Deputetët e PD-së braktisin mbledhjen, kërkojnë që Balla të mos përfaqësojë Shqipërinë

579
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kriza politike shqiptare zbarkon në Bruksel, apeli i BE-së për bashkëpunim

Deputetët e PD-së braktisin mbledhjen e Parlamentit Evropian, nuk pranojnë që Taulant Balla të përfaqësojë Shqipërinë

Ambasadorët Lu dhe Vllahutin përgjegjës të dështimit të reformave të integrimit

Shqipëria ka dështuar në reformat e integrimit. Treguesi më domethënës është dështimi i plotë i reformës në Drejtësi, e cila, edhe pse u votua unanimisht (ku ambasadori Lu përdori deri edhe presionet deri në kërcënime ndaj deputetëve të opozitës) ende nuk janë ngritur institucionet e reja të drejtësisë, Shqipëria ka gati 1 vit që nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Prokurorin e Përgjithshëm, BE nuk i hapi negociatat Shqipërisë për anëtarësim, sepse nuk Shqipëria nuk ka luftuar korrupsionin dhe krimin. Mirëpo, ambasadorët Lu dhe Vllahutin mbajnë përgjegjësi të plotë, sepse përherë kanë mbajtur një qëndrim të njëanshëm, duke përkrahur politikën e kryeministrit Rama, kanë shkruar raporte, duke “zbukuruar” situatën politike në favor të qeverisë shqiptare, kanë injoruar kundërshtimet e opozitës, nuk kanë folur kurrë për hashashizmin e Shqipërisë, nuk kanë kritikuar prerë inkriminimin e parlamentit dhe të pushtetit vendor me persona me rekorde kriminale, nuk kanë dënuar lidhjet dhe bashkëpunimin e zyrtarëve të larë me persona të botës së krimit, kanë heshtur kur kryeministri Rama shkeli edhe Kushtetutën derisa zgjodhi vetëm me votat e mazhorancës Kryeprokuroren e Përkohshme, nuk kanë dhënë përgjegjësinë politike për kolapsin në Drejtësi, nuk kanë evidentuar fajtorët politikë përse ende nuk janë ndërtuar institucionet e reja të drejtësisë, kanë heshtur për korrupsionin e qeverisë.

PD Opozita braktis mbledhjen e PE-së, nuk pranon Ballën bashkëkryetar

Debati mes politikës shqiptare ka kaluar kufirin shqiptar dhe kësaj here është zhvendosur në Bruksel. Genc Pollo dhe Taulant Balla kanë replikuar fort edhe në Parlamentin Evropian. Teksa Balla fliste përballë të pranishmëve, Pollo kërkon që komisioni të mos drejtohet nga Balla, ndërsa ka theksuar se kjo është e padenjë të jetë bashkëkryetar, duke kërkuar që të largohet Taulant Balla nga mbledhja. Mirëpo drejtuesja e Komisionit “kritikoi” Pollon, ndërsa ky i fundit bashkë me përfaqësuesit u larguan nga salla. Deputeti Pollo shpjegon, pse opozita u largua nga mbledhja e PE-së: “Është e padenjë që Balla të jetë bashkëkryetar. Turp për mazhorancën në Tiranë që nuk e ndërroi. Ne nuk mund të rrimë e të votojmë deklarata me thirrje kundër krimit të korrupsionit me Ballën në presidium. Eurodeputetët mund të mos kenë mekanizëm procedural për ta larguar Ballën. Por, siç e thanë, do zëne hundën me dorë e të vazhdojnë një orë punë. Dhe po i kërkojnë llogari ekzekutivit të tyre për skandalet e shumta të Ballës. Edhe pse kjo është hera e fundit me Ballën bashkëkryetar ne këtë parlament Me Ballën shef delegacioni parlamentar sabotohet integrimin evropian dhe silurohet hapja e negociatave vitin tjetër.

Reagimi i Ballës: Lulzim! Tërhiqe urdhrin për rrëmujë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, apelon kryetarin e Partisë Demokratike Basha që të tërheqë urdhrin për rrëmujë që u ka dhënë deputetëve, që janë pjesë e delegacionit të Shqipërisë në mbledhjen e Parlamentit Evropian. Taulant Balla: Lulzim! Tërhiqe urdhrin për rrëmujë, që u ke dhënë deputetëve të tu në delegacionin e Shqipërisë sot në Parlamentin Evropian. Mos e turpëro vendin tënd edhe hapur, se pas kuintave “me anonime” e bën përditë. Kolegët e PD-së duhet të dinë që në pushtet vjen nëpërmjet zgjedhjeve dhe votës së popullit, e cila vendos se kush do të qeverisë. Ne duhet të lëmë betejat tona në Shqipëri, dhe këtu të bashkojmë forcat me ju. Nëse akuzat e opozitës janë të vërteta, të më bëhet gjyqi këtu në Bruksel.

Fleckenstein-opozitës: Nuk e di nëse Balla është i mirë apo i keq, duam prova!

Raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein: “Unë nuk jam prokuror nuk jam gjyqtar. Mund të besoj, nëse Balla është një djalë i keq apo jo, por ne duam prova të gjithë kërkojnë prova dhe më pas mund të vendosim se si të komunikojmë. Kërkesa ime është bëni detyrat e shtëpisë shkoni tek prokurori.”, tha Fleckenstein.

Drejtuesja e komisionit të PE, Macovei: Braktisja është kundër vlerave evropiane

Drejtuesja e komisionit të PE, Macovei kritikoi veprimin e opozitës, për të lënë sallën. Ajo tha se ky vendim është kundër normave evropiane. “Kur bëjnë gabime kur bojkotojnë parlamentin, këto janë kundër vlerave evropiane. Nëse kërkojmë dialog konstruktiv, ku është ai?! Ata erdhën në këtë takim me paratë e shqiptarëve për të ngrenë një drekë dhe më pas ikën dhe ne këtu flasim për të ardhmen e shqiptarëve. Shqipëria duhet të plotësojë 5 kushtet për të hapur negociatat me Shqipërinë. E kam thënë disa herë në Shqipëri është koha që të gjitha partitë të jenë bashkë, për të mirën e qytetarëve shqiptarëve. Ju të gjithë bashkë duhet të jeni bashkë në Parlament, nëse nuk e bëni këtë nuk i shërbeni shqiptarëve”, – tha Macovei.