Dëshira Subashi: Pa një drejtësi të vërtetë, kurrë nuk mund të fitohet “lufta”me korrupsionin

96
Laura Codruta Kovesi, drejtoresha e Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit në Rumani në një vizitë në Shqipëri dha mësime demokratike sesi mund të luftohet korrupsioni, që është leuçemia e demokracisë shqiptare. Zonja Dëshira Subashi, në intervistën për “Telegraf”, pohon se pa një drejtësi të vërtetë nuk mund të flitet për luftë kundër korrupsionit. Ne, pohon zonja Subashi, kemi ligje, por mungon vullneti për zbatimin e ligjit, ngaqë politika anatemon fort drejtësinë. Subashi pohon se presidenti Nishani nuk zbaton ligjin për të emëruar zvkryetarin e KLD. Ndërsa për projektligjin “Për vlerësimet e gjyqtarëve”, zonja Subashi thotë, se duhet të ishte pjesë e reformës, dhe jo arnim i saj. 

-Zonja Subashi, a mund të kemi antikorrupsion pa një drejtësi të pakorruptuar?
– Korrupsioni ka vetëm një mjet për ta luftuar dhe shpëtuar prej tij. Kërkon institucione që të kenë vullnetin për ta luftuar atë realisht. Me rëndësi të posaçme në këtë luftë është drejtësia e vërtetë dhe e pavarur. Drejtësia ka barrën kryesore të antikorrupsionit. Pa një drejtësi të vërtetë, kurrë nuk mund të fitohet “lufta”me korrupsionin. 

– Mjafton të themi justifikueshëm, që nuk ka vullnet politik, ndaj nuk kemi drejtësi të pavarur? (dmth, a mund të bëhet drejtësia e pavarur, edhe në mungesë të vullnetit politik?) 
– Drejtëia e vërtetë, që unë vlerësoj dhe besoj është drejtësia e pavaruar realisht. Sot, për fat të keq drejtësia më së paku është e paragjykuar për mungesën e pavarësisë, është me besim të munguar të publikut për pavarësinë e saj, pse jo edhe për korrupsionin. Drejtësia prej kohësh është në fokusin e politikës dhe tashmë në shenjestër të saj, për reformim dhe e etiketuar si e korruptuar. Politika anatemon fort drejtësinë si të korruptuar në shërbim të politikës, ndërkohë është vetë politika që ndikon në këtë situatë me mungesë besimi dhe problematikë tek drejtësia. Kurrsesi drejtësia nuk do të bëhet e pavarur në mungesë të vullnetit politik gjithpërfshirës të vendit. 

– Si mund të largohen njerëzit e koruptuar nga drejtësia shqiptare
-. Kur bëhet fjalë për nëpunës të drejtësisë mendoj se rritet shkalla e vështirësisë së zbulimit dhe ndëshkimit njëkohësisht. Besueshmëria tek kolegu përbën një element, mbështetja e kolegut, një element tjetër, parimet dhe procedurat për të nisur një hetim, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjyqtarë. Gjithsesi nuk është e pamundur. Raste të rralla, në mos gabohen vetëm dy raste gjyqtarësh, të vlerësuara periferike nga unë janë dënuar. Që të arrihet të largohen njerwzit e korruptuar nga drejtësia kërkohet një mbështetje e fortë e shtetit. Janë struktura të cilët duhet të jenë rigorozw për të hetuar në mënyrë të barabartë kryetarin e një komune a bashkie me një gjyqtar a prokuror, përfshi edhe gjykatat më të larta. Një mekanizëm mund të ishte kontrolli i pasurive të gjyqtarëve, mund të ishin reagimet e publikut, apo çdo rast tjetër i vlerësueshëm. 

– A mbështeten strukturat për ta bërë këtë gjë? 
– Unë mendoj se deri më tani ka munguar një vullnet i vazhdueshëm për të bërë pastrimin e njerzve të korruptuar nga sistemi i drejtësisë. Më shumë se ky mision është tërhequr vëmendja me pavarësinë e sistemit se sa me luftën kundër korrupsionit në këtë sistem. Unë besoj se kjo arrihet vetëm dhe vetëm me vullnet të përbashkët të vetë drejtësisë me strukturat e tjera të shtetit. Këtë vullnet e shikoj të munguar.

