Dëshira Subashi: Kodi Zgjedhor është ndryshuar 20 herë, politika se ka respektuar

755
Ish-kryetarja e KQZ flet për sistemin zgjedhor në vend, mosrespektimit nga ana e politikës, moszbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe efektet e Reformës Zgjedhore
Ka qenë në krye të institucionit që menaxhon zgjedhjet në vend dhe më mirë se kushdo e di se, çfarë do të thotë të mos kesh mundësi të zbatosh Kodin Zgjedhor. Dëshira Subashi, juristja e njohur në vend, shprehet për gazetën “Telegraf” në një intervistë, se vendi ynë ka Kod Zgjedhor, por partitë politike asnjëherë nuk kanë qenë të interesuara ta zbatojnë atë. Thotë se administrata e KQZ ka qenë e politizuar. Asnjëherë, sipas saj nuk janë zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe se sistemet zgjedhore kanë qenë prodhim i partive të mëdha politike. Ka ndjekur me vëmendje debatet e fundit në vend dhe deklaratat e liderëve të partive kryesore. Bie dakord me deklaratën e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhënë pas zgjedhjeve, që premton se në zgjedhjet e ardhshme, listat e deputetëve do të diskutohen me bazën. 

Zonja Subashi jemi në kulmin e debatit për Reformën Zgjedhore. Mendoni se partitë politike do të bien dakord për t’i dhënë vendit një dokument kaq të rëndësishëm? 
Është viti 2017 dhe ky vit ka qenë vit zgjedhor, janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Nuk më çudit pyetja, as debatet që bëhen për Reformën Zgjedhore, sepse pas çdo fund procesi zgjedhor, fillon “historia” të ndryshojë Kodi Zgjedhor. Nga viti 2003, kur unë kam filluar punën në administratën zgjedhore, e në vijim, nuk kanë të numëruar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndoshta 20 ndryshime të dispozitave.

Por çfarë pasqyrojnë këto ndryshime? 
Veçoj ndryshimin e sistemit zgjedhor në vitin 2008, nga sistem mazhoritar i përzier me proporciona , në sistemin proporcional rajonal, që përbën një ndryshim thelbësor në sistemin elektoral, ndryshimet e tjera kanë synuar kryesisht në administrimin e votës, ndryshime në komisione zgjedhore në vendqëndrimet e tyre e deri tek llogaritja e mandateve. Në Kodin Zgjedhor janë bërë ndryshime, për vendosjen e makinave të leximit dhe numërimit të votave, gjoja në favor të shpejtësisë dhe saktësisë së nxjerrjes së rezultatit zgjedhor. Janë bërë tre herë zgjedhje të përgjithshme dhe asnjëherë nuk u bë ky proces shumë i vlerësuar nga politika, madje konsideruar edhe arritje e madhe edhe pse tepër i kushtueshëm. Asnjëherë nuk u arrit të zbatohet ligji. Për llogari të zgjedhjeve janë bërë dhjetëra ndryshime ligjesh të tjerë. Në Kodin Penal, u përfshinë ndëshkime të rënda që kishin të bënin me zgjedhjet. Në dukje këto ligje kanë forcuar rregullin në favor të votuesit dhe vendimit të votuesit për qeverisjen, por realisht këto ligje, ose janë zbatuar formalisht dhe janë shuar në rrugë e sipër, ose nuk janë zbatuar fare. Ndryshimet e Kodit Zgjedhor nuk bënë të mundur asnjëherë t’u përgjigjen pozitivisht rekomandimeve të OSCE-ODIHR, për një administratë zgjedhore të pavarur dhe që partitë politike të mos kenë akses në administrimin e procesit zgjedhor. Ky rekomandim asnjëherë nuk gjeti zgjidhje, besoj se arsye thelbësore është mungesa e besimit politik tek vetë partitë politike. Këto ndryshime janë bërë gjithnjë në vitin zgjedhor. Impenjimi i politikës parlamentare ka qenë për të bërë gjoja ndryshime, por në të vërtetë, si gjatë zgjedhjeve dhe post tyre, politika ka qenë kundërshtuese dhe në vijimësi produkti zgjedhor ka qenë i kontestuar. Ky historik i shkurtër vlen për lexuesin për të gjykuar në pritshmëritë e një ligji të ri zgjedhor, apo të ndryshimeve e “arnimeve” të mëtejshme. Dhe për t’u përgjigjur drejtpërdrejtë pyetjes tuaj, unë besoj se ndryshime në Kodin Zgjedhor do të bëhen, por cilësia e ndryshimeve, nuk kam besim se do të dalë jashtë “historikut” të ndryshimeve të këtij ligji. Uroj shumë që ligjbërësit të mund të arrijnë të bëjnë ndryshimet e rekomanduara nga vëzhguesit ndërkombëtarë, në raportin përfundimtar të tyre, mbi bazën e vëzhgimit të zgjedhjeve. Uroj që politika të fillojë të kuptojë se ndryshimet e vazhdueshme në ligjin zgjedhor nuk është një praktikë e mirë zgjedhore. Ashtu si edhe në vendet me demokraci të vërtetë është e nevojshme të fillojë të zbatohet praktika unifikuese zgjedhore, ashtu siç funksionon edhe në sistemin e drejtësisë. Ndryshimet në ligj janë pengesë për ta aplikuar dhe mbetemi në vazhdimësi në retorikën kundërshtuese të administrimit zgjedhor dhe të besimit të munguar. Në një proces vëzhgimi në zgjedhjet parlamentare në Londër, mësova që ligji zgjedhor atje kishte 100 vite që nuk ishte cenuar. Administratorët e zgjedhjeve pohuan se ligji e ka kryer funksionin e tij, por nuk është ndërhyrë sepse praktika zgjedhore ka krijuar traditën që respektohet dhe gëzon besimin e publikut dhe të politikës. Kjo është diferenca.

