Deputeti Paulin Sterkaj/ Ankesa kryeministrit: Emërimet e drejtorëve në Shkodër janë kthyer në tendera politikë. Rama: Do merem vetë

497
Sigal

Deputeti socialist Paulin Sterkaj i ankohet kryeministrit dhe kryetarit të PS-së

Emërimet në Shkodër janë kthyer në tenderë politikë

Shkodra po kthehet në një krizë të brendshme politike në Partinë Socialiste, pas dështimit të strategjisë së Edi Ramës për këtë qark. Shqetësimet e ngritura dy ditë më parë nga strukturat e PS në Kryeqendrën e Veriut, deputeti Paulin Sterkaj ia tha në sy ankesat Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen në selinë rozë, në Tiranë.

Nga burime mësohet se në mbledhjen e Edi Ramës me drejtuesit politikë dhe kryebashkiakët e rajonit të Veriut, deputeti i Malësisë së Madhe i është ankuar Ramës, se emërimet në Qarkun e Shkodrës janë kthyer në tenderë politikë. Emërimet që bëhen në drejtoritë e qytetit të Shkodrës, sipas deputetit Sterkaj, nuk bëhen mbi bazën e meritës, por sipas listave të drejtuesve politik. Pavarësisht pakënaqësive të shprehura ndaj të deleguarve të Edi Ramës në kryeqendrën e Veriut, kryesocialisti mësohet t’i ketë mbrojtur ata.

Në mbledhjen e Edi Ramës me drejtuesit politik dhe kryebashkiakët e rajonit të Veriut, deputeti i Malësisë së Madhe i është ankuar Ramës se emërimet në Qarkun e Shkodrës janë kthyer në tenderë politikë

Por për të mësuar më shumë dhe për të zgjidhur këtë situatë problematike mes socialistëve, Kryeministri ka vendosur ta marrë vetë situatën në dorë, duke i mbledhur të hënën vetëm qarkun e Shkodrës. Edhe pse në fushatë për zgjedhjet e 30 qershorit, Edi Rama premtoi investime në këtë qytet, mesa duket Shkodra nuk po i ngjit Kryeministrit. Pasi, edhe pse fitoi lokalet nuk ka një kryebashkiak në krye të Shkodrës, për shkak se i emëruari i tij Valdrin Pjetri u prek nga ligji i dekriminalizimit.

Pas kësaj kryesocialisti bëri të gjitha lëvizjet duke dërguar përfaqësues nga Tirana për të drejtuar punën e strukturave socialiste në këtë qark, por sërish dështoi, pasi socialistët janë të pakënaqur me njëri-tjetrin. Drejtimin e bashkisë dhe punësimet janë dy çështje që drejtuesi i rajonit të Veriut Edi Rama duhet të zgjidhë, por ndërsa me njërën nuk po gjen gjuhën e përbashkët me Presidentin Meta, me emërimet pritet të ketë punë me përçarjet mes partisë së tij.