Deputetët lënë mandatin e ligjbërësit, për më shumë privilegje si kryebashkiakë

523
Prej disa ditësh, Rama ka hapur garën në Elbasan, për të zgjedhur mes tre emrave Qazim Sejdinit, Evis Kushit dhe Ilir Bejtjes, njeriun e duhur për të qenë në 21 qershor kryetari bashkisë. Pas ardhjes së kryeministrit disa ditë më parë, tek ndante tapitë e legalizimeve për zonat informale, natyrshëm ai bëri të ditur edhe vendimin e partisë se “Kushi, dhe Bejtja, do të jenë krahas emrit të Sejdinit në pyetësorin e bazës, dhe fituesi do të jetë edhe kandidati për kryetar bashkie në Elbasan”. Rama ndryshe nga përzgjedhjet e kaluara, për kandidatët e 21 qershorit 2015 ka vendosur të nxjerrë në “tapet” e pakta tre emra, për t’i përballur me bazën socialiste, dhe vetëm vota e tyre do të jetë vendimtare për të nxjerrë emrin që do të garojë dhe do të përballet me kandidatin e opozitës. Deri tani i vetmi njeri që ka kredencialet dhe që përmbush çdo kërkesë të qytetarëve dhe veçanërisht të bazës socialiste në Elbasan, mbetet ai i kryetarit aktual Qazim Sejdini. Por duhet thënë se ashtu si edhe zgjedhjet e kaluara, edhe në këto të 21 qershorit, Sejdini nuk ka pas vetes krerët e PS Luljeta Arapi dhe Astrit Halili, e para deputete dhe i dyti drejtor i Uzinës së Demontimit të Municioneve në Mjekës. Disa muaj më parë emri i Evis Kushit nisi të lakohej në rrethe të ngushta socialistësh në Elbasan, si kandidatja e mundshme e Ramës për bashkinë e qytetit, por duket se kjo gjë mbeti në kufijtë e thashethemeve kur vetë deputetja deklaroi se “as që e mendoj të kandidoj”, por ndërkohë ditët e fundit një tjetër emër ka dalë si pretendent për të garuar, ai është Ilir Bejtja. Ky i fundit thuhet se “është gati të lërë postin e zv/ministrit për tu bërë kryetar bashkie”. Burime të sigurta të PS në Elbasan i thanë “Telegraf” se “Rama po mendon komandimin urgjent të dy emrave të rinj në degët e PS , fshat dhe qytet, për të zëvendësuar Arapin dhe Halilin, para se të nisë fushata pasi nuk ka garanci në përkrahjen që mund t’i japin kandidatit, apo në efikasitetin e fushatës e cila ka gjasa të jetë e ashpër mes dy kampeve politike në këtë qytet”. Ndarja në klane e grupit të deputetëve socialistë të qarkut, (në të Ramës dhe në të Blushit) ka pasur ndikimet e veta negative pas fitores së 23 qershorit. dega e PS Elbasan, gjendet më e pafuqishme se kurrë, më apatike se kurrë, më e paorganizuar se kurrë, ndërkohë që i vetmi njeri që u garanton fitoren në këto zgjedhje mbetet emrin dhe kandidatura e Qazim Sejdinit. 
Ja kandidatët për kryebashkiakë në Durrës, Fier, Lushnjë, Gjirokastër, Sarandë, Himarë dhe Konispol
Kryeministri Edi Rama këtë të shtunë ishte vizita Durrës, por edhe në qytetet jugore të Gjirokastrës dhe Sarandës, duke nisur zyrtarisht edhe fushatën zgjedhore të pushtetit lokal. Kryeministri Rama u shoqërua gjatë vizitës në Durrës nga Vangjush Dako, duke konfirmuar kështu edhe kandidaturësn e tij, për kryebashkiaku i së Majtës. Po kështu, Rama në Gjirokastër, u shoqërua nga prefektja e Qarkut të Gjirokastrës Zamira Rami, e cila do të jetë edhe kandidatja për kryetare e Bashkisë për koalicionin e majtë, e propozuar nga LSI-ja. PS-të e Sarandës, Himarës, Finiqit dhe Konispolit kanë prezantuar emrat nga të cilët do të zgjidhen edhe kandidatët zyrtarë të kësaj force politike për zgjedhjet bashkiake të 21 qershorit. Në Sarandë në praninë e kryeministrit Edi Rama dhe deputetëve të zonës, Stefan Çipa kërkon një rikandidim të dytë në krye të qytetit bregdetar, ndërsa kandidatë tjerë të propozuar kanë qenë Shemi Lulo, Ramiz Hysi, Adriana Shehu dhe Florjana Koka. Në Himarë emri i vetëm për bashkinë e këtij qyteti, është ai i kryetarit aktual Jorgo Goro. Sa i përket bashkisë Konispol, emrat e propozuar atje janë Mimoza Arapi, Dilaver Papara dhe Dhimo Kote, ndërsa në bashkinë minoritare të Finiqit, emrat që janë propozuar janë ato të Toma Kordhës dhe Leonids Kristos.
Armando Subashi, kandidati më potencial në garën për Bashkinë e Fierit
Në selinë qendrore të PS-së kanë mbërritur listat me kandidatët nga qyteti i Fierit, Lushnjës dhe Divjakës. PS-ja e Fierit i ka dërguar qendrës në Tiranë një listë me pesë emrat që kanë qenë më të kuotuar nga baza për të kandiduar për karrigen e kryebashkiakut të Fierit. Deputeti Armando Subashi është kandidati më potencial për Bashkinë e Fierit, duke pasur parasysh edhe aktivitetin e tij politik, si ligjbërës në Komisionin e Ligjeve, ku është një nga deputetët më aktivë dhe është relator në shumë projektligje të rëndësishme të miratuara, si edhe anëtar në shumë komisione të posaçme parlamentare që janë ngritur për çështje të caktuara. Deputeti tjetër Ervin Koçi është pjesë e kësaj liste. Ndërsa Xhevit Bushi, Arjon Muçaj dhe Viktor Çervenaku plotësojnë pesëshen e mbërritur nga qyteti i Fierit. 
Arben Çuko, kryeson listën për Bashkinë e Lushnjës
Duket se baza në qytetin e Lushnjës kanë zgjedhur si më të kuotuarin për të kandiduar për postin e kryebashkiakut deputetin e qarkut, Arben Çuko. Ndërsa pjesë e listës është edhe kryebashkiaku aktual, Fatos Tushe, i cili kërkon të rikandidojë për një mandat tjetër në krye të bashkisë Lushnjë. Tushe tashmë është në përfundim të mandatit të tij të parë në krye të bashkisë së Lushnjës, ndërsa ka marrë “bekimin” e socialistëve të qytetit për një rikandidim. Listën e propozuar nga baza e plotëson Bujar Çela dhe Astrit Xheka. Po ashtu baza në qytetin e Divjakës ka nisur propozimin e saj drejt qendrës dhe i besojnë edhe një mandat tjetër kryebashkiakut Alfred Kokoneshi.
PS-ja, afër aleancës me PDIU-në dhe PBDNJ-shin
Pritet që në marrëveshjen që PS-ja do të bëjë me aleatin tjetër PBDNJ, t’i japë mundësinë e propozimit në dy bashki minoritare në jug të vendit, në Dropull dhe Livadhja. Ndërsa me interes priten edhe negociatat e socialistëve me opozitarët e PDIU-së, pasi çamët janë shprehur të hapur për një koalicion me të majtët, mirëpo ata duan 5 bashki të vendit, po aq sa ç’është edhe numri i deputetëve të kësaj force politike.
Sigal