Deputeti socialist Malaj denoncon sulmet që vijnë nga strukturat paralele

433
Sigal

Deputeti socialist Arben Malaj, denoncon në rrjetin e vet social, një sulm të turpshëm që i bëhet atij nga struktura paralele, siç i cilëson vetë zoti Malaj, duke lënë të nënkuptohet që sulmi kundër tij drejtohet nga individë, të cilët duan të duken të pëlqyeshëm para Kryetarit të PS-së. Shkaku i sulmeve ndaj deputetit Malaj, u bënë prononcimi më i fundit publik i deputetit Malaj, i cili parashtroi një politikë ndryshe, për PS-në, në kuadrin e zgjedhjeve të 2013-s.  Zoti Malaj bëri fjalë për krijimin e një aleance të re kundër keqqeverisjes, duke thënë se zgjedhjet e 2013-s, nuk janë zgjedhje midis PD-PS, por midis shqiptarëve, PS-ja duhet të përfundojë procesin e riorganizimit të saj, opozita duhet të iniciojë reforma dhe procese që nxjerrin vendin nga ky cikël dështimi, dhe duhet një vizion dhe strategji të re politike.  Sikurse, na tha në një prononcim të djeshëm, zoti Malaj, për “Telegraf”: “Unë nuk ka asgjë të kundërt me programin e PS-së, thjesht këta njerëz, ose nuk më kuptojnë, ose më keqkuptojnë me dashje, duke analizuar, me shkëputje dhe si u intereson atyre, opinionin tim”. Ka ndodhur, edhe herë të tjera, ku deputeti Malaj, me kurajo, ka mbajtur qëndrim ndryshe, nga direktivat e qendrave vendimmarrëse të PS-së, sikurse ishte qëndrimi i PS-së për mospërkrahjen e kandidaturës së Nanos për President, ku Malaj u prononcua publikisht që PS-ja duhet ta mbështetë Nanon, ose dhe të japë kandidaturë tjetër për President. Rrjedhja e  ngjarjeve politike provoi se Malaj kishte të drejtë dhe PS-ja gaboi me politikën e mosdhënies të kandidaturës.  Së fundi, deputeti Malaj ishte që PS-ja të votonte në 6 gusht reformën e imunitetit, ndryshe nga direktiva e PS-së. Sipas deputetit socialist,  Malaj, “është e turpshme që disa struktura paralele aktivizohen sa herë që një deputet nxit një debat apo shprehet për problemet më jetike në vend. Dhe këto sulme, sipas zotit Malaj, bëhen  nga struktura paralele, të cilat bëhen “ thjesht për të goditur kolegët dhe për të mbyllur çdo diskutim midis kolegëve dhe me opinionin publik”. Deputeti Malaj, kur bën fjalë për struktura paralele, ndoshta, lë të kuptojë, për persona, që ndonëse kanë, apo jo, detyrë partiake në strukturat e PS-së, kanë pushtet në ndikimin e  formimit të opinioneve te vetë Kryetari, si edhe në marrjes të vendimeve, jashtë çdo kolegjialiteti të organeve të zgjedhura të PS-së. Deputeti Malaj, nuk është e vështirë të kuptohet, fotografon kështu  njeriun  ose njerëzit më me ndikim të afërt e të drejtpërdrejtë te kryetari i PS-së, Edi Rama. Kohë më parë, kur  drejtuesit e FRESSH-it  të Kavajës, Korçës e Hasit reaguan  publikisht ndaj  manipulimeve në organet e tyre nga Erjon Veliaj, deputeti Malaj, po publikisht mbajti qëndrim në mbështetje të drejtuesve të FRESSH-it. Kjo, mbase ka ngjallur inatin e disave, të cilët organizojnë sërish, sipas reagimit të deputetit Malaj, sulmin e turpshëm kundër tij. Zoti Malaj, i karakterizon këto sulme, si: “Kjo strategji shpifëse me batosjen nga disa individë ( fotografohet Erjon Veliaj), karrieristë dhe të paduruar për përfitime të pamerituara dëmton rëndë debatin publik në çdo nivel të saj. Ditë më parë, deputeti Erjon Braçe, e cilësoi me emër Erjon Veliaj, duke shkruar në rrjetin e tij social, deputeti Barçe, shkruajti: “ Unë flas në emër të socialistëve, sepse në emër të PS-së (ironikisht) flet Edi Rama dhe Erjon Veliaj”. Malaj dhe Braçe janë dy nga personalitetet me kontribut të madh  historik në PS, ndaj reagimet e tyre ndaj strukturave paralele në PS, d.m.th, strukturave të zgjedhura dhe atyre që diktohen paralelisht nga Kryetari i PS-së,  duke fotografuar rolin që luan realisht Erjon Veliaj, jashtë çdo detyre partiake të ngarkuar, flet qartë, që PS-ja është një arenë e luftës së klaneve.