zgjedhor përcakton : “Në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës”.