Deputeti gjerman këmbëngul: Qëndrimi i Ramës është absurd, Merkel ju mbështet vetëm po pranuam ne

445
Sigal

Vizita e deputetit të Bundestagut gjerman në Tiranë, Gunther Krichbaum ditën e enjte dhe 7 kërkesat e listuara në një letër që ai paraqiti qeverisë shqiptare, si kushte për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE erdhën si “rrufe në qiell të hapur” për qeverinë shqiptare, e cila në dhjetor pret çeljen e negociatave të anëtarësimit. Deputetë të majtë, por edhe kryeministri Edi Rama, u shprehën në bllok se Krichbaum nuk përfaqëson qeverinë gjermane, por thjesht ka shprehur disa qëndrime personale. Madje, një ditë para se të nisej për në Berlin, kreu i qeverisë Edi Rama iu drejtua me një video­regjistrim në “Facebook” qytetarëve shqiptarë ku shprehej se deputeti gjerman, Gunther Krichbaum kishte folur me kokën e tij dhe se nuk kishte mandat nga grupi parlamentar i CDU/CSU­-së, i partisë së kancelares Merkel.

Rama tha se ai kishte lexuar fletërrufetë e kreut të opozitës, Lulzim Basha. Por në një intervistë për gazetën “Shekulli” dhënë disa orë para se kryeministri Rama të takohej ditën e hënë me kancelarin Merkel, ligjvënësi gjerman sqaron pozicionin e tij. Ai i ka cilësuar akuza absurde ato të kreut të qeverisë shqiptare, ndërsa përplasjen politike që shkaktoi mesazhi i tij në Tiranë, Krichbaum e quan një lojë partiako­politike që nuk ka nge të merret. Krichbaum, kryetari i Komisionit Parlamentar për Çështjet Europiane në Bundestag, thekson se në Shqipëri erdhi si përfaqësues i qeverisë federale gjermane dhe deputet i grupit parlamentar CDU/CSU. Shtatë kushtet që vendi ynë duhet të përmbushë para se të çelen negociatat me Brukselin, sipas deputetit gjerman janë po të njëjtat kërkesa që Komisioni Europian i ka paraqitur prej kohësh në progresraportet për Shqipërinë. Qëndrimin e Merkelit gjatë takimit konferencës së përbashkët me Ramën në Berlin ditën e hënë, Krichbaum e paralajmëroi duke thënë se kancelarja do të mbante thuajse të njëjtin qëndrim, ndërsa politikës shqiptare i sugjeron të mbetet e bashkuar në një proces të tillë.

Vizita juaj në Tiranë nxiti një përplasje serioze mes opozitën dhe qeverisë shqiptare, duke shmangur kështu mesazhin që ju dhatë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Si e komentoni këtë?

Ne duam që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Në këtë rrugëtim, Shqipëria ka bërë tashmë progres të rëndësishëm. Megjithatë, disa reforma të rëndësishme ende nuk janë trajtuar, me qëllim hapjen e kapitujve të parë e si pasojë çeljen e negociatave të anëtarësimit. Si përfaqësues i CDU/ CSU­së në Bundestagun gjerman, ne i japim rëndësi të madhe jo vetëm ndërmarrjes së reformave, por edhe zbatimit të saj. Kjo është veçanërisht e vërtetë në lidhje me reformën në drejtësi, e cila gjithashtu përfshin edhe verifikimin (Vetting­un) e ish­gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në mënyrë që procesi i anëtarësimit të jetë transparent, ne si fraksion i CDU/CSU­-së kemi paraqitur pritshmëritë tona në një letër prej 7 pikash. Në një takim përpara konferencës për mediat, unë ia prezantova këtë letër kryeministrit.

Qeveria shqiptare tha se nuk keni prezantuar qeverinë gjermane, por gjithsesi keni shprehur vetëm disa opinione personale të ndikuara nga opozita shqiptare. Është kjo e vërtetë?

Siç e kam theksuar disa herë gjatë konferencës për mediat unë, si parlamentar, flas në emër të grupit CDU/CSU, i cili është grupi më i madh në Bundestagun gjerman. Bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve, vetëm qeveria federale mund të flasë në emër të vet. Sipas ligjit gjerman, qeveria federale mund të bjerë dakord për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, vetëm pasi Bundestagu i ka dhënë dritën e gjelbër. Prandaj, vota jonë është një parakusht për një vendim të qeverisë federale për hapjen e negociatave për anëtarësim. Dhe kjo kërkon miratimin e grupimit tim, CDU/ CSU. Ne e vëmë theksin në zbatimin e reformave sepse përfituesit e vërtetë janë qytetarët e vendit tuaj. Në këtë vlerësim, qeveria dhe opozita janë relativisht indiferent për ne. Pretendimi se unë dua të mbështes forcat opozitare për këtë arsye është absurd. Konkretisht, ne do të mbështetemi në përmbushjen e këtyre shtatë pikave në çdo rast, edhe në qoftë se në Shqipëri është një tjetër kryeministër i një tjetër partie. Për më tepër, pothuajse, çdo gjë e shënuar në letrën tonë prej shtatë pikash ka qenë gjithashtu e kërkuar nga Komisioni i Europian në raportet e tij të progresit për një kohë të gjatë. Kjo tregon se sa absurde është akuza që shtatë pikat tona ishin të ndikuara nga opozita.

