Deputeti aksioner, merr 10 milionë lekë

198

Jakup B. GJOÇA

Dështojnë të ardhurat me 5 miliardë lekë. Braçe: Deputeti aksioner merr 10 milionë lekë!

Qeveria shkurton buxhetin e bujqësisë dhe investimet e infrastrukturës. Agron Duka për “Telegraf”: Qeveria braktisi fermerët

Megjithëse të dhënat nuk publikohen, por mbahen në sirtarët e ministrisë së Financës, është fakt që nuk janë realizuar të ardhurat e parashikuara në Buxhetin e Shtetit për 8-mujorin e 2018-s. Shifra është shumë alarmante. Mungojnë 5 miliardë lekë nga të ardhurat. Dështimi i të ardhurave më shumë ka ardhur për shkak se 33 biznese falimentojnë çdo ditë, por “gropa” e të ardhurave është e madhe edhe nga mosrealizimi i të ardhurave nga doganat.

Qeveria rishikon Buxhetin me VKM, duke shkurtuar fondet për bujqësinë dhe infrastrukturën

Qeveria, për të mbuluar sadopak “gropën” e hapur nga mosrealizimi i të ardhurave, mundohet të arnojë Buxhetin e Shtetit me VKM, duke shkurtuar fonde në sektorët, që qeveria mendon se i bëjnë më pak dëm, sikurse është bujqësia dhe infrastruktura, edhe pse kryeministri Rama ka propaganduar me të madhe shumë projekte 3D të ndërtimit të rrugëve. Kështu dje, Komisioni i Ekonomisë ka miratuar aktin normativ, i cili ul me 3.5 mld të ardhurat, si rezultat i zhvlerësimit të euros, ndërkohë që efekti në 8 muaj llogaritet 5 mld lekë më pak.

Braçe replikon me ministrin: Nuk kuptoj pse nuk shpërndahen fondet?

Kreu i komisionit Erjon Braçe është munduar të kërkojë llogari ndaj ministrit të Financave Arben Ahmetaj, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh për shkurtimet e fondeve për rrugët, bujqësinë por edhe për institucionin e vettingut.

Braçe: Nuk e kuptoj këtë historinë e ministrisë së Transportit, në atë territor që unë punoj janë pa mirëmbajtje që nga data 1 janar i këtij viti. Kanë 8 muaj pa mirëmbajtje. Ka vajtur ferra dhe është bërë 1 metër e gjysmë në çdo anë, nuk po flasim për kanale e gropa. Si ka rënë dakord që të ulë paratë, kur këto rrugë janë pa mirëmbajtje, çfarë efektiviteti qenka ky i përforcimit të parasë publike, kur për 8 muaj nuk bëhet tenderi?

Braçe: Pse ka vonesa në dhënien e fondeve? Unë po ju marr një shembull, që Jugu i vendit ka pasur një situatë jo të zakonshme me shirat, që kanë dëmtuar kanalet kulluese, si ka mundësi që ministria ul fondet për drejtoritë e bujqësisë?

Ministri i Financave: Në mosrealizimin e të ardhurave fajin e ka zhvlerësimi i euros

Ministri i Financave Ahmetaj pohoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë se ekonomia zhvillohet me ritën të lartë, pavarësisht borxhit të madh të mosrealizimit të të ardhurave deri në 8-mujorin e 2018-s. Ministri Ahmetaj pohoi: Investimet u rritën me 5.43 %. Por një pyetje mbeti pa përgjigje: Si ka mundësi që ekonomia të zhvillohet, investimet të rriten me 5, 43 %, ndërsa borxhi i të ardhurave të jetë 5 miliardë lekë? Por për Ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, nuk ka shkurtim, por vetëm rishpërndarje të fondeve të papërdorura. Ahmetaj: Ka rënë dakord çdo Ministër me Ministrin e Financave dhe pastaj me Kryeministrin për të gjitha rialokimet, për shkak të performancës, ecurisë 7-mujore, parashikimit të tyre në përputhje me parashikimin tonë. Zhvlerësimi i euros përgjatë këtij viti duket se ka shtuar efektet negative në të ardhurat e buxhetit. Sipas Ministrit Arben Ahmetaj në 8 muaj ndikimi përllogaritet rreth 5 mld lekë.

