Deputeti i LSI, Çelaj:Midis dy forcave të mëdha qytetarët do zgjedhin LSI

56
Alma Çuka
Bën pjesë për herë të dytë në listën e kandidatëve për deputet në Qarkun e Vlorës. Flamur Çelaj ndodhet mes banorëve të Labërisë, pikërisht në Luginën e Lumit të Vlorës. I njeh më mirë se askush tjetër vështirësitë dhe nevojat e kësaj krahine, të cilat prej më se 20 vitesh kanë mbetur vetëm në fjalë. Është i bindur që me ndihmën e forcës së partisë ku aderon LSI, të bëjë për banorët e zonës ku është rritur më të mirën e mundshme. Në një intervistë për gazetën “Telegraf” deputeti Flamur Çelaj, flet për fushatën e nisur, problemet e hasura, punën që bën çdo ditë në terren. E ndërsa ndodhet në fushatë ai nuk qëndron jashtë situatës aktuale politike në të cilën është futur vendi. Kauzën e Partisë Demokratike për të cilën ndërtoi edhe çadrën e cilëson të drejtë, por nuk është dakord me kohën kur ajo nisi e mori jetë. Është i bindur se mes dy forcave të mëdha politike në vend duhet të ketë më shumë maturi dhe përgjegjshmëri. LSI për Flamur Çelaj është partia, e cila nga dita në ditë pëson rritje dhe ndodhet më pranë qytetarëve. Flet për sfidat e kësaj partie dhe për programin tejet të realizuar. Arsimi dhe bujqësia janë dy nga prioritetet kryesore të LSI. Të rinjtë e anëtarësuar në këtë parti për Flamur Çelajn, do ta sjellin atë në këto zgjedhje në një dimension tjetër. 
2- Jeni kandidat për deputet ne zonën e Labërisë. Cilat janë prioritetet kryesore që kjo zonë ka më shumë nevojë?
Lugina e Lumit të Vlorës nga unë kam origjinën është pjesë integrale e Krahinës së Labërisë , dhe natyrisht kjo më bën të ndihem krenar për vlerat historike dhe patriotike që ajo trevë ka treguar gjatë gjithë historisë ndër shekuj duke ndikuar në fatet e kombit në momentet më vendimtare . Por sot ajo krahinë po vuan pasojat më të rënda të neglizhencës së shtetit në gjithë këto vite tranzicioni, pasi aktualisht nuk ka asnjë parametër infrastrukturor rrugor i cili është tërësisht i amortizuar, shumica e fshatrave nuk kanë ujësjellës funksional prej më shumë se 20 vitesh, shumë shkolla fillore janë mbyllur dhe fëmijët e vegjël jo rrallë herë detyrohen të shkojnë në këmbë në shkollat e fshatrave të tjerë sepse nuk u ofrohet shërbimi i transportit që është detyrim minimal! Pra siç e shihni ka shumë çështje urgjente që duhet të zgjidhen. Përpara pak muajsh sapo mora mandatin e deputetit, kam pasur kënaqësinë tu njoftoj bashkëqytetarëve të mi, se do fillonte investimi i rëndësishëm i rrugës së lumit me vlerë 88 milion euro e cila do lehtësonte ndjeshëm problematikën e transportit që konsiderohet si çështja kryesore në listën e problemeve që kishte krahina dhe për të cilën spekulohej prej vitesh se do fillonte! E vërteta ishte se vetëm 72 orë pas njoftimit tim filluan punimet në terren dhe kjo tregoi seriozitetin dhe angazhimin tim si përfaqësues dinjitoz i atyre që më kishin besuar me votë dhe të forcës politike LSI që më kishte dhënë shansin të konkurroja nën siglën e saj.
3- Fushata tashmë ka nisur zyrtarisht. Kush janë avantazhet tuaja përballë kandidatëve të partive të tjera?
Si forcë politike LSI vjen me alternativën e saj, ka një filozofi dhe identitet që e dallon qartazi nga forcat e tjera politike. Qasja jonë në mënyrë objektive për zgjidhjen e tensioneve që prodhojnë ekstremet politike na bën të vetmen forcë politike të besueshme që mendon seriozisht për stabilitetin e vendit dhe qetësinë publike. Avantazh i ynë krahasuar me forcat e tjera është fryma rinore optimiste që vetëm LSI e ka.