Është e vërtetë që ju jeni takuar me kreun e opozitës shqiptare, Lulzim Basha, përpara se ju të mbërrinit në Tiranë. Të paktën kështu tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama?

Ky pohim është thjesht absurd. Është e vërtetë që Komiteti për Çështjet Europiane i Bundestagut gjerman u takua me ministrin e Jashtëm Bushati në Berlin disa ditë para vizitës time në Tiranë. Kur vizitova Shqipërinë, unë takova kryeministrin Rama dhe ministrin e Jashtëm Bushati, atëherë unë dhashë një konferencë gjithëpërfshirëse për mediat, të cilën mund ta ndjekin të gjithë dhe që e kam botuar në ueb­faqen time. Vetëm pas kësaj, unë u takova me liderin e opozitës, zotin Basha, për të theksuar edhe një herë se procesi i afrimit në Bashkimin Europian mund të arrihet vetëm me bashkëpunimin e të gjitha forcave politike. Për lojëra partiake­politike nuk kam nge dhe kohë të lirë. Prandaj, edhe një herë në një gjuhë të thjeshtë: reforma e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, lufta kundër drogës, reforma zgjedhore dhe dekriminalizimi janë të ashtuquajturat “kërkesat kryesore” të Komisionit të BE-­së. Ne këmbëngulin në plotësimin e këtyre kërkesave, sepse popullsia është duke e pritur këtë prej nesh, evropianëve.

Pra ju thoni që kancelaria Angela Merkel do të mbajë të njëjtin qëndrim si tuajin për këtë çështje, në takimin e saj të ardhshëm me Edi Ramën më 28 nëntor?

Edhe një herë, unë flas për shumicën parlamentare në Bundestagun gjerman. Nga ana tjetër, unë e kam të vështirë të mund të imagjinoj se Angela Merkel, si anëtare e grupit parlamentar të CDU/CSU­së, të ketë një këndvështrim të ndryshëm.

Në fund, një sugjerim për politikën shqiptare sipas pikëpamjes suaj për realizimin e integrimit në BE dhe jo vetëm?

Është e rëndësishme tani, siç e kam theksuar edhe para konferencës për mediat, që të gjitha partitë politike dhe forcat socio­politike të qëndrojnë së bashku në mënyrë që të arrijnë sa më shpejt afrimin me BE­në. Unë e theksova këtë disa herë gjatë konferencës për media.

Kërkesat/ 7 prioritetet e listuara nga deputeti Krichbaum

Kushti i dytë ka të bëjë me reformën në drejtësi. Gjermania kërkon që ajo të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë me qëllim forcimin tërësor të nivelit të profesionalizmit dhe integritetit dhe që Vetting­u të kryhet sipas parimeve të dhëna nga Komisioni Europian. Kushti i tretë është për luftën kundër korrupsionit. Në emër të CSU/CDU, Krichbaum kërkoi që SPAK të jetë e pavarur nga kontrolli dhe ndikimi i politikës dhe duhet të shënojë arritje të konsiderueshme. Është veçanërisht e nevojshme që në rastet e korrupsionit të funksionarëve të lartë të jenë ngritur paditë penale dhe të jenë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë. Kushti i katërt ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit dhe lufta kundër drogës. Gjermania kërkon rritje të dënimeve dhe të forcohen dukshëm përpjekjet kundër krimit dhe drogës dhe duhet të shënohen suksese të prekshme. Kushti i pestë ka të bëjë me të drejtat e njeriut dhe Shqipëria duhet ende të përmbushë pikat që përmend raport progresi i Komisionit Europian. Kushti i gjashtë ka të bëjë me përmbushjen e rekomandimeve të OSBE/ ODIHR dhe zbatimin e tyre deri në zgjedhjet e 2017 dhe këto zgjedhje duhet të përmbushin standardet europiane. Kushti i shtatë është dekriminalizimi. Gjermania kërkon që ky ligj të zbatohet ën mënyrë të qëndrueshme dhe të plotë. /Shekulli/