Deputetët marioneta të “Opozitës” së re/ Ndërkohë që mijëra mbështetës së opozitës së bashkuar protestonin rreth parlamentit të rrethuar me tela me gjemba dhe kordonin prej 1500 policësh, “blerjet” më të fundit të “merkatos” së Kuvendit bashkonin votat me kapitenin e “Rilindjes”

554
Sigal

Parlamenti zhvillon seancën plenare i rrethuar me tela me gjemba dhe nga 1.500 policë, ndërsa mijëra qytetarë protestojnë

Jakup B. GJOÇA

Sërish edhe dje parlamenti zhvilloi punimet, i rrethuar me tela me gjemba dhe i mbrojtur nga 1.500 policë, ndërsa dhjetëra mijëra qytetarë protestuan fuqishëm përballë godinës së parlamentit. Xhamia e re, ende e pa inauguruar për të funksionuar si objekt kulti për komunitetin mysliman, u zaptua nga policia, ndërsa dhjetëra makina ujëhedhëse të policisë, në numër më të madh edhe se sa makinë zjarrfikëse ka Shqipëria, janë në pritje të një urdhri për të derdhur ujë mbi protestuesit.

Dhuna e policisë

Protesta nisi e qetë, kur qytetarët u grumbulluan në disa vende, si selia e Partisë Demokratike, sheshi para Parlamentit dhe tek Ministria e Brendshme. Banorët e “Unazës së Re” kanë qenë të parët që janë përplasur me uniformat blu, pasi, sipas tyre ata u provokuan nga Policët. Tek ministria e Brendshme, u lënduan disa protestues pas përplasjes me Policinë, teksa tentuan të bllokojnë rrugën ku do të kalonte delegacioni holandez. Dhuna e policisë arriti deri aty, sa polici tërheq zvarrë një invalid, i cili mbante në dorë flamurin tonë kombëtar dhe flamurin e BE-së.

I hoqën pensionin e invaliditetit, dhunohet në protestë

Pak metra më tutje, një student protestues humbet ndjenjat, nga dhuna e policisë. Një foto nga protesta e së enjtes po bën xhiron e rrjeteve sociale. Ajo tregon momentin kur një protestues rrëzohet dhe dhunohet para Kuvendit. Ai është Gjergj Çuni nga Shkodra, të cilit i kanë hequr pensionin e invaliditetit. “Unë jam invalid që nga viti 2011. Jam bërë operacion tek Spitali Ushtarak dhe më kanë shkurtuar këmbën 7 centimetra. Dhe në atë spital kam marrë statusin invalid i plotë, nga 2011 deri në 2018. Por nuk e marr më”, është shprehur Çuni.

Protestuesit qëllojnë me bojë të zezë godinën e Ministrisë së Brendshme

Protestuesit, pas tërheqjes nga sheshi përballë parlamentit, grumbullohen përpara goditës së ministrisë së Brendshme, ku qëndruan 40 minuta dhe kërkuan që të lirohen protestuesit e arrestuar. Në një moment tensioni, disa protestues qëlluan me bojë të zezë muret e godinës së ministrisë së Brendshme, duke u shprehur se arrestimet dhe mbajtja në qeli e qytetarëve është e padrejtë.

Policia zapton xhaminë

Territori i Xhamisë kthehet edhe dje në një ambient masiv forcash, duke cenuar përsëri paprekshmërinë e imparcialitetin e institucioneve të tilla shumë të respektuara të kultit. Të tilla veprime ekstreme në territorin e këtyre institucioneve edhe moralisht kryhen vetëm në raste ligjërisht të jashtëzakonshme, me autorizime te veçanta, të argumentuara e transparente, që mos të krijohen keqkuptime dhe jo pak orë para fillimit të një proteste paqësore të opozitës shqiptare. Pamje të tilla të shëmtuara e të përsëritura në forma të ndryshme, jo vetëm që cenojnë rolin, etikën etj, mbi të cilat funksionojnë këto institucione të nderuara, por dhe tregojnë paaftësinë e panikun e atyre që në mënyrë aventureske i keqpërdorin ato.