Fushatë elektorale? Qeveria shpërndan shpërblime për pensionistët

Nga rishikimi i buxhetit përfitojnë pensionistët të cilët do të marrin 5 mijë lekë shpërblim për fundvit por shkurtohen fondet për vettingun, rrugët dhe bujqësinë. Kreu i komisionit të Ekonomisë Erion Braçe, ngriti si shqetësim këto ndryshime por për kreun e Financave ndryshimet janë bërë vetëm për atë pjesë të fondeve të papërdorura. Rishikimi i buxhetit 2018 i siguron pensionistëve një shpërblim prej 5 mijë lekësh. Kjo mund të jetë edhe një fillim i fushatës elektorale nga ana e qeverisë, kur dihet që në qershor 2019 do të kemi zgjedhjet vendore. Ndoshta shkurtimi i fondeve nga bujqësia dhe infrastruktura do të përdoren për shpërblime të pensionistëve në fundviti.

Revoltohet Braçe: Deputeti aksioner merr 10 mln lekë, Pensionistëve u premtuam 70-10 mijë lekë

Kreu i komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Erion Braçe i ka kujtuar ministrit Arben Ahmetaj premtimin e maxhorancës se shpërblimi për pensionistët në fundvit do shkojë deri në 10 mijë lekë të reja. Gjatë raportimit të Ahmetajt te Ekonomia, Braçe tha se një deputet merr 10 mln lekë si aksioner, ndërsa diskutimi për pensionistët bëhet për 50 mijë lekë të vjetra.

Luftë pabarazisë! Është e paimagjinueshme që një deputet si aksioner të marrë 10 milionë lekë, ndërsa ne këtu flasim për 50 mijë lekë. Kemi premtuar 7-10 mije lekë.

Nuk preken fondet e koncesioneve dhe tenderëve

Ndonëse të ardhurat e 8-mujorit të 2018-s dështuan në 5 miliardë lekë, (të paktën kjo shifër e pranuar nga ministri i Financave) dhe deri në fund të vitit ka mundësi që “gropa” e të ardhurave të dyfishohet, qeveria nuk ka prekur aspak fondin e pagimit të tenderëve dhe të koncesioneve. Madje, qeveria nuk ka bërë asnjë studim, asnjë analizë për mbarëvajtjen e tenderëve dhe koncesioneve, nëse janë zbatuar kontratat nga ana e tyre, por qeveria përkujdeset që të paguajë pa vonesë çdo qindarkë për koncesionarët.

Reagimi/ Flet për gazetën “Telegraf”

Agron Duka, kryetar PAA: Qeveria po denigron Bujqësinë, duke i shkurtuar fondet vazhdimisht

Ky nuk është reagimi i parë i Partisë Agrare Ambientaliste mbi uljen e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë; kemi denoncuar qysh prej muajt të shkuar këtë ndëshkim që po i bëhet këtij sektori, që prej kohësh është një nga më pak të mbështeturit nga Buxheti i Shtetit. Shqetësimi ynë nuk është pasojë e zgjedhjes që qeveria ka bërë për këtë vit, por sidomos i atyre në vijim. Për vitin e ardhshëm financimi për bujqësinë do të ulet në 0.53 % e prodhimit kombëtar, ndërsa në vitin 2021 ai do të zbresë edhe në 0.48 për qind e PBB-së. Në këndvështrimin e PAA-së kjo është pabesi ndaj sektorit që siguron pjesën më të madhe të punësimit në shkallë kombëtare; dhe jep një kontribut rreth 20 % të PBB-së. Me këtë impakt pozitiv që ka për ekonominë tonë, bujqësia do të meritonte fonde në lartësinë e shteteve fqinjë si Maqedonia dhe Kosova; fermerët e të cilëve konkurrojnë tanët pikërisht për shkak të vizioneve dhe mbështetjes së ndryshme që ky sektor gëzon në këto vende. Personalisht jam i bindur që në “thesin” e madh të Buxhetit të Shtetit ka mjaft zëra që do të meritonin shkurtimin, apo uljen, megjithatë të nisësh një proces shkurtimesh nga bujqësia, do të thotë se nuk po mendon për të ardhmen e vendit, por vetëm për mbijetesën politike afatshkurtër të qeverisë.