Deputeti Roland Bejko replikë me Endira Bushatin: Patozi më prishi karrierën në PD

602
ROLAND BEJKO: Po Endira, i përkas epokës Berisha dhe jam krenar që emërimet i kam marrë personalisht nga Ai. Por, jam i bindur se edhe Ai është krenar që emëroi funksionar si unë e shumë të tjerë në administratë, që nuk ia shpërdoruan besimin, as duke vjedhur, as duke manifestuar arrogancë e paaftësi në detyrë. Jam i bindur se ai ndien neveri sot, kur shikon t’i thurin elozhe njerëz, që abuzuan me besimin e tij, si në Parti dhe në qeverisje. Sidomos, nga ata, që, siç e kam thënë, hynë me xhaketa doku në institucione e dolën miliarderë. Gjer në 2005 kam qenë anëtar i kryesisë qendrore të PDSH, por më pas, ata që sot na bëjnë moral për ngushtim të hapësirave në PD, nga 2005-2013 më përzunë pa shkak nga të gjitha forumet. Në 2009 shpërndanë fletushka në Kongres me emrat që nuk duhet të votoheshin, se gjasme ishin mbështetës të Bashës, dhe në ato lista gjendej dhe emri im. Astriti (Patozi) e di mirë këtë histori, se kemi debatuar bashkë në zyrën e tij, ku i kam thënë se ai ishte një akt i turpshëm. Pra kishin filluar hesapet e kryetarllëkut qysh atëherë. Më pas më kishin fshirë dhe emrin si anëtar partie nga regjistri themeltar. Po unë zgjodha të heshtja e ta filloja nga e para në bazë, paçka se mund ta kisha bërë shumë mirë edhe një nga detyrat e ndonjë departamenti. Nejse, Endira, nuk kam hyrë në PD në ’90 se aty ishte Berisha a dikush tjetër, por për bindjet e mia. As sot nuk jam në PD se është Basha kryetar. Kushdo që të ishte kryetar i PD, do ta mbështesja, siç po e mbështet me gjithë vërejtjet, që mund të kem për të dhe që kam zgjedhur t’i bëj në mbledhjet që zhvillojmë me Kryetarin. Ashtu, si kundër e mbështes dhe e inkurajoj modestisht për gjithçka, që krijon aksion opozitar. Secili bën zgjedhjet e veta, merr dhe përgjegjësitë e veta. Debati juaj nuk më është dukur interesant dhe ndaj po i qëndroj larg. Nuk më është dukur parimor, por personal. Është e drejta ime ta besoj kështu. A mund të bëhen gjërat më mirë në PD? Patjetër, si nga ana e Kryetarit dhe e gjithkujt, që është angazhuar, por kjo kërkon pozitivitet dhe tolerancë nga të gjitha palët. T’u përgjigja për respekt, nuk dua të polemizoj se nuk dua t’i jap vetes ngarkesa negative. Secili është aq i rritur, sa të marrë përsipër përgjegjësitë për qëndrimet dhe veprimet e veta. Jam 27-vjeçar në PD (me gjithë ato 8 vitet, që më përzunë moralistët dhe parimorët e sotëm) dhe nuk ia fal vetes shpërdorimin e kohës dhe të energjive për shere banale. Të uroj gjithë të mirat Endira.
Sigal