Departamenti i Shtetit braktis demokracinë në Shqipëri

577
Sigal

Ish-Ambasadori shqiptar në Uashington dhe OKB, Agim Nesho analizon për prestigjozen amerikane “Foreign Policy”: Shqipëria sot po përjeton një krizë kushtetuese dhe qeveria e “Rlindjes” është njollosur nga përgjimet e “Bild” që demaskojnë shitblerjen e votës. Qëndrimi i njëanshëm dhe jo demokratik i z. Palmer, bojkoti i votimeve dhe kush po i drejton burokratët rajonalë të DASH

Shumë është shkruar vitet e fundit për përkeqësimin e nivelit të demokracisë në botë dhe fillesat e të ashtuquajturit ‘recesion demokratik’. Ndërhyrja Ruse, ekspansionizmi Kinez, stanjacioni i Bashkimit Evropian dhe largimi i Shteteve të Bashkuara nga rendi botëror liberal që ajo vetë ndihmoi të ngrihej janë të gjithë faktorë që janë përdorur për të shpjeguar këtë tendencë.

Por ka edhe një tjetër faktor, delikat, njësoj të rrezikshëm, dhe të anashkaluar që gjithashtu kontribuon në instabilitet dhe në tatëpjetën e demokracisë sot. Ky faktor është konfuzioni, specifikisht konfuzioni rreth diplomacisë së administratës Trump. Konsidero rastin e Shqipërisë. Ndërhyrja e fundit e Departamentit të Shtetit në zgjedhjet lokale ktheu një konflikt minor politik në një situatë lehtësisht shpërthyese, pa ofruar një rrugëdalje.

Shqipëria sot po përjeton një krizë kushtetuese që nga shkurti 2019. Qeveria Socialiste në pushtet e Kryeministrit Edi Rama është njollosur nga një sërë përgjimesh të botuara në gazetën Gjermane “Bild”, që demaskojnë blerje sistematike votash dhe manipulim të zgjedhjeve të fundit parlamentare.

Koalicioni opozitar i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke vënë në diskutim legjitimitetin e zgjedhjeve të fundit parlamentare të 2017-ës dhe protestuar kundër korrupsionit të përhapur në qeverisjen Rama, hoqën dorë nga mandatet e tyre parlamentare, bojkotuan procesin politik derisa Rama të dorëhiqej dhe socialistët të krijonin një qeveri të re. Duke marrë parasysh përshkallëzimin e protestave dhe presionit popullor,

Presidenti Shqiptar Ilir Meta, anuloi dhe rivendosi një datë të re për zhvillimin e zgjedhjeve lokale në vend, duke ftuar si qeverinë ashtu edhe opozitën për negocimin e një zgjidhje për krizën. Por qeveria e drejtuar nga Rama insistoi me zhvillimin e zgjedhjeve me 30 qershor, duke orkestruar ato që vetë votuesit shqiptarë i përqeshën si ‘votime të stilit komunist pa mundësinë e zgjedhjes’. Socialistët në pushtet ishin kandidatët e vetëm në 35 nga 61 bashki, dhe në të tjerat u përballën me disa parti të vogla të majta dhe të qendrës së djathtë. Socialistët gjithashtu kanë iniciuar procesin e hetimit dhe shkarkimin e presidentit me pretendimin që ka vepruar në kundërshtim me kushtetutën duke anuluar votimin. (Gjykata Kushtetuese nuk mund të përfshihet për arsye se gjyqtarët e saj po i nënshtrohen procesit të vettingut.) Të gjitha këto veprime rrezikojnë ta kthejnë vendin në një shtet një-partiak, ku të gjitha institucionet e pushtetit – kryetarët e bashkive dhe këshillat vendorë, parlamenti, këshilli i ministrave, prokurori i përgjithshëm, presidenca dhe gjykatat – kontrollohen nga një parti, dhe përfaqësuesit e më tepër se gjysmës së elektoratit protestojnë për një proces të rregullt. Është një situatë shpërthyese dhe e paqëndrueshme.

Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit i Shtetit, ndërhyri në një mjedis tashmë të tensionuar parazgjedhor duke e përkeqësuar situatën.

Ndërhyrja e z. Palmer përmbante dy aspekte: konsiderimi i opozitës përgjegjëse për çdo dhunë dhe pranimi si të vlefshme i zgjedhjeve një partiake të 30 qershorit të kryera nga shumica qeverisëse.

