Deputetët, sherr me ministrat për emërimet

483
Deri në fund të muajit shkurt, duhet të ketë përfunduar “tenderi”dhe seleksionimi i të gjitha listave emërore dhe figurave që do të zëvendësojnë në detyra të ndryshme ata që janë emëruar “gabimisht” pas 23 qershorit 2013, por që në fakt janë edhe shumë të përfolur. Lufta klanore, e cila ka mbërthyer prej disa muajsh degët e PS në rrethet e mëdha dhe së fundi edhe në ato të vogla, ka detyruar kryesinë qendrore të kësaj partie të ndryshojë taktikën e emërimeve. Si shkak do të përdoret “tkurrja e bazës, ankesat, denoncimet, ndarja e gabuar e pushteteve dhe posteve drejtuese në rrethe, pakënaqësitë e militantëve, anëtarësisë, kryesisë së degëve, por edhe e deputetëve”. Të gjitha këto fenomene negative që rrjedhin nga keqpërdorimi pushtetit, kanë detyruar kryesinë qendrore të vendosë rregulla të reja dhe të përmbysë gjithçka lidhur me emërimet e reja. Asnjë prej drejtuesve të emëruar dhe përzgjedhur që ushtrojnë funksionin e tyre, nuk do të riemërohet, ndërsa asnjeri nga të rinjtë nuk do t’i shpëtojë “tenderit” të hapur për përzgjedhjen e re, kësaj here nga vetë ministrat. Ndërkohë atyre që kanë pasur nga baza kontestime, akuza dhe që i janë vërtetuar shkelje ligjore dhe abuzimet, do të gjendet një mënyrë e re rehabilitimi. Fakti është se deri tani në rrethet kryesore, PS ka fituar nga zgjedhjet e fundit vendore më pak poste se LSI, por duke parë afrimin edhe të PDIU dhe FRD, ndoshta ky raport ka gjasa të thellohet. Njerëzit e besuar të këtyre partive të vogla kanë nisur të marrin poste edhe në bashkitë e reja. Në Elbasan, Durrës, Korçë, Shkodër e Korçë, PS e këtyre rretheve kanë kontestimet e tyre lidhur me emërimet e bëra, por edhe me praktikat dhe harresat e punësimit të militantëve. Janë qindra e mijëra ankesa në rrethe nga anëtarë dhe militantë të majtë të larguar nga puna gjatë 8 viteve të qeverisjes së PD, që presin dhe u luten prej 3 vitesh drejtuesve dhe deputetëve të zonave për t’u sistemuar e punësuar. Neglizhenca me të cilën punohet për punësimin (jo vetëm të militantëve socialistë) i ka bërë qytetarët pesimistë dhe të votuarit e majtë edhe më rebelë. Rrethet mbajnë një peshë jo të vogël, të numrit të përgjithshëm, të papunësisë, ndërkohë që qeveritarët lokalë premtojnë hapjen e vendeve të reja të punës. 
Qytetet që janë kampionë të papunësisë
Elbasani mbetet kampion dhe ka aktualisht mbi 37 mijë të papunë, Durrësi mbi 17 mijë të tillë, po ashtu edhe Shkodra e Korça, të cilët pas falimentimit të qindra bizneseve as që kanë shansin të gjejnë një vend pune. Ndërkohë Drejtoritë e Punësimit patën dyndje javët e para të hapjes së tyre në rrethe, pasi qytetarët tashmë e kanë humbur besimin. Ata shpresonin se do të gjenin oferta nga firmat apo subjektet për zanate, kurse atje tashmë gjithçka ka mbetur në heshtje. Askush nuk troket as për të marrë informacion në sportele. Papunësia ka pësuar rritje, ndërkohë që Drejtoritë e Punësimit pothuajse çdo javë ngjisin njoftime për “prurje të reja” nga kompani ndërtuese, prodhuese etj. Por duke u kthyer tek problemi i drejtuesve, mësohet se nga fundi i shkurtit pritet tenderi i hapur, ku ndër kriteret kryesore që duhet të plotësojnë drejtuesit e rinj,mbeten arsimimi, pastërtia e figurës, aftësia profesionale, etj. Nga eksperienca e deritanishme dihet se emërimet e bëra janë bërë në kundërshtim me ligjin, kriteret dhe shpesh edhe dëshirat e deputetëve të zonave zgjedhore. Drejtuesve të rinj u duhet të bëjnë “mik” ministrin për të siguruar vendin e punës. Fakti është se, drejtuesit e rinj në pothuajse të gjithë rrethet janë njerëzit më të përfolur, madje ata kanë nisur të akuzohen nga qytetarët, por edhe militantët e partive . Realisht është konstatuar se posti i konsumoi shpejt të emëruarit e 23 qershorit 2013, të cilët mund të gjejnë “strehë”në skutat e errëta të ndonjë institucioni parazit. Roli i ministrave si tenderues mbetet ndoshta guri i fundit për të rindërtuar imazhin e keq të këtij kabineti qeveritar të krijuar edhe me emërimet e pafundme nepotike dhe skandaloze edhe në rrethe, ku mbi të gjitha shkeljet dhe abuzimet, më kryesorja mbetet mungesa e ndëshkimit ligjor të atyre që jo drejtuan, por shkatërruan në këto 3 vjet institucionet në të gjitha rrethet e vendit.
Sigal