Deputetët e “opozitës” së re votojnë ligjet e qeverisë

Që deputetët e “opozitës” së re, siç e ka pagëzuar kryeministri Rama, janë fasada e mazhorancës dhe nuk përfaqësojnë as elektoratin e Djathtë, i cili proteston çdo herë para parlamentit, duket edhe në votimin e tyre “pro” çdo projektligji të qeverisë, edhe atyre projektligjeve, të cilat kundërshtohen nga vetë deputetët e mazhorancës. Kështu dje, deputetët e rinj votuan projektligjin e vettingut në polici, i cili u kundërshtua nga ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, derisa ky ligj u votua nga 79 deputetë.

Taulant Balla: Protesta e opozitës bëhet me porosi nga rusët

Nga foltorja e Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla foli se protesta e opozitës bëhet me porosi nga rusët. “Jemi sot para një akti të konfirmuar tashmë nga të gjitha burimet, se për fatin e keq të shqiptarëve, që PD-ja sot dëshmohet të jetë peng i një financimi të dyshimtë me burim rus, prej më shumë se 1 milion dollarësh. Michael Carpenter dje tha shumë qartë, se kur deputetët e opozitës djegin mandatet dhe refuzojnë të jenë pjesë e një procesi politik, duke ushqyer përçarje bipolare të politikës, kjo është toka më pjellore, situata më e përkthyer që Rusia të përfitojë dhe të ushqejë më shumë armiqësi, përçarje dhe kaos në shoqëritë e Ballkanit”

Ish-ministri Xhafaj kundër Lleshajt për vettingun në Polici

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, kritikoi ndryshimet ligjore për vettingun në Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës, një iniciativë e marrë pak ditë më parë nga ministri aktual Sandër Lleshaj. Nga foltorja e parlamentit dje Fatmir Xhafaj deklaroi: “Dikush mund të thotë se vettingu në polici është paranojë e ish-ministrit të brendshëm. Jam i keqardhur që ligji nuk u bë i zbatueshëm për dy vjet. Nuk është herezi ndryshimi i një ligji. Nuk besoj se ndryshimet janë të duhura. Vettingu nuk mund të bëhet nga SHÇBA. Cenohet cilësia dhe shpejtësia e vetë procesit, por SHÇBA nuk ka kapacitetet e duhura për ta bërë vettingun. Kjo do ngadalësojë procesin e nisur, të ngjashëm me atë të reformës në drejtësi. Ngecja e vettingut në radhët e strukturave të rendit, më shumë se për mungesë kapacitetesh verifikuese është një taktikë politike, për ta kontrolluar nëpërmjet një dore të gjithë procesin, siç është struktura e SHÇBA-së (Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave). Argumenti financiar nuk është i justifikuar. Për më tepër që ka shumë pasuri të sekuestruara nga policia. Jam njeri i ligjit dhe do pres me durim veprimet dhe vendimet e institucioneve të vendit tim”.

Policia pengon gazetarët, reagon av. Altin Goxhaj

Dje policia e Shtetit pengoi gazetarët të transmetonin protestën, duke shkelur ligjin në mënyrë flagrante. Av. Altin Goxhaj, ka reaguar duke thënë: Dhunimi dhe pengimi i gazetarit të News24 Erjon Skendaj & operatorit të Fax News Majklen Sinka duhet të alarmojë gjithë gazetarët e terrenit se nesër do shkojnë të gjithë për l. Caktojeni nesër 1 orë dhe protestoni para Ministrisë së Brendshme! Refuzoni çdo paraqitje në çdo aktivitet qeveritar derisa të pezullohen fajtorët! Mos pyesni pronarët, nëse ju pengojnë! Bëjeni për vete! Nëse nuk e bëni, policia do e kuptojë që e meritoni dhe pastaj…

