Dëshira Subashi: Standardi i drejtësisë së vërtetë nuk është çështje ligji

563
Komisioni i Venecias publikoi rekomandimet e tij për draftet e palëve politike për reformën në drejtësi. Dëshira Subashi, ish- gjyqtare e Apelit dhe ish- zëvendëskryetare e KQZ, në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë se opinionet e Komisionit të Venecias janë një garanci për të përmirësuar pavarësinë në ndërtimin e institucioneve të drejtësisë, larg çdo ndikimi të politikës. Zonja Subashi, duke u nisur nga kjo ide, shprehet se tani u mbetet mazhorancës dhe opozitës, që mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias, të bashkëpunojnë, që të përgatitin së bashku një draft të vetëm të reformës në drejtësi. Por zonja Subashi shprehet skeptike, sepse “Unë vazhdoj të besoj se standardi i drejtësisë së vërtetë nuk është çështje ligji. Është çështje vullnetesh për të zbatuar ligjet dhe për të bërë shtet ligjor”. 
– Zonja Subashi, cili është mendimi juaj: Drafti i reformës në drejtësi i hartuar nga ekspertët e Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi, a mori notë kaluese nga Komisioni i Venecias?
– Komisioni Parlamentar i Reformës në Drejtësi, që në fillim të punës së tij pati bërë të ditur marrëveshjen e partive politike parlamentare, se paketa e reformës në drejtësi e hartuar nga ekspertët, pasi të merrte miratimin nga ky komision, do të kërkonte opinionin nga Komisioni Venecias. Dhe kështu ndodhi. Komisioni i Venecias këto ditë ka dhënë opinionin e tij të parë dhe do jetë në vijimësi për këtë reformë, me opinionet e tij. Si çdo specialist i fushës, edhe unë, padiskutim, gjykoj se opinioni i Komisionit të Venecias është ekspertiza më e lartë e mundshme dhe që në njëfarë mënyre është edhe një garanci për standardin e kësaj reforme. E parë çështja në këtë këndvështrim, mendoj se opinion i Komisionit të Venecias duhet vlerësuar jo si një notë, ndaj punës së bërë nga ekspertët vendas, por si pjesë e procesit të kësaj reforme. Të parë me pozitivitet, opinionet e Komisionit të Venecias, janë një garanci për të përmirësuar pavarësinë në ndërtimin e institucioneve të drejtësisë, larg çdo ndikimi të politikës dhe me shpresën e “kurimit” të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Sigal

– Ekspertë dhe gjyqtarë, kohë më parë kishin kritikuar këtë draft, duke thënë se ndryshimet kushtetuese të propozuara për reformën në drejtësi, do të cenojnë pavarësinë e gjyqësorit. A konstatoi këtë, njëfarësoj edhe Komisioni i Venecias?

– Unë konsideroj normale çdo mendim ndryshe në një diskutim teknicienësh për një reformë të madhe të një sistemi, që sapo ka nisur; është në hapat e parë dhe më të rëndësishmet. Do të ishte shqetësuese për demokracinë sikur këto mendime të mungonin. Konsideroj dhe vlerësoj shumë zërat e ekspertëve; kam pasur edhe vetë disa gjykime ndryshe nga drafti që definuan ekspertët e ngarkuar me detyrën e kësaj reforme. Këto mendime i kam bërë edhe publike në intervista a në emisione të ndryshme televizive. Unë kam pasur bindjen se do të ishin zgjidhjet më të mira. Ndonjë prej tyre e gjej të dhënë në opinionin e Komisionit të Venecias. Por, unë mendoj se zërat si unë, ekspertë a gjyqtarë kanë hapin e tyre vetëm për t’u shfaqur, për t’u bërë me dije. Reformat bëhen në institucione dhe Komisioni Parlamentar i Reformës në Drejtësi, apo ekspertët e këtij komisioni të ngarkuar, përbëjnë institucionet. Opinioni i Komisionit të Venecias nuk ka zëruar draftin, apo të ketë dhënë opinionin se drafti cenon pavarësinë e gjyqësorit. Komisioni i Venecias ka sugjeruar disa përmirësime, që përbëjnë hapin e rëndësishëm për ta përmirësuar projektin dhe ky duhet të jetë drejtimi i duhur, për të shmangur çdo ndikim mbi pavarësinë e gjyqësorit.

– Kritika kryesore e Komisionit të Venecias është rekomandimi që Inspektorati i Lartë Disiplinor i Drejtësisë të mos ekzistojë. Atëherë, sipas jush, rolin e vlerësimit, të shqyrtimit të vendimeve gjyqësore, por edhe kontrollin e prokurorisë, cili mekanizëm ligjor a institucion duhet ta ketë kompetencë?