Ju jeni një nga njohëset e mira të ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Cili sistem do të ishte më i përshtatshëm për të pasur zgjedhje të pakontestueshme?
Sistemi zgjedhor që kemi, i ndryshuar nga dy partitë e mëdha në vitin 2008, në atë periudhë gjeti kontestimin e partive të tjera më të vogla të cilat prekeshin drejtpërsëdrejti nga ligji, për të qenë pjesë e parlamentit dhe për të ndikuar në vendimmarrjen e parlamentit. Ky ndryshim Kushtetues për sistemin zgjedhor, solli si pasojë ndryshime thelbësore në politikë-bërje dhe në drejtimin e qeverisjen vendit, ndryshe nga sistemi zgjedhor i mëparshëm që ishte i përzier. Sistemet zgjedhore pikërisht këtë mision kanë. Janë nga vendimmarrjet më të rëndësishme politike , për parlamentin dhe jetën politike në tërësi. Në përvojën botërore, por edhe në Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore, miratuar nga Komisioni i Venecias, sistemet zgjedhore duhet të ndryshohen shume rrallë. Ato duhen provuar në kohë të gjatë dhe në shumë palë zgjedhje për të bërë një ndryshim të efektshëm. Të gjitha sistemet zgjedhore prodhojnë efekte pozitive dhe negative. Ato prodhojnë efekte në politik-bërje dhe në qeverisje. Çdo sistem zgjedhor që të prodhojë pastër efektin e dëshiruar për qeverisje në interes të votuesit kërkon një shkallë të caktuar të zhvillimit të demokracisë në vend. Unë mendoj se nuk ka sistem zgjedhor të mirë apo më pak të mirë, por ka hapa të ndryshëm të arritjes të zhvillimit demokratik të një vendi. Sistemet zgjedhore janë të mira, në vartësi të vendimit politik për mënyrën e drejtimit të vendit. Unë besoj dhe mendoj se ndryshimi i sistemit zgjedhor duhet t’i nënshtrohet diskutimit të gjerë politik, të gjithë spektrit politik. Efektet e këtij diskutimi, në se arrihet në ndryshime të sistemit elektoral nuk mund të shtrihen në zgjedhjet e radhës, sepse kanë ndikime interesash në parti të caktuara. Efektet e ndryshimeve të sistemit zgjedhor duhet të jenë në zgjedhjet parlamentare pas zgjedhjeve të radhës. Këto përcaktime nuk janë të mijat, por të Kodit të Praktikave të Mira Zgjedhore, miratuar nga Komisioni i Venecias. E di që ky rregullim mund të mos pëlqehet nga shumica e partive, ndoshta të dëmtuar nga sistemi elektoral, por mendoj se duhet të mësohemi me rregullin për të sjellë siguri e garanci më shumë tek zbatimi i ligjeve. Është e sigurt dhe e provuar se fajin nuk e ka sistemi, por mënyra e përdorimit prej njerëzve të sistemit. Është shumë i rëndësishëm që të krijohet tradita e një vullneti të përbashkët për të respektuar një sistem ligjor, të zgjedhur prej shumicës, me qëllimin e vetëm që çdo kush nëse do të vepronte kundër shumicës, nuk do të gjente vend jo vetëm te pakica, por do t’i minimizoheshin në maksimum përfitimet e padrejta . E kundërta ndodh në realitetin tonë, ku mazhorancat ligjore apo të përkohshme qofshin, bien dakord dhe stimulojnë haptazi veprime që cenojnë rendin juridik, të cilat kanë lidhje ose shfaqen duke filluar nga përdorimi i kompetencave qeverisëse për përfitime të paligjshme ose duke ndërmarrë nisma ligjore me ndikime personale, pasuar këto me keqpërdorimin e pushtetit dhe brutalitetin e organeve ligjzbatuese etj. Në se do të më pyeste çdo kush, për mendimin tim lidhur me sistemin zgjedhor do të përgjigjesha, që ky sistem që është aktualisht është shumë shpejt për të menduar se duhet të ndryshohet, ndoshta është i arsyeshëm një korrektim i sistemit, që çdo votë të mund të llogaritet si e barabartë, që do të thotë të mos kufizohet me zonën, në llogaritjen e mandatit. Edhe ky ndryshim në se duhet të ndodhë kërkon një studim të mirë për efektet politike që prodhon.