Bojatisni me bojë të zezë Avokaten e Popullit

Avokat Altin Goxhaj ngre zërin edhe kundër heshtjes së Avokates së Popullit, përballë shkeljes të të drejtave nga Policia e Shtetit dhe nga qeveria kundër qytetarëve. Av. Altin Goxhaj: Në një univers paralel pas lyerjes me bojë të zezë të Ministrisë së Brendshme për shkak të arrestimeve të banorëve të Astirit, protestuesit do të shkonin drejt zyrave të Avokates së Popullit t’ia lyenin edhe asaj muret me bojë të zezë, sepse ka heshtur jo vetëm për banorët e Astirit siç ka heshtur absolutisht edhe për Protestën e 26 Shkurtit kur u mbyt Tirana me gaz! As kur u përsërit në 16 mars! Avokatja e Popullit hesht se, ka 1 muaj që bredh nëpër botë dhe seminare të OJF-ve të Soros-it, a thua se është koordinatore part-time e projekteve të Fondacionit Soros! Verifikojeni vetë te faqja e saj: Avokati i Popullit!

Mediat e huaja pasqyrojnë në sinkron protestën e opozitës

Protesta e opozitës së bashkuar ka gjetur pasqyrim edh në mediat ndërkombëtare. Gazeta “New York Times”, “The Associated Press” etj, kanë raportuar për zhvillimet në Tiranë. “Mbështetësit e opozitës në Shqipëri përpiqen të pengojnë zhvillimin e seancës parlamentare. Protestuesit e opozitës shqiptare kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.” – shkruan “New York Times”. “Protestuesit e udhëhequr nga Partia Demokratike përdorën tymuese, kapsolle dhe u përleshën me policinë duke u përpjekur të thyejnë kordonin, që mbron ndërtesën e parlamentit ku po mbahet seanca parlamentare e radhës. Opozita akuzon qeverinë e majtë të Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama se është i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar, të cilin qeveria e mohon.

Që nga mesi i muajit shkurti, mbështetësit e opozitës janë përpjekur vazhdimisht të hyjnë në ndërtesat e parlamentit ose të qeverisë dhe policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe me ujë”.-Citohet në artikullin e “New York Times”. “Opozita protesta, tensione” është titulli agjencisë së lajmeve ANSA. “Partia demokratike bën thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Socialist Rama. Tensionohet protesta e sotme nga ana e opozitës shqiptare, përpara Parlamentit ku është duke u zhvilluar protesta e radhës. Përveç fishekzjarrëve dhe bombave të tymit, grupet e protestuesve kanë provuar disa herë që të kalojnë kordonin e sigurisë në hyrjen kryesore, ku janë vendosur shumë oficerë policie. Që nga shkurti i kaluar, opozita ka zgjedhur të dalë në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit socialist Edi Rama, i akuzuar për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin e organizuar dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, pas krijimit të një qeverie transitore.”– shkruan ANSA.

Protesta e opozitës në ‘Washington Post’: Kërkohet dorëheqja e qeverisë Rama dhe zgjedhje të parakohshme

“The Washington Post” shkruan mbi protestën e djeshme të opozitës pranë godinës së Parlamentit, ndërsa përshkruan edhe momentet e tensionit mes tubuesve dhe policisë. “Protestuesit e opozitës shqiptare kanë bërë përpjekje të mëtejshme për të hyrë në parlament me forcë ndërsa kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. Protestuesit e udhëhequr nga Partia Demokratike e qendrës së djathtë përdorën edhe shashka dhe tymuese dhe u përplasën me policinë duke u përpjekur të thyejnë kordonin e policisë, pranë godinës ku po mbahet sesioni parlamentar. Opozita akuzon qeverinë e majtë të Partisë Socialiste të Kryeministrit Edi Rama se është i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar, akuza që qeveria i mohon. Që nga mesi i shkurtit mbështetësit e opozitës janë përpjekur vazhdimisht të hyjnë në ndërtesat e parlamentit ose të qeverisë dhe policia është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe me ujë. Socialistët thonë se protestat e opozitës po dëmtojnë përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, shkruan ‘The Washington Post’.

