Deputeti i PD-së: Magjistratët testohen për aftësitë profesionale në fshehtësi të plotë

414
PD-ja ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Rama, se ka kapur sistemin e drejtësisë
Deputeti demokrat Gent Strazimiri, deklaroi se “Shkolla e Magjistraturës shkel ligjin e vetingut dhe bën testimin e aftësive profesionale të magjistratëve në fshehtësi të plotë”. “Shkolla e Magjistraturës është vënë në shërbimin politik të Edi Ramës për të ndikuar vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke rrëzuar një nga shtyllat kryesore të reformës në drejtësi. Në kundërshtim me ligjin e vetingut, Shkolla e Magjistraturës ka zhvilluar testimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit në fshehtësi të plotë, pa transparencë dhe pa asnjë njoftim publik. Ky proces i drejtuar nga kamikazi i Edi Ramës në Shkollën e Magjistraturës është jetik për të ardhmen e sistemit dhe mungesa e transparencës është shenjë e qartë se po zbatohet projekti i Edi Ramës për kapjen e drejtësisë përmes emërimeve të reja. PD-ja shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e transparencës në këtë proces jetik për garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe eficiencën e tij. PD-ja nuk do të njohë asnjë proces të rekrutimeve të reja në sistemin e drejtësisë që është i korruptuar, jo transparent dhe i ndikuar politikisht.
Shkolla e Magjistraturës i përgjigjet me data akuzave të PD-së
Shkolla e Magjistraturës ka reaguar pas akuzave të PD-së. Shkolla e Magjistraturës bën me dije se, në zbatim të nenit 179/b/4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të nenit 42 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si dhe të nenit 165 të ligjit nr. 96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ka zhvilluar në datë 7 dhe 8 maj 2018, procesin e testimit të aftësive profesionale të këshilltarëve ligjorë pranë Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ndihmësve ligjorë pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe gjykatave administrative, si dhe të inspektorëve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, të cilët nuk gëzojnë statusin e gjyqtarit dhe të prokurorit. 
Sigal