Deputetë që kanë hartuar ligjin e pensioneve, i kërkojnë Fadil Kepit.. t’u sqarojë ligjin!

Disa ditë më parë, ishim duke pirë kafe me bashkëpunëtorin e përjavshëm të gazetës “Telegraf”, specialistin e mirënjohur të Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore, ekspertin Fadil Kepi, të cilit i telefonoi dikush. Pasi u përgjigj, na tha: 

- Ishte deputeti...! Kërkon të më takoj ai dhe disa deputetë të tjerë! Janë nga ata nuk janë më deputetë e duan të dalin në pension! Duan t’i sqaroj, si bëhen letrat dhe sa pension pleqërie e sa pension suplementar përfitojnë, për efekt funksioni të lartë shtetëror”!

Më çuditi kjo kërkesë për “sqarim të ligjit të pensionit”, mbasi vetë këta deputetë janë hartues dhe relatues të Ligjit të Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore. Pyeta profesor Fadilin: 

- Si është e mundur, që kërkojnë sqarime për ligjin dhe llogaritjen e pensionit të tyre, deputetët që e kanë bërë ligjin vetë?! 

Pasi buzëqeshi, mblodhi buzët e më tha: 
- Eh, ku dinë ata, se ç’është ligji për Sigurimet Shoqërore! Atyre ua kanë çuar projektin gati dhe i kanë urdhëruar ta firmosin qorrazi në grup! Ky deputet që më telefonoi mua është “lule”, se ka të tjerë që nuk dallojnë dot Ligjin nga VKM, urdhrin nga udhëzimi, shfuqizimin, nga amendimi”!

Më bëri përshtypje ky rast, mbasi pas çdo shkrimi kritik që bënim në “Telegraf” për pensionet, sigurimet sigurimet shoqërore e shëndetësore, ky deputet reagonte ashpër, madje edhe duke na interpretuar përmbajtjen e ligjit në fjalë dhe duke na sqaruar formulën e llogaritjes së pensionit! Pas çdo reagimi të tij, mendonim se duke qenë hartuesi dhe relatori i ligjit, ai duhej të ishte edhe “kompetent”! Pas telefonatës që i bëri Fadil Kepit, rezultoi se ai nuk di ta shpjegojë as vetë, ligjin që ka hartuar vetë! Mjafton ky episod, për të kuptuar realitetin që kemi denoncuar shpesh në “Telegraf”, që parlamenti shqiptar ka qenë i mbushur dhe po vazhdon të mbushet, me deputetë që nuk dinë të interpretojnë as ligjet që formulojnë vetë!

Ja 60 funksionarët e shtetit, që përfitojnë pensione të larta
1. President i Republikës 
2. Kryetar i Kuvendit
3. Kryeministër
4. Zv/Kryeministër 
5. Ministër 
6. Zv/Kryetari Kuvendit
7. Kryetar i Gjykatës Kushtetuese 
8. Kryetar i Gjykatës së Lartë
9. Prokuror i Përgjithshëm 
10. Kryetar i SHISH 
11. Shef i Shtabit të Ushtrisë
12. Gjeneralë Ushtrie 
13. Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale
14. Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi 
15. Komisioner për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil 
16. Zv/Kryetar i KLD
17. Kryetar i KLSH
18. Kryepolicë me gradën “Madhor”
19. Deputet i Kuvendit
20. Anëtar KQZ,
21. Anëtar Gjykata Kushtetuese 
22. Anëtar Gjykata e Lartë
23. Avokat i Popullit
24. Kryetar i ILDKPKI
25. Kryetari Akademisë së Shkencave
26. Sekretarët e Shtetit
27. Zv/Ministrat
28. Shef Kabineti i Kryeministrit
29. Drejtore Sigurimeve Shoqërore
30. Guvernator i Bankës së Shtetit
31. Zv/Guvernator i Bankës së Shtetit
32. Kryeinspektor i Bankës së Shtetit
33. Kryetar i Gjykatës së Apelit
34. Kancelar i Gjykatës së Lartë
35. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrisë
36. Drejtor i ISKSH
37. Drejtor i Shërbimeve Qeveritare
38. Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve
39. Drejtor i Doganave
40. Zv/Kryetar Akademia e Shkencave
41. Sekretar Shkencor i Akademisë së Shkencave
42. Zv/ Prokuror i Përgjithshëm
43. Shef Protokolli i Presidencës
44. Kryetar i Komitetit Olimpik
45. Drejtor i Përgjithshëm në Ministri
46. Drejtor i RTSH, 
47. Zv/Drejtor i RTSH
48. Drejtor i ATSH
49. Këshilltar Presidenti 
50. Këshilltar Kuvendi
51. Këshilltarët e Kryeministrit 
52. Këshilltar Ministri
53. Avokati i Shtetit 
54. Kryetar i Arbitrazhit të Lartë Shtetëror
55. Prefekt
56. Rektor Universiteti i Tiranës
57. Ambasador
58. Atashe Diplomatik
59. Kryetar Këshilli Qarku
60. Drejtor i Arshivës Qendrore