Mendoni se mungesa e një Kodi Zgjedhor dhe e një sistemi të duhur është bërë shkak për prodhimin e deputeteve me nivel të ulët në Kuvend? 
Jo, nuk mendoj se Kodi Zgjedhor apo një sistem zgjedhor jo i duhur të ketë ndikuar në cilësinë e deputetëve. Unë nuk mendoj se mungon një Kod Zgjedhor. Kodi Zgjedhor ekziston dhe ka të gjithë elementët për të zhvilluar zgjedhje të standardeve ndërkombëtare dhe të një standardi parlamentar të lartë. Kjo është bindje absolute e imja, por edhe në rekomandimet e institucioneve vëzhguese ndërkombëtare, këtë vlerësim ka marrë ligji zgjedhor. Çështja qëndron tek mënyra e zbatimit të ligjit, e deformimit të ligjit për interesa politike. Unë këtë e kam deklaruar në vijimësi edhe gjatë kohës kur kryeja detyra në administratën zgjedhore dhe është në bindjen time absolute. Sistemi zgjedhor mund të ketë ndikuar në një fare mënyre, sepse lista e deputetëve nuk merr besimin e votuesit për individin. Individi edhe pse njihet me listën e deputetëve ai voton listën në tërësi të zonës dhe jo një individ. Ky sistem favorizon vendimmarrjen totale të Kryetarëve të partive, që sigurisht ka të bëjë edhe me përgjegjësitë politike, të kryetarëve të partive politike. Pas zgjedhjeve kam dëgjuar z.Lulzim Basha të thotë se në zgjedhjet e ardhshme lista e deputetëve do t’i nënshtrohet një diskutimi të anëtarësisë së kësaj partie. Kjo është e drejtë dhe demokratike dhe garanton cilësi më të mira në se ky proces zhvillohet i vërtetë..

