Deputeti Damian Gjiknuri, ftesë në Konventën e Demokratëve

461
Sigal

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, z.Gjiknuri do të jetë në studion e “Zërit të Amerikës”, ku do të shpalosë situatën aktuale në Shqipëri

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri është  ftuar të marrë pjesë në Forumin e Liderëve Botëror që zhvillohet me rastin e Konventës së Demokratëve që mbahet në Sharlot, Karolina e Veriut në datat 3-6 shtator. Ftesa është bërë nga Bordi i Drejtuesve të Institutit Kombëtar Demokrat, që kryesohet nga ish-sekretarja e shtetit Madalen Ollbrajt. Në këtë aktivitet që zhvillohet në kuadrin e Konventës  marrin pjesë personalitete të njohura politike dhe  diplomacisë, mes të cilëve ish- presidenti Bill Klinton, ish- sekretarja Ollbrajt, Senatori John Kerry, Nensy Pallosi etj.. Pjesëmarrës në këtë aktivitet që është i një rëndësie të veçantë dhe të nivelit botëror janë edhe anëtarë të kongresit amerikan,  si dhe politikanë të shquar të mbi 100 shteteve të botës. Gjatë javës së konventës, NDI ( Institutit  Kombëtar  Demokrat ) do të mbahen  kumtesa të veçanta për vizitorët ndërkombëtarë. Pjesëmarrësit do të marrin  pjesë në mëngjes dhe pasdite  në seminare mbi politikën amerikane, çështjet e brendshme politike, dhe çështjet e politikës së jashtme që përcaktojnë zgjedhjet presidenciale. Këto kumtesa bi-partizane si dhe  diskutimet në  panel do të udhëhiqen nga udhëheqësit demokratë dhe republikanë, anëtarë të Kongresit si dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë, gazetarë dhe  opinionistë. E veçanta për deputetin socialist njëkohësisht edhe Sekretarin për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri është se pas konventës ai do të udhëtojë drejt Uashingtonit, ku do  të ketë disa takime shumë të rëndësishme me zyrtarë të nivelit të lartë në SHBA. Pas Konventës së Demokratëve që mbahet në Karolinën e Veriut, z. Gjiknuri pritet të udhëtojë në  Uashington DC për të zhvilluar takime me  zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Mbrojtjes. Në këto takime do të diskutohet për çështjet më të mprehta të politikës në vend, gjë që duket edhe nga përfshirja  në axhendën e takimeve. Ajo që bie në sy është se z.Damian Gjiknuri është ftuar në  tre nga departamentet  më të rëndësishme të Administratës Amerikane dhe që lidhen  direkt me disa nga çështjet më aktuale për të cilat SHBA, tregon interes në vend, siç janë  demokracia, drejtësia,  mbrojtja, zgjedhjet e lira dhe aq shumë të kontestuara në vitet e fundit në vendin tonë. Burime nga Nju Jorku bëjnë me dije për “Telegraf” se, deputeti njëkohësisht edhe Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri do të jetë i ftuar ditën e shtunë në studion e “Zërit të Amerikës”, ku do të shpalosë mbresat nga takimet, situatën aktuale në Shqipëri dhe vizionin e socialistëve për këtë vit elektoral.