DW/ Tiranë: Protestuesit e opozitës përleshen me policinë

Kryeministri Rama: Zgjedhjet lokale do të zhvillohen, hyn apo nuk hyn opozita në parlament

Opozita me mbështetësit e saj zhvilluan dje para Parlamentit, protestën e saj të shtatë në serinë e protestave antiqeveritare për të larguar kryeministrin Rama, rrëzuar qeverinë e tij dhe formuar një qeveri kalimtare, për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për opozitën Parlamenti dhe Qeveria Rama nuk janë legjitime pasi, sipas saj kanë fituar mandatin qeverisës përmes blerjes së votave dhe lidhjeve me krimin. Kryeministri Rama dhe qeveria e tij socialiste i hedhin poshtë akuza të tilla dhe theksojnë që “zgjedhësit i kanë dhënë mandatin të qeverisin deri në vitin 2021 dhe ky mandat nuk negociohet.” Lideri i Partisë Demokratike, më të madhes në opozitë, Lulzim Basha, tha në protestën e sotme se “misioni ynë më i madh është të rrëzojmë qeverinë e krimit” dhe ftoi gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës së opozitës. Forca të shumta policore kishin rrethuar godinën e parlamentit dhe bllokuan qarkullimin e të gjitha rrugëve që çojnë në parlament.

Lulzim Basha: Do ta vazhdojmë betejën deri në çlirimin e Shqipërisë nga grushti i shtetit që i ka asgjësuar demokracinë

Mirë se keni ardhur në këtë Asamble të vërtetë të Kushtetutës, të Ligjit, të së drejtës, në Parlamentin e vetëm që njoh unë, në Parlamentin e vetëm që njeh opozita e bashkuar, në Parlamentin e popullit të bashkuar për ndryshim. njohur ndonjëherë Evropa e pasluftës, e kryesuar nga kryehajduti, arkitekti i Shqipërisë Kolumbiane, Maduro i Ballkanit, Edi Rama dhe skota e tij kriminale. Ky është njeriu i cili u bë simboli i krizës ekonomike që ka pllakosur, i papunësisë, i varfërisë, i mungesës së shpresës dhe mundësive për çdo shqiptar. Unë e di, se gjithsecili prej jush këtu ka ardhur jo vetëm me vendosmërinë e pathyeshme për t’i dhënë fund regjimit mafioz të Edi Ramës dhe për ta përcjellë Maduron e Ballkanit para drejtësisë ose në azil politik, por, mbi të gjitha, për t’i dhënë një sinjal të qartë shprese çdo shqiptari e çdo shqiptareje kudo ku ndodhet.

Kryemadhi: Koha që politikanët të jenë shërbëtorë të qytetarëve dhe jo qytetarët shërbëtorë të politikanëve

Çdo fjalë e jona sot këtu është e tepërt. Është e tepërt përballë gjithë asaj varfërie që ka instaluar kapja e shtetit, është e tepërt përballë torturave të tmerrshme që po vuajnë shqiptarët përballë taksave të larta që ka vendosur Rilindja. Fjalët tona janë të tepërta përballë çdo problemi që secili nga ju që është sot në shesh ka në familjen e tij. Djegia e mandateve të opozitës për shumë kush mund të thotë veprim ekstrem, i nxituar e të tjera, djegia e mandateve të opozitës ishte përgjegjësi e plotë e atyre deputetëve që morën përsipër të jenë njësh me popullin. Djegia e mandateve të opozitës ishte e vetmja mundësi për të treguar dhe njëherë që interesi publik është më i rëndësishëm se interesi i 5 njerëzve qe drejtohen nga Edi Rama.