Deputetët kundër rritjes së çmimit të energjisë

418
Sigal

Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka përfshirë në rezolutën për Entin Rregullator të Energjisë, një klauzolë, ku i kërkon këtij institucioni të bllokojë çdo vendim për rritjen e çmimit të energjisë elektrike gjatë këtij viti.  

Propozimi erdhi nga Partia Demokratike, përmes ish-ministrit të Energjetikës Genc Ruli. “Jemi në shifrat më të larta të humbjeve, jemi në nivelin 46-47 për qind sot dhe që Qeveria të ndërmarrë një rritje mbi çmimin, duhet patjetër t’i ketë dhënë një qetësi dhe garanci konsumatorit, kur të paktën humbjet të kenë vajtur në nivelin e 30 për qind”, tha Ruli. Kundër rritjes së çmimit me këtë nivel të lartë humbjesh dhe mosarkëtimesh u deklarua edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. “Përderisa kryetari i ERE-s e tha që ne nuk ta bëjmë rritjen e çmimit të energjisë ne nuk na kushton që ta shkruajmë të zezë mbi të bardhë që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë dhe kjo rezolutë shërben vetëm për këtë vit. Më pas do të shohim dhe do të bëjmë. Nëse do të ulen humbjen dhe do të rriten të ardhurat, ne nisim dhe e shohim në një aspekt tjetër”, u shpreh Monika Kryemadhi, deputete e LSI-së. Propozimi për të mos lejuar ndryshimin e çmimit këtë vit, më pas u përfshi nga kryetari i Komisionit Eduart Shalsi, në rezolutën për Entin Rregullator. “Ti kërkojmë ERE-s që të gjitha vendimet që mund të ndikojnë në çmimin e energjisë të mos merren pa u reduktuar ndjeshëm humbjet dhe pa u përmirësuar ndjeshëm arkëtimet”, tha Shalsi. Kjo është hera e parë kur Kuvendi shprehet zyrtarisht kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike këtë vit duke i kërkuar Entit Rregulator që rishikimi i tarifave të merret në konsideratë vetëm pas uljes së vjedhjeve dhe rritjes së arkëtimeve.