Deputetët me dosje, shpresa e ambasadorëve për votimin e Reformës

503

Engjëll Musai
Drejtor i “Telegraf”


Miratimi i Reformës në Drejtësi po mban peng integrimin e vendit, pasi kjo reformë është një nga 5 kushtet bazë të vendosura nga BE, më 24 qershor 2014, kur Shqipërisë ju dha statusi i vendit kandidat. Por kush janë pesë kushtet bazë që mbajnë peng integrimin e plotë të vendit dhe që mbajnë të mbyllur portën për në BE? Perse nuk zbatohen dhe miratohen këto kushte? Cili është roli i politikës vendase dhe sa e sinqertë është politika me shoqi-shoqin dhe me qytetarët e vetë?! Pikërisht këto pyetje duan përgjigje dhe ne po e fillojmë me 5 kushtet e vendosura nga BE dhe të konsideruara si të panegociueshme dhe të detyrueshme për futjen e vendit në BE. 
1-Reforma Administrative, 
2- Lufta kundër Korrupsionit, 
3- Lufta kundër krimit (kalimi i ligjit për dekriminalizimin, Byroja Hetimore etj.), 
4- Pavarësia e Gjyqësorit (Reforma në Drejtësi), 
5- Të drejtat e njeriut, prona, liria e shtypit, integrimi i të përndjekurve, minoritetet, LGPT etj. 

Deri më tani, e vetmja pikë që ka kaluar dhe kjo në mënyrë të njëanshme është reforma administrative nëpërmjet ndarjes territoriale, por që edhe kjo ka mbetur e pa implementuar në fushat e tjera të saj dhe qytetarët ndjejnë mungesën e kujdesit dhe organizimit në zonat e bashkuara, ku kryebashkiakët janë shumë larg zonave në nevojë. Ndërsa Ligji për dekriminalizimin ka mbetur i pazbatueshëm, megjithëse një pjesë e mirë e deputetëve dhe kryebashkiakëve janë me precedentë penalë dhe të dënuar në shtetet e huaja më burg ose dëbime për shkak të veprimtarive kriminale apo akteve rrugaçërore dhe përdhunimeve. Por le t’i kthehemi situatës më të fundit në vend, ku partitë politike po përballen me njëra- tjetrën në lidhje me uzurpimin e drejtësisë, por që në gjuhën e përditshme dhe të moderuar quhet “Reforma në Drejtësi”. Sigurisht që ka shumë mëdyshje nëse duhet të quhet “Reforma në Drejtësisë” sikurse e pëlqejnë politikanët, apo “Reformim i Drejtësisë” sikurse e kërkojnë qytetarët. Padyshim që të dyja kanë vlerë, ku njëra i shërben politikanëve për interesat e tyre personale dhe kriminale, pasi do të përdoret si “gjueti shtrigash” dhe tjetra për njerëzit hallexhinj që mbetën dyerve të gjykatave, që po goditen barbarisht nga krimi dhe korrupsioni, që po dhunohen nga shteti, që po përgjohen në mënyre antikushtetuese dhe antiligjore, po përdhunohen nga krimi, po grabiten në mes të ditës dhe në zemrën më të sigurtë, sikurse është aeroporti etj., etj. Nuk e di, se si do ndihej ambasadorja e dështuar e BE, në Tiranë pas këtyre marrëzive dhe se do vazhdonte ta përkrahte apo mbështeste orgjinë politike të zyrtarëve të “Rilindjes”?!

