Desada Metaj: Një selfie në Titanikun socialist pak para mbytjes

684
Sigal

Nga Desada Metaj

Krahasimet e kongresit të fundit të Partisë Socialiste me ato të ish-Partisë së Punës ishin gjëja më e sinqertë e kësaj ngjarjeje. Madje, satira e këtyre krahasimeve duhet t’u ketë pëlqyer edhe disa prej atyre që dje u detyruan të bëjnë një selfie me urdhër të kryetarit të partisë. Atyre që të ardhur pa shumë qejf në një takim të hapur në pikë të diellit, me gjasë as nuk ia kanë vënë veshin fjalimeve që shefat i kishin qepur me kujdes. Por nuk kanë humbur gjë, sepse fjalimet e shefave nuk kërkonin vëmendjen e turmës që tundte flamujt para tyre, por më së shumti të opozitës e mbështetësve të saj, të të ashtuquajturit “elektorat gri”, e natyrisht, një pjesë të medias, kryesisht ato pak portale dhe akoma më pak gazetarë kritikë me Kryeministrin dhe qeverisjen e tij. Por edhe vëmendjen e opozitës zor se e fituan dot, sepse oferta e Edi Ramës për opozitën ishte sa e qartë aq dhe lehtësisht e pamundur për t’u marrë në konsideratë. T’i kërkosh sot opozitës që ka dorëzuar mandatet të hyjë në zgjedhje me të njëjtin “staf” që Edi Rama kishte në dispozicion për të blerë vota me banda në 2017-n do të thotë t’i kërkosh Lulzim Bashës të kryejë vetëvrasje politike. Kryeministri e di shumë mirë që këtë herë “marrëveshja” e vetme që mund të arrijë dhe të kërkojë është, jo ajo me opozitën, por me Prokurorinë e Krimeve të Rënda – institucionin që mund të zbardhë të vërtetat e shkatërrimit të procesit zgjedhor të 2017-s, por që me heshtjen e saj është përgjegjësi kryesor për krizën ku është futur vendi.

  • Në të vërtetë, Prokuroria e Krimeve të Rënda së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme, që gjithashtu hesht për hetimin e skandaleve të tjera, si ai i tenderit të “Unazës së Re”, meritonte të kishte dje karriget e veta në Sheshin Nënë Tereza dhe një selfie.
  • Një selfie e munguar në kongresin e socialistëve dje ishte dhe ajo e shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror, i kthyer tashmë në institucion “varësie” nën shtabin e përgjithshëm të propagandës së “Rilindjes”, të cilit para disa ditësh “i rrodhën” sekrete për rrezikun e spiunazhit rus në Shqipëri. Një sajesë tipike sovjetike që, me sa duket ishte shpluhrosur nga arkivat e Sigurimit të Shtetit për të “njollosur” politikanët, mediat e gazetarët “armiq” të partisë.
  • Disa karrige dhe një selfie të veçantë në sheshin e kongresit socialist dje duhet të kishte dhe shoqëria civile. Ajo që ngazëllehej nga protesta e studentëve, që “baltoset” nga protestat e opozitës dhe që hesht kur kryeministri çirret e nuk kursen fyerjet ndaj gazetarëve dhe çdo njeriu që guxon të mendojë ndryshe.

