Deputeti i ri: Ja pse nuk pranova milionat dhe privilegjet personale/ Denoncimi i kandidatit bregdetar, i cili dogji mandatin dhe nuk pranoi milionat e ofruara për t’u bërë deputet. “Opozita e re” e mbushur me “hallexhinjtë” që shlyejnë borxhet e kumarit, kredive dhe ofertave për familiarët. Regjistrimet telefonike, milionat e hashashit dhe korrupsionit të ndërtimit për blerjen e deputetëve dhe ofertat për familiarët. Pazarxhiu i Elbasanit dhe kapiteni dinjitozi i Vlorës

935
Sigal

“Hallexhinjtë”, që shlyen borxhet e kumarit, të kredive të shtëpive të tyre, duke u emëruar deputetë të “Opozitës së Re”

Skerdilaid Sulozeqi: Nuk pranova miliona lekë dhe privilegje personale, për t’u bërë deputet

Jakup B. GJOÇA

Partitë parlamentare të opozitës kanë dorëzuar vullnetin e tyre politik, për të qenë në parlament. Mirëpo, disa kandidatë të listave të këtyre partive politike, në kundërshtim me vullnetin politik, pranuan të merrnin mandatet e dorëzuara të deputetëve të partive të tyre.

Cilët janë deputetët e rinj?

Shumë prej këtyre deputetëve që vetëquhen “Opozita e re” parlamentare për herë të parë u dëgjohet emri publikisht. Madje, as në pallatin që banojnë nuk i ka dëgjuar ndonjë gjiton. Anonim, të panjohur, të pavlerë nga aktiviteti dhe kontributi politik, intelektual dhe shoqëror, disa marrin mandatet e dorëzuara, sikurse mund të marrësh një copë bukë të hedhur poshtë, dhe nga uria, e kapërdin… Së pari, këta deputetë të vetëquajtur “Opozitë e re” nuk i ka votuar askush, nuk përfaqësojnë as elektoral, por as parti. Thjesht, emrat e tyre u shkruan në listën e gjatë të partisë, për “sebep” të kryetarit të partisë, me mendimin që të plotësohej formalisht lista e Partisë, pa menduar kurrë që këta do të zgjidheshin ndonjëherë deputetë. Sikurse ndodh, që ndonjë gjë, e vendosim në kavanoz, e mbyllim dhe izolojmë mirë të mos marrë ajër, dhe e braktisim në një errësirë pa dritë. Me mendimin, që kavanozi të mos na thyhet, se pastaj, era qelb dynjanë…

Bixhozçinjtë, deputetë….

Ka deputetë, që para se të merrnin mandatin ishin thjesht lojtarë të bixhozit në kazinotë elektronike. Emrat e tyre u ofruan në listat e Partisë, thjesht për të bërë një “nder” për shkak të borxheve të mëdha që kishin lënë në bixhoz… Ka të tjerë, që janë klientë të kredive bankare të pashlyera kurrë… Ka të tjerë që ndoshta kanë kusuret e tyre të halleve me drejtësinë, që kërkojnë t’i zgjidhin të gjitha me mandatin e deputetllëkut…

Pazaret e mandateve të deputetëve….

Paradoks nuk është, që partia dorëzon mandatin, ndërsa fundorët e listave, rendin të marrin si lëmoshë …mandatin e deputetllëkut, pa asnjë meritë, pa i votuar askush… Skerdilaid Sulozeqi, një kandidat i Listës së PD-së, pohoi dje, se mohoi miliona lekë dhe privilegje personale, në këmbim të marrjes së mandatit të deputetit. Natyrisht, milionat lekë dhe privilegjet personale, iu ofruan nga mazhoranca qeverisëse, e cila kërkon që të blejë çdo mandat deputetllëku të braktisur nga Opozita, me miliona lekë dhe me privilegje për familjarët e deputetit të ri, që do mandatojë… Pra, Sulozeqi zbardh skemën, pse kandidatët e listës së partive opozitare pranuan mandatin e deputetllëkut. Sulozeqi hapur thotë: Deputetët e rinj u blenë me miliona lekë dhe u shpërblyen me privilegje personale e familjare. Sipas disa burimeve, organet e specializuara të informimit ndërkombëtar kanë përgjuar një deputet të  “opozitës së re” nga Qarku i Elbasanit, i cili i bën thirrje një kandidati tjetër në listën e opozitës po nga ky qark, se është në prani të një funksionari të lartë të mazhorancës, i cili e fton të marrë mandatin dhe në këmbim të këtij nderi, do të ketë paskëtaj privilegje për familjen e vet.

Milionat e krimit dhe korrupsionit për blerjen e deputetëve…

Milionat lekë që u blenë deputetët e rinj, nuk janë të partisë, që financohet nga shteti. Jo! Opozita ka denoncuar dhjetëra fakte, ku milionat e krimit janë përdorur për financimin e fushatave elektorale. Opozita ka denoncuar dhjetëra koncesione korruptive. Këto miliona të korrupsionit, tashmë blejnë mandatet e deputetllëkut. Mazhoranca, që tashmë e ka Tepsinë e shtetit të saj, ofron edhe privilegje personale për çdo deputet të ri të “Opozitës së emëruar”. Privilegje shtetërore, natyrisht. Emërime të familjarëve në shtet, “zgjidhje” të problemeve me drejtësinë për vetë deputetët, nëse kanë, për familjarët e tyre etj… Paskëtaj, me këta deputetë të blerë, maxhoranca emëron edhe “Opozitën e re”. Dhe kjo “Opozitë e emëruar” paskëtaj, nga Kuvendi deklaron se do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, në një kohë që partia që i kishte futur në listën e kandidatëve për deputetë dhe elektorati që votoi në zgjedhjet parlamentare, do t’i bojkotojnë zgjedhjet vendore. Deputetët e emëruar, do shkojnë në zgjedhjet vendore, sepse janë PENG i miliona lekëve dhe privilegjeve që zhvatën, nga pazaret që bënë për të marrë mandatet e deputetëve.

Denoncimi i kandidatit për deputet, Skerdilaid Sulozeqi

Djegia e mandatit! Unë dogja mandatin e deputetit, refuzova miliona dhe privilegje personale për besnikëri dhe moral, për njerëzit që më kanë besuar dhe votuar. Interesi im i kalon kufijtë e personales në momentin që besoj te parimet dhe vlerat. Tani më shtohet bindja që më tej duhet ecur me njerëz që kanë dhënë dhe japin prova, jo me lojtarë borxh siç u bë në listën e Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës, të cilët braktisen anijen. O mbytemi të gjithë, o shpëtojmë të gjithë, është parimi. Kurrë më me lojtarë borxh!

Lisandër Hoxha refuzon mandatin e deputetit: Ata që e pranuan janë dekor i Ramës

Lisandër Hoxha, kandidat për deputet në listën e Partisë Demokratike është thirrur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të marrë mandatin e deputetit duke zëvendësuar kështu ish-deputetin Fatmir Mediu. Lisandër Hoxha tha dje, se të gjithë ata që pranojnë të marrin mandatin e deputetit shkojnë në Kuvend dhe janë dekor i Edi Ramës.