Një tjetër debat është ai i përfaqësimit të partive në komisionin për Reformën Zgjedhore. Deri tani kemi pasur komision bipartizan, por që nuk ka sjellë rezultatin që është kërkuar. Si duhet të jetë ndërtuar ky komision? 
Unë do të mendoja që e drejta në komisionin e reformës i takon partive parlamentare, me të drejtë vote. Kurrsesi nuk mund të kufizohet e drejta e propozimeve dhe e votës, kur ekzistojnë kushtet për ta ushtruar këtë të drejtë. Partitë parlamentare që ushtrojnë të drejtë vote, nuk ka arsye të jenë të përjashtuara nga diskutimi dhe hartimi i projekt ligjeve, qoftë ky edhe ligji zgjedhor. Partitë jashtë parlamentare besoj se duhet të shprehin interesin e tyre, propozimet e tyre duhet të jenë pjesë e diskutimit . Kjo është një e drejtë kushtetuese. E drejta duhet ushtruar në mënyrë të arsyeshme dhe jashtë interesit politik të momentit.

Aktualisht politika është mbërthyer edhe në debatin për Vettingun. Janë ngritur organet e tij. Nga duhet të nis Vettingu sipas Jush? 
Reforma në drejtësi është një nga reformat më të rëndësishme, më të domosdoshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në liritë dhe të drejtat e njeriut. Kjo reformë është e vonuar në kohë. Është e vonuar në kohën kur filloi puna për hartimin e ligjeve të reformës, është e vonuar edhe pas hartimit të ligjeve të reformës. Janë shkelur afatet kushtetuese për të qenë me institucione të drejtësisë të reformuara. Ligjet për reformën në drejtësi, përfshi edhe ndryshimet Kushtetuese kanë përcaktuar qartë, edhe si duhet të ngrihen institucionet për reformën në drejtësi, edhe se si do të ngrihen institucionet e reformuara, radha e tyre dhe koha e ngritjes së tyre. Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorisë janë dy nga institucionet e para që duhet të kishin filluar nga puna. Sot ato punojnë në paligjshmëri për shkak të afateve që kanë skaduar, dhe janë institucione të suprimuara . Nga mosformimi i këtyre institucioneve janë penguar edhe ushtrimi i funksioneve të tjera që rrjedhin prej tyre. Është urgjente vënia në funksion ligjshmërie e këtyre dy institucioneve që duhet të zbatojnë e kontrollojnë zbatimin e ligjshmërisë për gjyqtarë e prokurorë. Është shumë e rëndë dhe këtu nuk ka vend për debat, por për veprim. Debati ka përfunduar me hartimin e miratimin e ligjeve. Kështu funksionon shteti ligjor.

Besoni se drejtësia do të pastrohet nga Vettingu? 
Kjo është një pyetje e vështirë që të parashikosh, a do të vazhdojmë të kemi shkelje të ligjit nga drejtësia? Çdo kush do të besonte se Vettingu do të japë rezultatin e tij. Shpresoj se diçka do të ndryshojë dhe ky ndryshim të ndikojë pozitivisht në të gjithë strukturën tjetër të shtetit. E besoj edhe për shkak të kontributit ndërkombëtar në këtë proces implementimi të ligjeve të Reformës në Drejtësi. Megjithatë, nuk duhet harruar se drejtësia është pjesë e këtij shteti dhe kësaj shoqërie dhe ky sistem, edhe pse gjithkush e dëshiron të standardeve ndërkombëtare, kjo nuk arrihet pa zhvillimin paralelisht të gjithë shoqërisë. 

Cila do të ishte këshilla Juaj për gjyqësorin? –
Në e dikush nga drejtësia e lexon këtë shkrim, do t’i thosha se:

•Është fat i madh në jetë, të mbetesh në historinë e vendit tënd si personalitet publik që ke qenë i drejtë dhe i barabartë me të gjithë, me të drejtat që gëzohen nga ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare.

•Është fat i madh në jetë të jesh pjesë e një drejtësie që të besojë publiku dhe të mbash në historinë e karrierës profesionale, dinjitetin, profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës të lartë të gjyqtarit a prokurorit.

•Pres një gjyqësor tjetër, me një praktikë gjyqësore të unifikuar me një standard me vendime gjyqësore të unifikuar, me prioritet zbatimin e standardit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të lejuar nga Kushtetuta e Shqipërisë, një etikë gjyqësore të lartë që të bëjë diferencë me çdo pushtet tjetër në Shqipëri. 

Intervistoi Alma Çuka
Sigal