Të gjithë këta më lart, së bashku, duket se po mundohen t’i japin dorën e fundit anijes që tani po merr ujë nga të gjitha anët. Aq sa dhe marinarët më të besuar të kapitenit duket se po përpiqen ta braktisin duke bërë gati barkat e shpëtimit. Jo më kot një pjesë e mirë e atyre që bashkë qeverisën me Edi Ramën këto 7 vjet, dje ishin lënë (apo kishin zgjedhur) të ishin në hije. Ish-ministrat për të cilët shefi nuk i kursente kurrë lëvdatat në kongreset e partisë ishin strukur dje në cepat e pa përgjueshëm, dhe llogarisnin në mendje sasinë e ujit që ka futur anija, numrin e njerëzve dhe ngarkesën… për të shpëtuar së paku veten dhe, me sa të munden, t’i prishin festën pasardhësit të projektuar nga kapiteni. Asnjë nga ish-ministrat e Edi Ramës nuk shfaqi dje entuziazëm për kandidimin e Erion Veliajt dhe as për gjuhën shkatërrim-ndjellëse të kryeministrit. Ata e dinë shumë mirë se të premtosh që do shkatërrosh teatrin dhe ndërtesat në zonën e Astirit, duke e paraqitur këtë si alternativë për Tiranën, do të thotë konflikt shoqëror me shumë artistë dinjitozë dhe luftë me qindra banorë të nxjerrë në rrugë në mënyrë të paligjshme. Këtë, vështirë se e merr përsipër ndokush që kërkon të jetë afatgjatë në politikë, veç rastit kur të duhet ta pranosh si kushtin e vetëm për rikandidimin në Tiranë apo për testamentin e partisë. Vetëm me këtë çmim të lartë mund të pranosh të bëhesh “kurban” në një konflikt civil, si ai për prishjen e teatrit dhe ndërtimin e kullave, apo atë të zonës së Astirit, mbi të cilin rëndon ende akuza e abuzimit me të paktën 20 milionë euro. Në këto kushte, as drita natyrale e diellit të së shtunës në kryeqytet, as këngët dhe humori i ngjirur i Edi Ramës nuk i dhanë dot shkëlqim kongresit elektoral të PS. Që bashkë me ofertën që i dërgoi opozitës përçoi dhe lajmin, se tashmë është shumë vështirë që të gjendet një rrugëdalje me bisedime nga kriza. Në kushtet e polarizimit të mëtejshëm të situatës, së kërcëllimit të dhëmbëve të pushtetit përballë protestave të opozitës, duket më shumë se e pamundur gjetja e zgjidhjes në tryezën e bisedimeve dhe kompromiseve të ngjashme me ato të dy viteve më parë. Është tradhti të mendosh se protestat e nisura nga opozita, një gjenerator i mllefit të qytetarëve që janë lodhur dhe janë të pashpresë nga kjo qeveri, të mund të përfundojnë në një marrëveshje në tavolinë. Veç zgjidhjes me themel që kërkon kjo situatë e paraprirë nga protestat e opozitës, një tjetër rrugëdalje e rëndësishme që nxit afrimin edhe të atyre që nuk janë votues tradicionalë të PD apo LSI në këtë protestë është alternativa për të ardhmen. Një mundësi e re që ka si shtyllë qendrore jo vetëm slogane dhe programe në letër, por që të ofrojë zgjidhje konkrete për çështjet që janë më shqetësuese. Një alternativë ku të jetë planifikuar qartë forma dhe mënyra për goditjen e bandave dhe të krimit, dhe, mbi të gjitha, goditjen e parasë së krimit në ekonomi. Një platformë ku të tregohet qartë, se si do të ringjallet ekonomia dhe si do të krijohen mundësitë për çdo njeri që do të punojë dhe ndërtojë dhe si do të llogariten taksat për çdo kategori. Një platformë ku retorika e “oligarkisë dhe abuzimit me fondet shtetërore” të zbërthehet tek emrat konkretë dhe rruga se si do t’i rikthehen shqiptarëve asetet e vjedhura dhe, mbi të gjitha, si Shqipëria nuk do të bjerë sërish nën sundimin e egër dhe shkatërrues të oligarkëve të zakonshëm. Për t’i treguar jo vetëm mbështetësve, por të gjithë shqiptarëve, se praktika që klientët e qeverisë janë të njëjtët dhe ndryshon vetëm kryeministri, është diçka që do të marrë fund. Sa më pak gjuhë të drunjtë e sa më shumë emra dhe fakte të denoncojë opozita, sa më shpesh e qartë të renditë e faktojë lidhjet okulte të qeverisë me biznesin, aq më shumë qytetarë do të besojnë dhe mbështesin ndryshimin. Qartas kjo mënyrë e të shpallurit të alternativës dhe protestat e paralajmëruara të opozitës do të jenë faktorët vendimtarë që do ta çajnë anijen rilindëse mjaftueshëm që ajo të mbytet. Edhe pse për t’i bërë ca vrima më shumë do kujdesen dhe vetë disa socialistë “milionerë”.