Dervishaj-Bersin ndjekin nga afër zbatimin e masave të sigurisë dhe kontrollet në Portin e Durrësit

535
Sigal

 

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, z. Sokol Dervishaj, së bashku
me Ndihmës Sekretarin për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit Amerikan të
Sigurisë Kombëtare, z. Alan Bersin, kanë zhvilluar një vizitë në Portin e
Durrësit, duke parë nga afër zbatimin e elementeve të sigurisë nga agjencitë.
Ministri Dervishaj dhe z. Bersin, panë mënyrat e funksionimit të sistemeve të
sigurisë në Port, një pjesë e të cilave janë dhënë nga autoritetet amerikane.
Ministri Dervishaj tha se prania dhe vizita e zotit Bersin, është shenjë e
qartë e bashkëpunimit të ngushtë që kemi me partnerin tonë strategjik SHBA.
Ministri theksoi se falë edhe ndihmës dhe mbështetjes së SHBA-ve, siguria në
porte dhe facilitete të tjera do të jetë e lartë dhe do të përmirësohet akoma
më shumë. Dervishaj tha se pala shqiptare është e angazhuar maksimalisht, për
të përmbushur sfidat e sigurisë.

Jemi shumë të privilegjuar, që
jemi sot për një inspektim në Portin e Durrësit, me një nga përfaqësuesit më të
lartë të Qeverisë Amerikane në Çështjet e Sigurisë, veçanërisht të sigurisë
kombëtare, të sigurisë së faciliteteve siç janë portet dhe aeroportet, me
Ndihmës Sekretarin për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit Amerikan të
Sigurisë Kombëtare, z. Alan Bersin. Kjo është një shenjë e qartë e një
bashkëpunimi të ngushtë që ne kemi me një partner strategjik, siç është SHBA.
Një bashkëpunim që ka një funksionim të shkëlqyer, por për shkak se ne jemi në
parametra përmirësimi kemi nevojë për të rritur kapacitetet tona, për të rritur
mënyrën e koordinimit, veçanërisht mes agjencive të zbatimit të ligjit që kanë
përgjegjësi direkte mbi administrimin, monitorimin dhe operimin e porteve dhe
aeroporteve, pra pikave hyrëse më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë.
Për këtë kërkohet koordinim, për këtë kërkohet bashkëpunim, për këtë kërkohet
rritje e kapaciteteve, dhe kjo është ajo që ne po bëjmë së bashku me partnerët
tanë amerikanë. Besojmë që ky bashkëpunim i shkëlqyer do të vazhdojë me të
njëjtën mënyrë, me njëjtat ritme dhe me të njëjtat parametra edhe në të
ardhmen. Besojmë që edhe rezultatet e përmirësimit të dukshëm të administrimit
dhe të operimit do të jenë akoma dhe me të lartë në të ardhmen në interesin e
qytetarëve shqiptarë, sigurisht të Republikës së Shqipërisë, por edhe në
interes të përbashkët me partnerët tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me partnerin
tonë kryesor strategji, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dua të falënderoj edhe
një herë z. Bersin për vizitën e tij në Shqipëri dhe për angazhimin në emër të
Qeverisë së SHBA-ve për të vazhduar këtë marrëdhënie të shkëlqyer që ne kemi
”,
– tha z, Dervishaj në prononcimin e dhënë për median.

Ndihmës Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare të Departamentit Amerikan
të Sigurisë Kombëtare, z. Alan Bersin, falënderoi Ministrin Dervishaj për
pritjen dhe vullnetin për të përmirësuar nivelin e sigurisë. Z. Bersin tha se
bashkëpunimi mes vendeve është i lartë, dhe u shpreh besimplotë se ky
bashkëpunim do të vazhdojë të jetë i ngushtë edhe me administratën e re.

“Ndodhem në Portin e
Durrësit, bashkë me Ministrin e Transportit Sokol Dervishaj dhe përfaqësues të
forcave të sigurisë. Dua të falënderoj kolegun tim Ministrin Dervishaj, për
pritjen e ngrohtë dhe bashkëpunimin që kemi, dhe pres që ky bashkëpunim të
forcohet dhe përmirësohet më tej. Ishte kënaqësi për mua që ndoqa nga afër si
funksionon siguria në Portin e Durrësit, veçanërisht infrastruktura e sigurisë
detare. Gjatë vizitës time në Shqipëri, konstatoj me kënaqësi se bashkëpunimi
në aspektet e sigurisë është i fortë, dhe do të bëhet akoma dhe më i fortë në
vazhdimësi. Duke pasur parasysh sfidat globale dhe mundësitë, është e
rëndësishme që dy vendet tona, të vazhdojnë bashkëpunimin në sigurinë kufitare.
Në këtë kontekst ne ndajmë dhe shkëmbejmë praktikat më të mira, informacionin,
por japim edhe eksperiencën tonë dhe mësojmë nga kolegët tanë shqiptare, si
është siguria këtu. Mbeta shumë i kënaqur me sistemin e informimit që është
vendosur këtu në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, ose siç njihet ndryshe
sistemi “TIM-S”. Gjithashtu mbeta i kënaqur me kapacitet e
kontrolleve fizike dhe me anë të skanerit. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë
me Qeverinë e Shqipërisë, dhe jam besimplotë se administrata e re amerikane, do
të vazhdojnë bashkëpunimin me Shqipërinë. Bashkëpunimi ndërmjet agjencive, mes
policisë, Ministrisë së Transportit dhe agjencive të tjera është shumë i
rëndësishëm. Për shembull, në Portin e Durrësit, Ministria e Transportit është
duke punuar me agjenci të tjera, si me policinë kufitare dhe doganat, për të
pasur parametra të lartë të sigurisë dhe monitorimit, por edhe që gjithçka të
kryet në mënyrë profesionale dhe të ndershme. Nga takimet e zhvilluara, dua të
them se bashkëpunimi është i lartë. Bashkëpunimi për sigurinë është shumë i
mirë dhe ka dëshirë për ta përmirësuar edhe më shumë. E di edhe nga miku im i
mirë Ministri Dervishaj, se ka determinim dhe vullnet maksimal për të vazhduar
përmirësimin”, tha z. Bersin. 

Gjatë vizitës i pranishëm ishte Zëvendësministri i Transportit dhe
Infrastrukturës, z. Bahri Shaqiri dhe përfaqësues nga Policia Kufitare dhe të
Autoritetit Portual Durrës.