 Nuk e di, se sa të sinqertë janë ‘Rilindasit’ e Shqipërisë përballë SHBA-ve dhe porosive të zyrtarëve të DASH, BE, Kongresit Amerikan, Bundestagut Gjerman, Parlamentit Europian, Eurodeputetëve dhe reporterëve të saj për Shqipërinë. Reforma në Drejtësi ka rëndësi jo thjesht për pranimin e Shqipërisë në familjen europiane, por ajo duhet kuptuar si një vlerë e rëndësishme për qytetarinë, drejtësinë e munguar dhe për të mirën e kombit tonë. Nga kjo drejtësi do të ketë më shumë siguri, më pak vjedhje, më shumë investime, më shumë turistë dhe të ardhura prej tij, një shëndetësi më e mirë, ujë dhe drita pa kufizim dhe një minimum i garantuar jetik për qytetarët tanë më të varfrit e Europës. Nëse reforma në drejtësi kuptohet si një diçka formale dhe si një kërkesë për të kapërcyer pragun e derës së blinduar europiane gabohemi rëndë. Dhe këtë gjë më shumë se kushdo duhet ta kuptojnë vetë qytetarët shqiptarë dhe pas tyre edhe ambasadorët e vendeve të qytetëruara të akredituara në Tiranë. Këtë gjë duhet ta dijë mirë edhe Romana Vlahutin, e cila është kthyer në një shërbëtore të verbër të “Rilindjes” dhe se morali i saj nuk e ka tagrin që t’i kërkojë institucioneve të pavarura të drejtësisë që të sillen si në diktaturat e tipit Putin, Erdogan apo Kim Jong Un i Koresë së Veriut. 


Ju zonja Vlahutin duhet të largoheni urgjentisht nga Tirana, pasi jeni personi më i padëshirueshëm dhe “non grata”, pasi jeni kthyer në një vegël qorre e rilindasve që po grabisin shtetin dhe qytetarët çdo ditë, që po abuzojnë me fondet e BE dhe taksapaguesve europianë, që nuk po përfundon asnjë investim, që po vriten njerëz dhe asnjë nuk po zbulohet, që parlamenti dhe bashkitë janë mbushur me kriminelë, skafistë, trafikantë droge, prostitucioni dhe shkaktarë është vetë kreu i “Rilindjes” që ti e ke aq për zemër (arsyen e di ti), ndërkohë që ata që kanë firmosur dhe caktuar këta persona sot duhet të ndëshkohen për këtë shpërdorim të pastër dhe të qëllimshëm të pushtetit të qytetarëve. Nga ana tjetër edhe SHBA dhe përfaqësuesi i saj në Tiranë duket se kanë një moskordinim në aktivitetin e tyre dhe se ndryshe flet DASH dhe ndryshe reflekton përfaqësuesi i saj në Tiranë. Të mos harrojmë, më thoshte para shumë kohësh një mik i mirë i shqiptarëve, por edhe një amerikan i devotshëm i shtetit të vetë, lirisë dhe demokracisë në botë, se ka raste që edhe diplomatë të caktuar rrëshqasin ndonjëherë nga detyra dhe misioni i tyre dhe në vend të arbitrit të paanshëm kthehen në shërbëtorë të verbër të njërit apo tjetrës palë. Madje kjo nuk është çudi dhe koha ka treguar se shumë diplomatë të shtetit më të dashur për shqiptarët dhe më besnikut ndaj shqiptarëve, sikurse janë SHBA, janë larguar nga misioni diplomatik sapo kanë lënë Tiranën. Nëse futemi pak më thellë, të gjithë shqiptarët e dinë se sa paguhej në ambasadat perëndimore për një vizë dhe si merrej viza menjëherë sapo paratë shkonin në destinacion. Madje ka pasur edhe raste që është flori dhe vlera të tjera të shtrenjta për një vizë në Europë dhe përtej Europës. Por sigurisht që kjo nuk është tema që po diskutojmë, por thjesht një kujtesë për zotërinjtë ambasadorë, të cilët kanë përballë tyre të njëjtët persona sot e 20 vjet në pushtet. Madje ata që kanë marrë përsipër Reformën në Drejtësi kanë edhe më shumë dhe i përkasin shkollës dhe praktikës së Diktaturës së Proletariatit, ku për një fjalë goje përfundoje si i burgosur politik apo i internuar. Ja ky është realiteti zonja Vlahutin dhe se ata që ti po ngre në piedestal janë pasardhësit më besnikë dhe më të frikshëm të diktaturës komuniste.