– Po në këtë pyetje që më bëni, mund të them se Komisioni i Venecias ka vlerësuar se disa institucione të parashikuara për t’u ndryshuar në draftin e Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi duhet të rishikohen, sepse Ai, Komisioni i Venecias ka vlerësuar se janë të dubluara dhe përbëjnë arsye për të ndikuar. Këtë do ta verë në shqyrtim institucioni që po merret me reformën në drejtësi. Për një gjë jam e sigurtë, se veprimtaria e punës dhe gjykatës duhet të vlerësohet dhe kontrollohet njëkohësisht. E rëndësishme është kompetenca dhe shtrirja e funksionit që do t’i jepen këtij institucioni. Unë mendoj se në kontrollin mbi gjyqësorin duhet të marrë dimensione të kujdesshme. Përmbajtjen e një vendimi e bën hierarkia gjyqësore, sepse është thellësisht një çështje parimore që lidhet me pavarësinë e gjyqësorit. Të tjera kontrolle vlejnë të institucionalizohen struktura, çfarëdo emër të ketë ai. Kështu edhe për kontrollin e prokurorëve. Të presim reagimin për këtë ndryshim të sugjeruar. 

– Komisioni i Venecias, duke kritikuar mënyrën e propozuar për emërimin e gjyqtarëve e titullarëve të institucioneve të gjyqësorit, çfarë do të thotë? Që politika të mos ndikojë në emërime, në gjyqësor?

– Unë do të vazhdoj të mos i konsideroj kritika opinionet e Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias ofron opinionin e tij, duke bërë kujdesin e duhur që politika të jetë sa më larg në ndikimet e saj në gjyqësor. Edhe ligjet që janë sot në fuqi, janë të standardeve ndërkombëtare, që nëse i lexon, të bindin në paanshmërinë e sistemit gjyqësor, por sot opinioni është njëzëri në ndikimin politik në emërimet e të gjitha niveleve të drejtësisë! Me një zë të gjithë pranojnë që politika nuk duhet të ndikojë në emërime në gjyqësor; këtë e thotë edhe vetë politika, që përbën edhe çudinë tek unë. Shkurt politika – siç thotë një fjalë e urtë: bëj si them unë, mos bëj si bëj unë…Pa asnjë mëdyshje, politika, jo nuk duhet të ndikojë drejtësinë, por duhet të reformohet duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit, ashtu siç vetë politika dominon me pavarësinë e saj.

– Mendoni që me këtë reformë në drejtësi edhe nëse merren parasysh opinionet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, gjyqtarët dhe prokurorët, që do të punojnë, do të ndihen kaq të pandikuar nga politika, që të zbatojnë drejtësinë edhe ndaj kryeministrit, ministrit për hetime të korrupsionit?

– Fatkeqësisht jam skeptike. Unë vazhdoj të besoj se standardi i drejtësisë së vërtetë nuk është çështje ligji. Është çështje vullnetesh për të zbatuar ligjet dhe për të bërë shtet ligjor. Kjo nuk ka të bëjë me reformë ligjore, por me zhvillim të gjithanshëm shoqëror. Nëse do të ishte çështje ligji, do të kishte përfunduar me kohë edhe kjo reformë, si shumë të tjera reforma.

– Ju vetë, duke u bazuar në përvojën dhe integritetin tuaj moral dhe profesional, çfarë do të propozonit konkretisht për reformën që gjyqtarët dhe prokurorët të mos cenohen në detyrën e tyre nga presioni i politikës?

– Integritet profesional dhe moral të të gjithë trupës së drejtësisë. Ka në këtë vend profesionistë me këto karakteristika dhe kjo të bënte kthesën e madhe për të gjithë.

– Ju mendoni se mazhoranca dhe opozita jonë do të ulen bashkërisht, do të reflektojnë bashkërisht rekomandimet e Komisionit të Venecias për të bërë një draft konsensual për reformën në drejtësi?

– E drejta kjo do të ishte. Opozita ka kërkuar besimin tek Komisioni i Venecias; vjen reagimi i parë për të rishikuar disa çështje dhe nuk besoj se ka logjikë që opozita të mos jetë e pranishme, duke konsideruar që pozita e ka të padiskutueshme, të reflektojë mbi opinionin e parë të Komisionit të Venecias.

– Ju çfarë mendoni: Edhe nëse votohet me konsensus reforma në drejtësi, do të ndodh kthesa që dëshirojmë, që drejtësia jonë të japë drejtësi për këdo? Do të luftohet korrupsioni? 

– Sapo dhashë më sipër një opinion. Unë do të ftoj gjithkënd të besojmë në atë që ky vend duhet të bëjë atë që bën bota demokratike me drejtësinë. Të bëjë dhe të marrë drejtësinë e duhur, pa asnjë dallim dhe diskriminim.

– Ju mendoni se tani që u miratua ligji i dekriminalizimit, do të bëhet katharsi? Në vetvete, e besoni këtë?

– Pa reformën në drejtësi, nuk mund të besoj në dekriminalizimin e politikës dhe të pushtetit. Se çfarë mund të ndodhë ? Që disa politikanë t’i largojnë, për shkak të efekteve të këtij ligji, disa nëpunës mund të lënë postet për shkak të efekteve të këtij ligji edhe për të treguar vullnet politik për dekriminalizimin e institucioneve. Ata, të larguarit, kanë të drejtat e tyre themelore të ankimohen në gjykata. Sot gjykatat janë të paragjykuara për ndikime dhe çfarëdo vendimi të japin, sërish do të jepte mundësinë për të mos besuar dekriminalizimin.
– Faleminderit!
Shkrimi u botua në gazetën Telegraf të datës 22.12.2015