4- A shihet në Vlorë LSI si forcë e parë?
Vlora ka qenë tradicionalisht vendi i përplasjeve të mëdha mes rrymave politike, gjatë gjithë historisë, por e dominuar përgjithësisht nga e majta. LSI vjen me synime të qarta për t’u konvertuar në një forcë fituese dhe për të qenë korrekt ne nuk i bëjmë llogaritë me të tjerët por veç me ngritjen e parametrave tona krahasuar me rezultatet e mëparshme. Në këto zgjedhje numri i votave që do marri alternativa jonë do rritet disa herë më shumë krahasuar me zgjedhjet e fundit dhe në këtë këndvështrim ne konsiderohemi forca e Parë, pasi asnjë forcë tjetër nuk mund ta ketë këtë trend rritje. Ne jemi të bindur se LSI do të dalë forcë e parë në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë, sepse qytetarët shqiptarë besojnë në filozofinë politike, për një politikë të thjeshtë, pranë qytetarëve dhe problemeve të tyre, për një politikë që kujdeset për njerëzit, që interesin e vendit e vë mbi çdo interes tjetër partiak.
5- Cilat janë pikat kyçe ku mbështetet programi juaj?
LSI po hyn në këto zgjedhje me një program serioz dhe me pika të qarta që dallojnë me çdo forcë tjetër politike. Programi ynë për arsimin do zgjidhë përfundimisht atë padrejtësi që është bërë ndaj të rinjve shqiptarë, të cilët kanë aspirata për të vazhduar studimet e larta dhe që aktualisht vuajnë prej një sistemi kaotik që ka prishur projektet e tyre për jetën. Programi ynë për bujqësinë do bëj të mundur subvencionimin e këtij sektori të rëndësishëm deri në 5-fishin e subvencionit aktual, duke i dhënë një ndihmesë të madhe fermerëve tanë . Me programin e saj, i cili për hir të së vërtetës është një program mjaft realist, LSI garanton punësim të qëndrueshëm dhe të mirëpaguar për qytetarët, sidomos për të rinjtë. Rinia duhet ta shohë të ardhmen në Shqipëri dhe ne duhet të bëjmë gjithçka në këtë drejtim.
6- Sa e favorizon LSI-në futja e vetme në këto zgjedhje?
Kjo mbetet për t’u parë, por ajo që vlen të theksohet është fakti, që forca jonë politike nuk ka frikë nga përballja për t’i provuar çdo skeptiku që, Ne jemi e vetmja forcë progresiste që mund të bëjë të mundur integrimin e vendit në BE. Nga gjitha sondazhet rezulton, se LSI ka ngritje cilësore dhe sasiore dhe se politika jonë ka përkrahje të gjerë popullore, kështu që hyrja e vetme në zgjedhje është më mirë për Ne.
7- Çfarë duhet të presin votuesit e zonës ku ju kandidoni, nëse japin votën për LSI?
Siç ju thashë edhe më lart, unë jam aktualisht deputet i Vlorës dhe performanca ime në një kohë të shkurtër është e mjaftueshme për të bërë dallimin midis meje dhe kolegëve të tjerë në planin individual si kandidat. Nga ky këndvështrim unë e kam marrë certifikatën e cilësisë prej tyre, pasi rezultatet e punës time kanë qenë të larta, të dukshme dhe të prekshme për raste konkrete që kanë ndikuar ndjeshëm në cilësinë e jetës së qytetareve, biznesit dhe opinionit publik në përgjithësi. Kurse si forca Politike besoj se, LSI ka një performancë dukshëm më të mirë çdo Forum tjetër, sepse është një forcë politike që shqiptarët e njohin si Partia e Fjalës së Mbajtur.
8- Jemi përballë faktit që opozita tashmë është jashtë listës së zgjedhjeve. Mendoni se votat e së djathtës do shkojnë për LSI?
Ndjej keqardhje për këtë situatë politike të krijuar por ky është realiteti që po jetojmë. Unë besoj fort, se të gjithë ata qytetarë që mendojnë djathtas dhe që do të donin të shprehnin indinjatën e tyre me votë ndaj arrogancës, me siguri do votojnë vetëm LSI, pasi aty kanë parë një politikë ndryshe nga ajo e 2 ekstremeve politike.