 Nëse dëshiron, herën tjetër do t’ua bëjmë publike me emër, mbiemër dhe veprat e tyre kriminale që kanë kryer ata apo prindërit e tyre. A e dini Ju zonja Vlahutin dhe përfaqësues të tjerë të negociatave me politikën se po takoni dhe po i nënshtroheni atyre që formatuan dhe ndërtuan Kushtetutën e Republikës Socialiste ku neni numër 1 ishte: “Shqipëria është shtet i Diktaturës së Proletariatit”. Dhe që të bindeni ju diplomatët, pyesni krerët e Komisionit Parlamentar dhe Grupin e ekspertëve të Nivelit të Lartë. Aty i ke që nga historia e 1945 e deri tani që ju po i takoni zyrë më zyrë e godinë më godinë. Nëse vërtetë nuk besoni apo ngurojnë t‘ua thonë ata vetë kërkoni në google dhe do gjeni fotot e disave me diktatorin Hoxha dhe të disa të tjerëve që për të mbajtur peng Shqipërinë dhe të mos e lejonin të shkëputej nga Lindja përgjakën rrugët e Shqipërisë dhe sheshin e Shkodrës. E pra zotërinj ambasadorë, ju kërkoni një ligj që do na fusë në Europë, pikërisht nga ata që e gjakosën vendin dhe qytetarët, sepse bërtisnin “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ja pra, po të ishit pak e kujdesshme dhe të mos ishit joshur nga “Rilindja”, nuk e di nga se dhe për çfarë, sot do reflektoje dhe do kërkoje të tjera gjëra brenda detyrimit ligjor dhe diplomatik dhe jo të na bënit rolin e kryetares së Tribunalit të Hagës. Askush dhe në asnjë rast, ju dhe të tjerë pas jush, apo edhe para jush nuk keni të drejtë morale dhe ligjore që të kërkoni që deputetë të caktuar të blihen dhe shiten në çfarëdolloj mënyre për interesat e karrierës suaj. Ne shqiptarët dimë të respektojmë mikun, por edhe dimë t’i tregojmë se ku e ka vendin kushdo qoftë. Për një gjë të jeni e sigurtë, se më keq se sa kaq ku jemi katandisur nuk kemi ku të vemi dhe fajtor pa dyshim që jeni ju diplomatët që fusni hundët vend e pa vend, duke u nisur nga qëllimet tuaja klienteliste dhe të interesave më të gjera. 


Po si mundët t’i kërkoni ju deputetëve të opozitës që të votojnë një projekt që rikthen diktaturën dhe do e çoje Shqipërinë në vëllavrasje dhe larje hesapesh? A e dini ju se po mungojë ligji, atëherë Kanuni do t’i zgjidhë gjërat në mënyrën e vetë? Kush jeni ju që dëshironi shkatërrimin e kombit shqiptar? Cili klan antishqiptar ju paguan për këtë shërbim? Me siguri nga Lindja, sepse ata janë të inatosur me qëndrimin properëndimorë dhe pro Amerikës së shqiptarëve. A e dini ju zotërinj ambasadorë shëtitës se cilat janë parimet e Komisionit të Venecias. Po ua përmendim shkurtimisht, sepse Venecia nuk është me askënd dhe se Venecia është me shtetin e së drejtës. Ka disa parime, por katër janë më kryesoret në veprimtarinë e Komisionit të Venecias:
1- Parimet kryesore kushtetuese
2- Parimet e akteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut
3- Parimi i ushtrimit të një pushteti gjyqësor të pavarur nga politika dhe organet e tjera 
4-Dhënia e drejtësisë së vërtetë nga ana e pushtetit gjyqësor. 

Ja pra këto janë parimet që duhet të zbatohen dhe që janë të pazëvendësueshme, qoftë nga retorikat e politikës, ashtu edhe nga interesat klanore të diplomatëve të caktuar. Ndaj duhet të jetë e qartë për këdo se politika aktuale e “Rilindjes” nuk është e interesuar për ligje cilësore, por thjesht për interesa të hakmarrjes personale dhe primitive brenda vendit dhe për të marrë meritat në arenën ndërkombëtare. Nëse duam vërtetë të jemi të sinqertë le të analizojmë se kush ishte i interesuar kur ndryshoj Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë brenda natës dhe cilat ishin arsyet e vërteta. Tashmë dihen aktorët e ndryshimit të Kushtetutës dhe në krye të saj qëndron vetë Edi Rama me qëllimin final, që të monopolizonte pushtetin në një dorë të vetme, duke goditur aleatët dhe demokracinë pluraliste. Ja kështu nisin analizat të nderuar dhe pak e nderuara shkëlqesi ambasadore. 

