Deputeti i PS, Arben Pëllumbi: Reformat nuk duhet të jenë tekë e askujt

928
Arbër Pëllumbi, është deputeti i PS-së, i cili u zgjodh për herë të parë, në zgjedhjet parlamentare të 2017-s dhe është një biznesmen i suksesshëm. Deputeti Arben Pëllumbi, duke bërë një rezume të punimeve të deritanishme të Parlamentit, thotë në media se “Kuvendi përmbylli para disa ditësh detyrimin e tij kushtetues për plotësimin e organeve të reja të drejtësisë, një proces ky që i jepte mundësinë edhe opozitës të kontribuonte, por që tashmë e dinë të gjithë, ajo refuzon bashkëpunimin me qëllimin e vetëm bllokimin e reformës në drejtësi, reformë që u iniciua prej nesh, u mbështet fuqimisht po prej nesh, por dhe pse u votua me konsensus të gjerë, nuk duhet të harrojmë se si u detyruan gjithë të tjerët, nga një ndërhyrje e fortë ndërkombëtare, të ngrenë kartonin lart e kokën poshtë. Mirë do të ishte të kishte konsensus, por kushtetuta e ka përcaktuar qartë dhe ka sanksionuar procedurat zhbllokuese, sepse në fund të fundit, reformat dhe zhvillimi i vendit nuk mund dhe nuk duhet të jenë tekë e askujt, sado i rëndësishëm të jetë apo të ketë qenë. Në një shoqëri me demokraci të vërtetë funksionale palët kërkojnë konsensus kur është e mundur, por në asnjë mënyrë minoranca nuk mund t’i imponohet maxhorancës e ca më pak ta bëjë këtë nga pozitat e dhunës e forcës”. Deputeti Pëllumbi pohon se vetë është optimist, dhe thotë se tubimet e opozitës kërkojnë të bllokojnë reformën në drejtësi. “Gjithsesi bëj pjesë tek ata që besojnë me optimizëm tek një legjislaturë brenda normales. Tubimet opozitare që si qëllim të fshehur apo të dukshëm kishin bllokimin e reformës në drejtësi, tani nuk vlejnë, sepse nuk mund ta ndalin dot më atë. Edhe krijimi i një opinioni që në Shqipëri situata politike nuk është e qëndrueshme, për të penguar hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, pas publikimit të strategjisë së re të zgjerimit, nuk prodhon më asgjë. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë dhe problemet e brendshme të lidershipit të Partisë Demokratike, probleme që sipas meje do të thellohen. Nuk përjashtoj as mundësinë që të kërkohet një lider apo lidere e re që mund të përfaqësojë më mirë “trashëgiminë” e z. Berisha në PD.” Së fundi, deputeti i PS-së Arben Pëllumbi pohon se Shqipëria bëhet nga shqiptarët dhe jo nga të huajt. “Duhet të bindemi njëherë e mirë se këtë vend nuk do ta bëjnë të huajt, por ne. Rruga drejt Evropës nuk do të thotë më shumë lekë qyl e pa punuar, kafe e aheng, sidomos brezi i ri, por përkundrazi më shumë mundësi për punë e impenjime ndaj vetes dhe të tjerëve, më shumë iniciativë e bashkëpunim dhe mos harrojmë më shumë dashuri për Atdheun”.
Sigal