Deputeti i PD i përgjigjet Lu-së: Më gjykon elektorati im

606
Deputeti i PD-së, Tritan Shehu, ka reaguar pas fjalëve “kujdes me ato që thoni” të ambasadorit Donald Lu, pas shprehjes së bindjeve të demokratit për bindjet personale për homoseksualizmin. Deputeti Shehu shkruan: “ Deklaratë jo e përshtatshme e Ambasadorit Lu, ndaj bindjeve të mia personale për homoseksualizmin, në një konferencë të “pilotuar”: Unë si deputet i Kuvendit, si përfaqësues i Qendrës së Djathtë dhe i elektoratit të Qarkut të Gjirokastrës kam të drejtën time të shpreh edhe bindjet e principet e mia personale për të tilla çështje, kuptohet brenda ligjeve të vendit tim. Siç unë i respektoj bindjet e të tjerëve, kërkoj nga kushdo të respektojë edhe të miat, kjo është demokracia; sot jam shokuar! Është vetëm elektorati im, ai që mund të më gjykojë për ato. Prandaj, duke marrë shkas nga prononcimi Juaj Z.Ambasador i emrit tim, referimi që i bëtë elektoratit të Qarkut të Gjirokastrës për çështje thjesht bindjesh, dua ta risqaroj atë popullsi fisnike se unë jam kundër çdo forme diskriminimi si mjek, si Profesor, si deputet e në radhë të parë si Njeri, gjë që më ka shtyrë të jem edhe një nga promotorët e Ligjit Kundër Diskriminimit. Po kështu, për mua ka ca principe të Shenjta, një nga këto është mbrojtja e familjes, e përbërë nga burri, gruaja e me shpresë më tej fëmijët, si themel i ekzistencës njerëzore e i vlerave më sublime të shoqërisë. Nga ana tjetër, gjykoj se rritja e një fëmije të adoptuar nuk mund t’i besohet çifteve gay. Këto janë parimet që unë kam mbrojtur pa diskriminuar askënd, që janë të sanksionuara në legjislacionin shqiptar dhe që mbizotërojnë në elektoratin tim. Nëse dikush dyshon për këtë, mund ta testojë atë në çdo rast; jam gati ta ndihmoj. Nga sa di unë edhe në shumicën dërmuese të SHBA-se dominojnë të tilla principe e ligje. Ndërsa në lidhje me gjuhën e rëndë të përdorur ndaj kolegëve deputetë nga deputetja Hysi, si dhe për devijimin e asaj konference prej çështjeve të diskriminimit, tek propaganda për martesat gay, do të diskutoj në Kuvend.
Sigal