– Zonja Laura Codruta Kovesi, drejtoresha e Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit në Rumani pohoi se asnjë politikan nuk mund të më telefonojë dhe të më thotë ‘hap një hetim, mbyll një hetim, jep këtë lloj zgjidhje. Përse te ne, nuk ndodh kështu?
– Ajo që ka dëmtuar besimin e publikut tek drejtësia jonë është pikërisht fakti i ndikimit politik tek prokurori e gjyqtari, madje për çështje konkrete. 

-Përse tek ne nuk është kjo pavarësi? 
Fare thjesht, sepse ka ndikim të drejtëpërdrejtë politika mbi drejtësinë. Do të kemi drejtësi të pavarur në ligj dhe në realitet kur vullneti politik ta bëjë këtë, të heqë dorë nga ndikimi mbi to.

– 3 janë shtyllat e suksesit të luftës kundër korrupsionit. 1. Një strukturë e specializuar është tepër e rëndësishme. 2. garantimi i pavarësisë së personave, të cilët bëjnë hetime të tilla ose të personave që gjykojnë hetime të tilla, 3. një legjislacion i përshtatshëm. Cilat mungojnë në Shqipëri, dhe përse?
– Mbi të gjitha do të vlerësoja garancitë për personat të cilët bëjnë hetime dhe gjykime kundër korrupsionit. Në vendin tonë mungojnë tërësisht garancitë reale për nëpunësit që kryejnë detyra të rëndësishme shtetërore. Mungesa e garancive e dobëson shumë luftën kundër korrupsionit, sepse ka një të nesërme të pasigurtë në karierën e tij. Të gjurmosh, të procedosh dhe të dënosh persona të rëndësishëm me pushtet zyrtar dhe me pushtet financiar është mjaft vështirë për të ardhmen tënde, në një mjedis me ngarkesa politike dhe me dominanca politike. 

– Në Rumani Laura Codruta Kovesi pohon: Strukturë e specializuar kundër korrupsionit. Ndërsa në Shqipëri, portalin antikorrupsion e drejton dhe kontrollon qeveria. Mund të ketë besueshmëri?
– Unë mendoj se struktura kundër korrupsionit në Shqipëri ekzistojnë. Ekzistojnë institucione të pavarura, ekzistojnë edhe institucione që janë në vartësi të qeverisë. Nuk e shikoj problemin tek formati i institucioneve, por tek përgjegjshmëria e nëpunësve që kryejnë këto detyra. Përgjegjshmëria dhe garancitë juridike do të forconin së tepërmi sistemin për luftën kundër korrupsionit. Portalet antikorrupsion të ngritura pranë strukturave qeveritare janë një element i shtuar për informim nga publiku. E rëndësishme mbetet që moria e strukturave dhe mekanizmave të funksionojë si një ingranazh që plotësojnë njera tjetrën në arritjen e qëllimit që është lufta kundër korrupsionit.

– Çfarë shpreh konflikti President – Ministri e Drejtësisë, për vendin vakant të zvkryetarit të KLD-së?
– Problemin që më pyesni e konsideroj jo si një konflikt midis Presidentit dhe Ministrit të Drejtësisë. Ndoshta konflikti është me ligjin që nuk gjen zbatim. Zëvëndëskryetari i KLD është titullari i administratës me përgjegjësitë ligjore të drejtimit dhe kontrollit të administratës së KLD, përfshi edhe inspektoriatin e KLD që kontrollon gjykatat. Situata nuk mund të mos reflektojë drejtëpërsëdrejti në drejtësi. Një hallkë zinxhiri e këputur e bën zinxhirin jashtë funksioni. Konflikti tregon dominancë mbi drejtësinë. Duket qartë se pengesë është papëlqyeshmëria e një ligji që ka nominuar zgjedhjen e Zëvëndëskryetarit e KLD nga tre anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi. 

– Cili është vlerësimi juaj për pprojektligjin e qeverisë për “Vlerësimet e gjyqtarëve”? Mendoni se do të kemi një hap cilësor në Gjyqësor?
– Janë bërë disa ndryshime në ligjet për gjyqsorin. Do të mendoja se edhe ky ligj mund të ishte pjesë e reformës në drejtësi. Arnimet e pjesshme nuk kanë vlerën e një reforme tërësore. Vazhdoj të mendoj se ligjet nuk mungojnë. Mungon vullneti per zbatimin e ligjit me qëllimin që ka ligji.