Deputetët e Elbasanit ankohen tek Rama: “Drejtorët nuk po na hapin as celularin”

495
Sigal

Drejtorët e PS në Elbasan takimet dhe zgjidhjen e problemeve i bëjnë në restorantet e shtrenjta në periferi të qytetit

Deputetët socialistë të Elbasanit, janë ankuar në grup tek kryetari i tyre Edi Rama njëherësh edhe Kryeministër i vendit, lidhur me sjelljen e drejtorëve të emëruar nga ata vetë. Ankesa sipas një burimi të sigurt nga Elbasani konsiston tek “sjellja e drejtorëve, arroganca e tyre në raport me deputetët, madje edhe me drejtuesit e degës lokale, kohët e fundit as celularët nuk po u hapin për të komunikuar, por më flagrante ka qenë lënia e një deputeti për plot 1 orë pas dere dhe në fund drejtori doli nga dera tjetër, duke inatosur ligjvënësin”. Prej afro 5 muajsh drejtorët e emëruar nga PS në Elbasan janë kthyer në çifligarë, takimet dhe zgjidhjen e problemeve po e bëjnë në restorantet e shtrenjta në periferi të qytetit, por ka takime që bëhen edhe në ndonjë nga lokalet e Tiranës, larg syrit të kureshtarit. Kjo situatë e krijuar ka detyruar deputetët socialistë të ndjehen të fyer dhe të poshtëruar, pasi prej 5 muajsh asnjë prej drejtorëve nuk u shkon në takim, asnjë prej drejtorëve nuk zbaton asnjë porosi (jo urdhër) për të punësuar qoftë edhe ndonjë roje porte, asnjë prej drejtorëve nuk shkon në mbledhjet e kryesisë, madje nuk po u hapin së fundi edhe celularin. Ankesa e deputetëve tek Rama jo më larg se 3-4 ditë më parë, duket se ka qenë jo vetëm për ti renditur Kryeministrit problematikat e lindura, por edhe për ti paraqitur atij propozimet e reja për zgjidhjen e kësaj situate. Deputetët socialistë një prej ankesave e lidhnin me faktin se “akoma në zyrat dhe vendet kyçe të institucioneve të shtetit, qëndrojnë njerëzit e Berishës, ndërkohë që anëtarë dhe militantë të majtë janë të papunë”. Duket se marrja e pushtetit ka shfaqur mes gjirit të socialistëve edhe në Elbasan “luftën klanore” dhe “betejën e bërrylave”, fenomen i njëjtë ky i shfaqur edhe tek PD 8 vjet më parë. Një tjetër shqetësim për deputetët socialistë në Elbasan mbetet LSI, e cila pavarësisht posteve dytësore, ka arritur të punësojë 3 herë më shumë militantë të tyre madje në institucionet ku drejtojnë të emëruarit e PS. Duke vlerësuar situatën e krijuar në Elbasan mësohet se Rama ka në plan (ndoshta rreth datës 4 tetor) një takim me disa prej ministrave që mbulojnë këtë qark, dhe do të kërkojë prej tyre zgjidhjen e shqetësimeve  të deputetëve, qoftë edhe duke larguar ndonjë drejtues “rebel”. Ndërkohë ka drejtues socialistë që shprehen se “listat dhe porositë e deputetëve nuk kanë të mbaruar”, duke e lidhur ankesën e tyre tek Rama me kërkesat e shumta për ti mbushur ndërmarrjet me nipër, motra, vëllezër e kushërinj, madje shumë prej tyre pa arsimin e duhur”. Por pavarësisht kësaj situate të krijuar e cila më tepër ngjan me parapërgatitjet e terrenit për të larguar të pabindurit, një gjë është e sigurt, institucionet e shtetit në Elbasan po tentohet të mbërthehen nga paaftësia, dhe korrupsioni me suport politik. Padyshim që edhe këtë fakt deputetët socialistë duhet t’ ja thonë Ramës, por jo në grup por veç e veç, për të bërë efektin e duhur.