Deputetët çamë, Kali i Trojës në opozitën e së Djathtës

450
Sigal

PDIU-ja kërkon  të shkojë në maxhorancë, në këmbim të ndonjë posti qeveritar

4 deputetët e PDIU-së, e thyen marrëveshjen e të Djathtës opozitare, për të mos marrë pjesë ne seancën parlamentare të djeshme dhe ishin të pranishëm në votim. PDIU-ja u ndodh në seancën e djeshme, jo për të votuar kundër, por, e gatshme, që të jepte votat e saj për të plotësuar 84, nëse maxhorancës, për njërën apo tjetrën arsye, do t’i nevojitej ndonjë votë. Si të thuash, PDIU-ja ishte në Parlament dje, në stolin rezervë të 84 votëshit, të domosdoshëm për maxhorancën. Dhe e vërteta është se, PDIU-ja votoi kundër, pasi u bë e qartë që maxhoranca i kishte 84 vota, edhe pa ndihmën e PDIU-së. E vërteta është se PDIU-ja, duke qenë në koalicion me të Djathtën, u favorizua edhe nga PD-ja, e cila futi në listat e saj, për deputet kryetarin e saj, Idrizin, por edhe bëri të mundur që 4 mandatet, e fituara nga ajo, u morën me një sasi votash më të pakta, krahasimisht me mandatin që do të merrte po të konkurronte jashtë aleancave.

PDIU pa ideologji, synimi është pushteti

Deputetët dhe udhëheqësit e PDIU-së, nuk e kanë fshehur asnjëherë ambicien e tyre politike, që të bëhen pjesë e kujtdo maxhorance qoftë. Këtë arsyetim politik, udhëheqësit e PDIU-së e kanë mbështetur në tezën që vetë PDIU-ja nuk është parti as e majtë, as e qendrës dhe as e djathtë. Madje, kanë shkuar më tej, duke braktisur tashmë edhe zanafillën ideore të qëllimit të kësaj partie: PDIU-ja nuk mund të kornizohet më vetëm te Çështja Çame, por e pagëzojnë si parti … kombëtariste shqiptare! Thua, që PDIU-ja të ketë mbaruar misionin e saj, të realizimit të Çështjes Çame, që, paskëtaj,  të kryejnë edhe detyrimin e një partie gjithëkombëtariste shqiptare?

PDIU-ja në koalicion elektoral me PD-në, me mendësi pushteti

PDIU-ja u rreshtua në maxhorancën e shkuar, duke e motivuar me qëllimin se në qeverisje mund të realizojë më mirë misionin e saj të vetëm, Çështjen Çame. Mirëpo, në 4 vjeçarin e bashkëqeverisjes me PD-në, PDIU-ja fare pak bëri për të arritur diçka për misionin e saj fisnik, të Çështjes Çame. Madje, edhe projekt/Rezolutën Çame, PDIU-ja u kujtua të çonte në Kuvend në vitin e fundit të mandatit bashkëqeverisës, për arsyet që vetëm ajo i di, pasi kurrë nuk i qartësoi kurrë dhe shumë pak ishte bindëse.  Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013, PDIU-ja u rreshtua në koalicionin e Djathtë, me mendësinë e të qenit në pushtet. Madje, të qenit në një koalicion partish, e bën PDIU-në, nga një parti të Çështjes Çame, e cila duhet të synojë të marrë vota nga një komunitet i caktuar, të bashkojë këtë komunitet, në një parti të rëndomtë politike, e cila peshkon votat e ngjyrimeve politike. PDIU-ja, duke qenë në koalicion partish, arriti që në zgjedhje të marrë mandat deputeti me një numër më të vogël votash, rreth 6.500 vota në Qarkun e Tiranës, e favorizuar nga Kodi Zgjedhor, krahasimisht me një parti që konkurroi jashtë koalicioneve, sikurse FRD-ja, e cila, edhe pse mori mbi 9.500 vota në këtë qark, nuk siguroi dot mandat për në Parlament.

Dashamir Tahiri: PDIU-ja nuk do të mungojë asnjëherë nga Kuvendi

Deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, dje deklaroi se : “PDIU-ja, këtej e tutje nuk do të mungojë nga asnjë senacë e Kuvendit, pasi e konsideron parlamentin si një vend pune, ku nuk mund të mungojë askush nga puna e tij”. Me sa duket, njëfarësoj, PDIU-ja pranon se do të jetë në Kuvend, në stolin e rezervave të votave të PS-LSI, për të arrijë 3/5, ose 93 votat e domosdoshme, që maxhoranca të bëjë edhe  ato ndryshime kushtetuese, sikurse, edhe zëvendësimin e Presidentit, apo kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.

Tashmë, nuk mund të fshihet më loja e dyfishtë që bëjnë udhëheqësit e PDIU-së, të cilët, në prapaskenë, por edhe haptazi, përpiqen me çdo kusht që të përfshihen në skemën qeverisëse të maxhorancës. Vetë udhëheqësit e saj, tashmë e thonë hapur që PDIU-ja, përveçse Çështja Çame zgjidhet vetëm duke qenë  ajo në qeverisje, por vetë PDIU-ja, është transformuar, për të qenë gjithnjë në pushtet, në parti kombëtariste, derisa kërkojnë votën e të gjithë shqiptarëve, pa dallim, duke u njësuar me një parti mbarë kombëtare e jo më përfaqësuese e një çështjeje jetike të  Komunitetit Çam.

  Flet për “Telegraf”

Deputeti i PR-së, Agron Duka

Unë nuk shkova në seancën parlamentare, sepse respektova vendimin e grupit tonë parlamentar dhe të opozitës. Me këtë rast zbatova detyrimin tim. Ndërsa në lidhje me prezencën e 4 deputetëve të PDIU-së në seancë, nuk mund të them asgjë, sepse nuk kam asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur atje.