Deputeti i PD: Prova të reja për lidhjen mes Tahirit dhe bandës së Habilajve. Pse nuk arrestohet ish-ministri?

170
Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, për përfshirje në trafikun e drogës dhe lidhjet me bandën e Habilajve. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka sjellë fakte të reja lidhur me kontrollin e trafikut të kanabisit, që sipas tij bëhet nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Ai tha se këtë gjë e faktojnë mesazhet në telefonin e ish-kreut të Policisë së Vlorës, Jael Çelës, person në kërkim tashmë, dërguar ish-ministrit Tahirit.
Pasi paraqet këto akuza, deputeti Alibeaj shtron pyetjen se “pse nuk arrestohet ish-ministri Tahiri?”.
“Prokuroria e Krimeve të Rënda ka të faktuartë paktën prej 4 muajsh se lidhja mes ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe trafikantëve të drogës, bandës së Habilajve, mbahej edhe nëpërmjet drejtorit të Policisë së Vlorës, Jael Çela, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në trafikun ndërkombëtar të drogës. PD disponon dokumente zyrtare që e provojnë këtë lidhje. Një vendim për masën e sigurisë ‘arrest me burg’, e vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda për dy oficerët e lartë të Policisë Jael Çela dhe Gjergj Kohila, Shef i Anti-drogës në Vlorë me akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, kultivim dhe trafikim të kanabisit. Dokumenti me 18 faqe është bazuar në të dhënat e antimafias italiane, e cila ka përgjime bisedash dhe shkëmbime mesazhesh mes Habilajve dhe drejtuesve të lartë të policisë së Vlorës, të cilët provohet se ishin garantët për mbjelljen dhe trafikun e kanabisit drejt Italisë.
Bisedat mes drejtuesve të bandës së Habilajve dhe drejtuesve të policisë së Vlorës provojnë se Policia e Shtetit, jo vetëm që ishte kthyer në roje të kanabisit drejt Italisë, por drejtori i Policisë Jael Çela ka dekonspiruar operacionet e SHISH për llogari të Habilajve, që vetë trafikantët në përgjime i quajnë ‘kusho të ministrit’, apo ‘ata që siguronin garancinë për kanabisin’. Të gjitha këto do t’i gjeni të zbardhura në mesazhet që i përkasin Jael Çelës, telefoni i të cilit është i vlefshëm për të provuar se pikërisht ai ishte pika e kontaktit me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, nëpërmjet shoferit të tij Gentian Ceka, dhe mikut të ministrit, Orest Sotës.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Jael Çela kishte komunikime telefonike me Artan Habilajn, i cili kishte në përdorim makinën e Tahirit, kishte komunikime me Gentian cekën, shoferin personal të Tahirit. Çdo shqiptar që i dëgjon këto fakte e ka të qartë se këto nuk janë lidhej rastësore, por që tregojnë se Tahiri ka qenë garancia politike për kultivimin dhe trafikun e kanabisit nga banda e Habilajve.
Ajo çfarë nuk ka kuptim për shqiptarët është pse për drejtorin e policisë së Vlorës Jael Çela ka tashmë një kërkesë për arrest me burg, dhe për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, që kontrollonte piramidën e drogës, nuk ka një të tillë, madje ka një mbrojtje politike të kryeministrit Rama. Për të mbrojtur me imunitet politik Saimir Tahirin, dhe nëpërmjet tij veten, Edi Rama është kthyer në pengesën kryesore për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha deputeti Alibeaj.