• Por çfarë thotë në të vërtetë neni 88, që po diskutohet kaq shumë dhe pse ky nen është pragu që ndan demokracinë nga diktatura. Sipas këtij neni, pjesë e draftit final thuhet se Komisioni i Venecias i rekomandon autoriteteve shqiptare t’i kushtojnë vëmendje çështjeve kyçe të mëposhtme: “Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional, që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes”. Në rekomandimet e Venecias janë 4 pika ku sqarohet specifikisht se si palët mund të dakortësohen, Partia Demokratike ka vënë si kusht vetëm piken 18, në të cilën nënvizohet: “Një model tjetër i zgjedhjes ka të bëjë me krijimin e dy listave alternative të kandidatëve- një nga koalicioni qeverisës dhe një tjetër nga opozita. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do të rendisë kandidatët dhe do t’i dërgojë të dyja listat në Parlament, i cili më pas do të zgjedhë tre kandidatë nga “lista e shumicës” dhe dy nga “lista e opozitës”, në të dyja rastet me shumicën e cilësuar me 3/5at”. Në vijimësi të këtij argumenti ligjor dhe profesional po zbardhim edhe nenin147, ku saktësohet organizimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor ( KLGJ), i cili thotë shprehimisht se: KLGJ përbëhet nga 11 anëtarë, 6 prej të cilëve zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve dhe 5 anëtarë zgjidhen nga radhët e juristëve jo gjyqtarë. Se kush janë anëtarët nga radhët e jo gjyqtarëve kuptohet dhe më mirë këtë e di politika, pasi faktet janë kokëforte dhe sot ne kemi ish – prokurorë të përgjithshëm, kryetar gjykatash, nënkryetar, prokurorë, hetues, oficerë madhorë të Policisë së Shtetit, të forcave speciale, të burgjeve etj., etj që janë vendosur në llogoren e “Rilindjes” pikërisht, sepse i shërbyen kësaj force në pozitë dhe sidomos në opozitë. Ata sot janë deputetë, janë anëtarë të kryesisë së “Rilindjes”, anëtarë të Komitetit Drejtues, Asamblesë etj., të cilët sot janë nën hetim së bashku me kryebashkiakë, drejtorë dhe funksionarë të lartë. Por meqë jemi tek rasti konkret lind pyetja, se përse bëhet kaq zhurmë për këta anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor? 

Ja funksionet e KLGJ:
A) Emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon gjyqtarët e të gjitha niveleve me përjashtim të gjykatës kushtetuese;
B) Vendos masa disiplinore për të gjithë gjyqtarët;
C) I propozon presidentit kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë;
D) Kujdeset për mbarëvajtjen e administratës së gjykatave;
E) Propozon dhe administron buxhetin e gjykatave etj. etj.
Ndaj kush merr KLGJ ka uzurpuar dhe monopolizuar shtetin, dhe politikanët e “Rilindjes” e duan të tërin sistemin gjyqësor, sepse i tremben vjedhjeve, babëzisë, maskaradës, qytetarëve të arrestuar për një dritë që nuk e paguajnë dot, që nuk kanë para të ushqejnë fëmijët me bukë, që nuk kanë punë, që ju flaket arka me domate dhe spinaq nga policët bashkiake, ndërkohë që hajdutët vjedhin në mes të aeroportit, vjedhin banka dhe nuk u hynë gjëmb në këmbë. Që banditët vrasin dhe nuk i arreston njeri, që kriminelët arratisen nga portet dhe aeroportet dhe nuk i ndalon njeri… Ja prapë se u duhet gjyqësori këtyre faqezinjve. Por fakti që opozita është tërësisht e lodhur ose e kapur nga pozita dhe qarqet sorosiane të pranishme në hartimin dhe formulimin e këtij projekti, e bën edhe më të rrezikshme demokracinë e vendit dhe pasojat po i heqin qytetarët.
Po cila është zgjidhja dhe dalja nga ngërçi? 
Disa ambasadorë perëndimorë po ushtrojnë trysni të fortë mbi individë të caktuar që të votojnë pro projektit të “Rilindjes”, pasi vota është e lirë dhe individi është i pavarur. Nuk e di sa funksionon një gjë e tillë në Parlamentin Europian apo Kongresin Amerikan, por besoj se ka një vullnet politik të grupimeve dhe jo çdo individ mund të joshej fjala bie nga milionat e Putinit, Erdoganit apo dikujt tjetër. Fakti që ky qëndrim është personal i diplomatëve e tregon më së miri qëndrimin e shumë përfaqësuesve me influencë europiane dhe amerikane. 
Më datë 23 Qershor/ Dy Raportuesit e PE për Shqipërinë theksuan se, Fleckenstein: Për Reformën në Drejtësi, të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme. Kukan: Jo blerjes së votave për Reformën në Drejtësi

