Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka denoncuar sot me fakte, manipulimin e provave, sipas tij, për çështjen e Agron Xhafajt.

Sipas Salianjit, “Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë në të njëjtën datë, një kërkesë për ‘Vërtetimet e gjendjes gjyqësore’, për Agron Xhafajn dhe Albert Veliun, i njohur si Babale. Prokuroria ka marrë përgjigje nga institucioni përgjegjës. Por ajo që bie në sy, është fakti se dy ‘Vërtetimet e gjendjes gjyqësore’ për dy persona, megjithëse janë dy dokumente të ndryshme, mbajnë të njëjtin numër protokoll (16) dhe natyrshëm të njëjtën datë. Ajo që bie tjetër në sy, është se megjithëse të dy dokumentet janë lëshuar nga i njëjti institucion, vërehen dy standarde të ndryshme të plotësimit të saj. Ndërsa njëri dokument (Agron Xhafajt) është plotësuar e printuar me kompjuter, tjetri (Albert Veluit) është plotësuar me shkrim dore.

Manipulimi tjetër, qëndron në faktin, se në ‘Vërtetimin e gjendjes gjyqësore’ për Agron Xhafajn, përdoren ndaj këtij personi, dy emra, njëherë ‘Agron’ dhe një herë tjetër ‘Geron’”, sqaroi manipulimin deputeti i PD-së, në emisionin “Opinion”.