Ndërsa mesazhi i parë është i kuptueshëm dhe i qartë, i dyti është në kundërshtim me të gjitha parimet demokratike. Palmer, i dyzuar, argumentoi se zgjedhjet fillimisht duhet të zhvillohen (pa pasur parasysh rrezikun e krijimit të një shteti unitar pa kontrolle dhe balanca), dhe më pas do të ishte krijimi i Gjykatës Kushtetuese që do të vendoste mbi vlefshmërinë e këtij votimi. Ai gjithashtu vendosmërisht sugjeroi që Shtetet e Bashkuara do të shkëpusin lidhjet me çdo parti, mbështetësit e të cilës angazhohen në akte të dhunshme, pa vlerësuar thelbin e ankesave të opozitës e të qënit e margjinalizuar në procesin zgjedhor. Një nga parimet bazë të qeverisjes kërkon pranimin si legjitime të institucioneve në mënyrë që ato të funksionojnë në mënyrën e duhur, pavarësisht nëse janë procese zgjedhore apo gjykata. Zoti Palmer i sugjeroi Shqiptarëve që ta injorojnë këtë parim pa vlerësuar konsekuencat e rrezikshme.

Deri në zgjedhjet e 30 qershorit, Shqipëria ishte një demokraci pa institucione funksionale që luftojnë për zgjedhje të drejta; që nga 1 korriku, falë rrugës së rrezikshme të ndërmarrë nga koalicioni Rama dhe ndërhyrjes së gabuar nga zoti Palmer, sot vendi nuk është as demokraci dhe as republikë.

Votuesit shqiptarë më 30 qershor e injoruan si qeverinë Socialiste ashtu edhe ndërhyrjen e zotit Palmer duke e abstenuar në heshtje procesin zgjedhor. Rezultati ishte pjesëmarrje historikisht e ulët me më pak se 20 % të elektoratit. Në analizën e vet thumbuese, misioni vëzhgues ndërkombëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim (OSBE/ODHIR), që vëzhgoi zgjedhjet lokale, arriti në përfundimin se ato u zhvilluan “pa marrë parasysh interesin e elektoratit”.

E gjitha kjo ngre pyetje serioze për Departamentin e Shtetit, i cili ende përkrah qëndrimin që Shqiptarët të pranojnë legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve. Mbi ç’bazë Shtetet e Bashkuara do t’i mohonin kërkesat për paanshmëri nga më shumë se gjysma e elektoratit, që ishte i pakënaqur nga ky proces zgjedhor? Pse të mos ndiqej rruga e kompromisit të ofruar nga presidenti legjitim i Shqipërisë? Nuk ka një zgjidhje të qartë për qasjen e ndjekur nga Z. Palmer dhe kolegët e tij të Departamentit të Shtetit.

Kjo çështje ngre disa pikëpyetje në një këndvështrim më të gjerë:

Kush kujdeset në Departamentin e Shtetit ndërsa Sekretari Pompeo është i fokusuar me iniciativat kyçe të politikës së jashtme?
Kush po i drejton burokratët e Shteteve të Bashkuara që luajnë një rol kyç në ruajtjen e stabilitetit të vendeve dhe rajonale fragile në botë, dhe mbi bazën e cilave parimeve?

Duket e qartë që mungesa e paprecedentë e konfirmimeve të nivelit të lartë në Departamentin e Shtetit po vuan pasojat.

Diplomacia e z. Palmer duket se nuk reflekton doktrinën e deklaruar të administratës Trump në respekt të vetë-vendosjes kombëtare (duke filluar me Amerika e Para). Por as nuk reflekton parimet e rendit liberal të ndjekura nga çdo President Amerikan që nga George H. W. Bush: promovimi i demokracisë dhe ndërtimi i institucioneve si mjete për të legjitimuar dhe zhvilluar një rend global të bazuar në demokraci dhe tregjet e lira. Sot, qytetarët shqiptarë, nga më pro-amerikanët në botë, po vënë në pikëpyetje qëllimet dhe kompetencën e partnerit të tyre strategjik.

Si shqiptar jam i shqetësuar nga ngërçi aktual në vendin tim dhe mundësia e një konflikti social. Si qytetar amerikan, jam i trazuar nga konfuzioni i shkaktuar nga diplomatët Amerikanë dhe rezultatet serioze të ndërhyrjes së tyre.

Së fundmi, një politikë e jashtme që nuk reflekton as doktrinën e “realizmit parimor” të administratës, as parimet e demokracisë liberale, është në thelb e konfuzuar. Është gjithashtu vulnerabël ndaj nënvlerësimeve të neglizhuara që mund të rezultojnë në përkeqësimin e demokracisë dhe dobësimin e pozicionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është pikërisht çfarë vihet re në Shqipëri sot.