9- Ndërkohë a keni një opinion lidhur me situatën aktuale dhe me fatin e zgjedhjeve të 18 qershorit. Sa mund të jenë shanset që këto zgjedhje të anulohen sikundër u bë për Kavajën?
Nuk mund të qëndroj pa vlerësuar momentet e reflektimit pozitiv të Kryeministrit Rama, siç ishte anulimi i zgjedhjeve në Kavajë, sinqerisht e përshëndes si zgjidhjen më të mirë për uljen e tensionit i cili do kishte kulmuar pikërisht në ditën e zgjedhjeve dhe do kishte sjellë destabilizim për gjithë vendin. Është shumë e rëndësishme që të tregohet maturi dhe përgjegjshmëri politike dhe palët të uleshin në tryezë edhe për zgjedhjet e 18 Qershorit, për të treguar pjekuri politike dhe për të evituar tensionet që parashikohen natyrshëm kur zgjedhjet bëhen nën perden e dyshimit dhe histerisë.
10- Cili është këndvështrimi juaj për qëndrimin e Partisë Demokratike?
Personalisht kam qasje të majta të qendrës së majtë ose demokracisë sociale dhe në kushte normale do fokusohesha tek mosdakortësitë e mia politike me partinë Demokratike, por në këto moment debati që po ngre kjo parti nuk ka të bëj me programet politike por me çështjen e sigurisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Në 25 vitet e tranzicionit nuk janë regjistruar asnjëherë zgjedhje të pakontestuara , pasi ato nuk janë konsideruar asnjëherë të lira të ndershme dhe të gjithë pranuara . Sot tema e debatit është pikërisht shkuarja në zgjedhje që prodhojnë rezultat të painfluencuar nga pushteti, korrupsioni, shit-blerja e votës po nga narko-trafiku. Në këtë pikë argumentet e Partisë Demokratike duket se kërkojnë vullnetin e politikës për zgjidhjen definitive të këtij problemi madhor, por koha në të cilën është ngritur kjo çështje përplaset në planin e afateve ligjore të përcaktuara nga Kushtetuta për zhvillimin e zgjedhjeve.
11- A është kauza e tyre realisht ajo për të cilën të djathtët duhet të mohojnë këto zgjedhje?
Nuk e kam të qartë se cilës kauze i referoheni por kam parë që Partia Demokratike ka ngritur çështjen e dekriminalizimit dhe ka pasur të drejtë, pasi duket qartë që po merren masat e duhura për pastrimin e institucioneve nga kontingjenti kriminal që kishte arritur të depërtonte deri atje ku bëhen ligjet duke bërë që të humbet kredibiliteti i shtetit në përgjithësi. Një tjetër akuzë është ajo e problemit të hashashit në vend, problem ky shumë i madh për vendin të këto momente. Por megjithatë opozita duhet të tregohet më e arsyeshme dhe t’i lërë ultimatumet. LSI e ka mbështetur PD-në sa herë ka pasur të drejtë, megjithatë kjo situatë politike në të cilën është futur vendi kërkon më shumë maturi nga forcat politike dhe duhet lënë mënjanë arroganca dhe ultimatumet. 
12- Rrezikon vendi të shkojë drejt destabilizimit, tashmë që PD është jashtë listës së zgjedhjeve dhe lidershipi i saj ka bërë jo pak herë thirrje për mosbindje civile?
Sigurisht që qëndrimet e Partisë Demokratike janë të qarta dhe vlejnë të merren në konsideratë për aq kohë sa ata e deklarojnë në ligjëratë të drejtë mospjesmarrjen, bëjnë thirrje për mos bindje që në perceptimin tim si anëtar i komisionit të sigurisë kombëtare do të thotë rrugë drejtë destabilizimit të vendit dhe ndërprerjes së rrugës së mundimshme të integrimit në Bashkimin Evropian. Përfitoj nga rasti i kësaj interviste të shpreh mendimin tim se vendi ka më shumë se kurrë nevojë për një tryezë politike ku të zënë vend mendimi i pjekur dhe planet afatgjata për stabilizimin e vendit dhe rrugëtimin e sigurt drejtë familjes së madhe Evropiane.