Deputetët e qarqeve, si operativët e Sigurimit

545
Ai që ka qenë realitet edhe në vitet e shkuara, sërish vazhdon të mbetet si një refren i pandryshueshëm edhe në këto 2 vitet e para të qeverisjes së majtë në Shqipëri. Ministra që pasi kanë emëruar tarafet e tyre (edhe pa pëlqimin e degëve të partive) drejtorë she drejtoresha, hyjnë me ata në lidhje biznesi, gjë e cila shpesh thjeshtëzohet në dhënien e një “haraçi” mujor, pasi ndryshe shkarkohesh. Kjo po ndodh me pothuajse të gjithë drejtorët në rrethe, të cilët tek i pyet për ndonjë mundësi largimi shprehen se “as që bëhet fjalë, e kam mirë me ministrin”. Duke vëzhguar jo fare në detaje konstatojmë se, ka ministra që kanë ngritur biznese, kanë përkrahur dhe toleruar hapjen apo rihapjen e aktiviteteve tregëtare apo llojeve të tjera të bizneseve, dhe ato i bëjnë me drejtorët apo drejtoreshat, apo edhe familjarët e tyre. Deri tani gjithçka ka ecur mrekullisht, pra ministri ka marrë çdo muaj nga drejtori sasinë e paracaktuar të parave si “page mujore që i takon” në këmbim të mbajtjes së postit. Por edhe drejtorët nuk fitojnë më pak se shefat e tyre lart në qeveri. Edhe ata janë majmur, edhe ata kanë blerë për 2 vjet apartamente të reja, kanë nderruar makinat e vjetra dhe kanë blerë benza të rinj, edhe ata kanë hapur dyqane dhe kanë depozituar edhe ca miliona në banka. Korrupsioni dhe aferat e pista bëhen çdo javë e çdo muaj, me tenderat, punësimet dhe mbingarkesat në administratë e sektorë, ku vlen të përmendet se, vetëm ta mbash vendin e punës duhet të japësh 2500 deri 3000 euro, kurse për punësimet e reja vlera ka vajtur deri 5 mijë euro. Një skandal i paparë, një shkrehje e padëgjuar e drejtorëve në aspektin e drejtimit të punëve dhe shkeljes së ligjeve. Pavarsisht se aplikojnë në rrugë elektronike, sërish në tendera fiton ai që dorëzon dorazi “dosjen dhe zarfin”. Pyetja e parë që bëjnë drejtorët në rrethe është “ke dorëzuar dosjen tek komisioni tenderimit”, dhe përgjigja është “dosjen dhe zafrin shefo, rri i qetë”. Zinxhiri nis nga poshtë e përfundon në ministrira, atje ku çdo muaj drejtorët çojnë “haraçin” e shefit, atij që e mban në punë, atij që i mbulon pislliqet, atij që vazhdon të bëjë të pamundurën për të mos larguar nga detyra kodoshin e vet, edhe kur ai, (drejtor) ose ajo, përflitet për abuzime, vjedhje, dhe shkelje ligjore. 

Kjo lidhje e cila duket më shumë se organike, ka ndotur ndermarjet dhe institucionet e shtetit në rrethe, ka krijuar një klimë terrori psikologjik tek administrata dhe punonjësit e tjerë, aq sa thuhet se “edhe kur nuk ka tensione, drejtorit i jepet ndonjë lek, sepse nuk dihet, dikush mund të paguajë më shumë dhe e gjen vehten mes katër rrugëve”. Drejtorët sot drejtojnë me logjikën e gjobëvënësit, dhe as merren me planet dhe problemet e punës, pasi ato në shumicën e rasteve zgjidhen nga skalioni dytë, personi që caktohet si “nëndrejtori”, që mban korrepondencën, dergon email-et, merr porositë, transmeton urdhërat nga lart-poshtë dhe raporton mbi “të ardhurat” ditore dhe mujore. Ndërmarjet dhe zyrat e tyre janë kthyer në skuta të ndyra dhe të errëta ku jepen dhe merren paratë e korrupsionit, ku largohen dhe emërohen njerëz që nuk kanë as shkollim dhe shpesh edhe eksperiencë pune në jetën e tyre. Veterineri është bërë polic, dhe polici është ekspert mjedisi, hidrauliku është rritur në përgjegjësi duke u bërë shef sektori dhe roja e tregut është bërë magazinier dhe furnitor i ndërmarjes. Një ekspoze e zymtë e cila nuk jep shpresë fare për ndryshim, dhe për regjenerimin e kapaciteteve intelektuale në administratë dhe poste ndrejtuese, duke rritur së tepërmi tek njerëzit frymën e dëshpërimit dhe nevojën e largimit nga ky vend. Pasurimi i një pjese e cila ka kapur sot vendet dhe postet drejtuese nga qendra në bazë, duke patur si meritë të vetme militantizmin, abuzimi me pasurinë e shtetit dhe lekët e taksapaguesve, janë trokitjet e forta të një dekadence dhe degradimi të paevitueshëm drejt të cilit po shkon vendi dhe institucionet që po dalin jashtë kontrollit ligjor.
Sigal