Deputetët e PS-së i rrëzojnë ministrit Lleshaj ligjin: Jo ushtarakë, në radhët e Policisë së Shtetit

457
Sigal

Ministri i Brendshëm, ish-gjeneral Lleshaj ka pësuar humbjen e parë politike, pikërisht nga deputetët, socialistë, të cilët e votuan për ministër. Deputetët e Komisionit Parlamentar të Sigurisë kanë rrëzuar projektligjin e ministrit Lleshaj për Policinë e Shtetit, i cili i hapte rrugë përfshirjes së ushtarakëve në radhët e Policisë. Deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare e kanë cilësuar të papranueshme përfshirjen e ushtarakëve në radhët e Policisë së Shtetit, e veçanërisht në poste drejtuese të saj. “Nuk mund të militarizohet Policia, e aq me pak, t’i hapet rrugë kujtdo që të bëhet Drejtor i Përgjithshëm, apo zv.drejtor. Kjo është e papranueshme. Policia ka kapacitete në reformë dhe që kanë ikur me kërkesë, apo kanë fituar gjyqet. Të rikthehen në Polici”, – është shprehur deputeti Pjerin Ndreu. Burime nga mbledhja thanë se diskutimi është zhvilluar me tone të larta mes deputetëve dhe ministrit Lleshaj. Mësohet se deputetët socialistë kanë pranuar që në Policinë e Shtetit të përfshihen nga 1-3 për qind të ushtarakëve, por vetëm në ato sektorë për të cilat Akademia e Rendit nuk ka specialitete, siç janë Policia Kufitare, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, por jo për ato specialitete që studiohen dhe diplomohen në Akademinë e Rendit. “Ka sektorë ku mund të tolerojmë, por kurrsesi në Policinë Kriminale, të Rendit dhe Qarkullimit Rrugor. Në Polici mund të hyjë kushdo, por pas trajnimit në Akademinë e Rendit”, mësohet të jetë shprehur deputeti Ndreu. Nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare u kërkua që vërejtjet e deputetëve të reflektohen në draftin e ri që pritet të rishikohet nga Ministria e Brendshme.