Më datën 28 Qershor/Letra e drejtuar Xh. Kerry: Të zbatohet rekomandimi 88. Tre kongresmenë amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry, në të cilën i kërkojnë që të zbatohet rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi në Shqipëri. Kongresmenët David Jolly, Robert Aderholt, si dhe nënkryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin e SHBA, Dana Rohrabacher, kërkojnë që konsensusi mes palëve politike në vendin tonë të arrihet duke respektuar rekomandimet e ‘Venecias’…
Po më datën 28 Qershor 2016/Nga Brukseli eurodeputeti Fabio Massimo Kastaldo, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme në PE, deklaron se shit-blerja e votës është e patolerueshme…

Më datë 30 Qershor/Deklarata është bërë nga Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun Gjerman Gunther Krichbaum, i cili kryesonte një delegacion të CDU gjatë vizitës në Tiranë. Krichbaun: Reforma në Drejtësi, duhen 94 vota! Qeveria të nisë kontaktet me opozitën…
Pra logjika nuk e pranon propozimin e diplomatëve për të ashtuquajturën votim të lirë, individual etj., etj., por me sa kuptohet një tjetër plan ogurzi fshihet pas këtij varianti dhe se ai ka të bëjë me tundjen e dosjeve të disa deputetëve me të kaluar të dyshimtë. Në këtë grup janë përfshirë një pjesë e deputetëve të së djathtës, të pavarur dhe të shkëputur, të cilëve u janë grumbulluar materiale “komprometuese” gjatë aktivitetit të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë. Dhe nëse një gjë e tillë sot kërkohet të justifikohet si zgjidhje e ngërçit, ky do të jetë turpi më i madh dhe se shqiptarët nuk do e pranojnë këtë maskaradë të hedhur poshtë tavolinës nga diplomatë të caktuar. Më mirë deputetë me dosje, se sa maskarenj dhe “jago” në shërbim të disa sahanlëpirësve.


 E rëndësishme është se sido që të shkojë votimi, personave me dosje përsëri do u dalë emri nëse këta do bien preh e aventurierëve të diplomacisë së huaj në Tiranë. Burime bëjnë me dije se shumica e deputetëve kanë pranuar të marrin koston e dosjes, por votën nuk do ja japin kapjes së drejtësisë nga ‘Rilindasit’ e Ramës. Diplomatët e huaj nuk mundet që për interesat e tyre personale të mbajnë peng dhe të fusin në qorrsokak një komb të tërë, pasi situata do tensionohet dhe kjo situatë do reflektohet më gjerë në Ballkan, duke e destabilizuar përfundimisht Europën dhe të ardhmen e saj. Kjo është arsyeja që përfaqësues të përgjegjshëm të politikës së Brukselit dhe Departamentit Amerikan të Shtetit janë kundër këtyre lojërave meskine, një pjesë e të cilave financohen nga qarqet ruse, me qëllimin final destabilizimin e Europës. Dhe për këtë kanë gjetur edhe ndonjë diplomat/e me të kaluar të dyshimtë në jetën private, marrëdhëniet rozë apo bashkëpunëtorë të shërbimeve ruse, kineze, turke etj. Nëse politika vërtetë është e interesuar për miratimin e këtij ligji, të ulet këmbëkryq dhe të përcaktojë rregulla të qarta, ku askush të mos jetë dominant dhe ligji të jetë i barabartë për të gjithë. Dështimi i Byrosë Hetimore tregoi se shqiptarët dhe ndërkombëtarët nuk mund të miratonin një projekt, që çdo natë konsultohej në sallonet e Kryeministrisë para se të vinte në tavolinat e deputetëve. E njëjta situatë po përsëritet me Reformën në Drejtësi, ku veç “Rilindjes” dhe ambasadorëve po kërkohet edhe ndihma e bashkëpunëtorëve me dosje të vjetër dhe të rinj të shërbimeve sekrete.
Sigal