Denoncohet nga PD, ikën drejtori i INSTAT-it

646
Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, denoncoi emërimet në administratë të individëve, që sipas saj, kanë kryer padrejtësi. “Emërimet e dyshimta të Edi Ramës në pika kyçe të administratës janë treguesi më i qartë se prapa fasadës dhe propagandës për “bashkëqeverisje me njerëzit e zakonshëm” qëndron tepsia e pushtetit të korruptuar. Rasti i Erjon Manohasës është tipik për një qeveri që predikon drejtësi, por mbështet dhe gradon ata që kryejnë padrejtësi. Për këdo që nuk e njeh, Erjon Manohasa ka qenë, deri para pak kohësh, Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, që menaxhon interesat multimilionere të shëndetësisë. Por drejtori i tepsisë së pushtetit, përfaqësues i PDIU-së, u shkarkua nga detyra me vendim gjykate “për shpërdorim detyre”, sepse dyshohej se firmosi një kontratë korruptive për një laborator hemodialize ne Durrës, që nuk plotësonte asnjë kusht për këtë shërbim jetësor për të sëmurët”, u shpreh Zhupa. Sipas saj, sot, sërish si pjesë e tepsisë së pushtetit, drejtori i shkarkuar Erjon Manohasa është emëruar përsëri drejtor. “Ai do të jetë në krye të Drejtorisë së Integrimit dhe Projekteve në Institutin e Statistikave. Thënë ndryshe, të dhënat statistikore që Bashkimi Evropian do të marrë nga Shqipëria janë në përgjegjësinë e të njëjtit drejtor që u hoqi të sëmurëve të drejtën e kurimit me hemodializë në spital, duke i detyruar ta bënin atë në një apartament që nuk plotësonte asnjë standard”, deklaroi zëdhënësja Zhupa. Sipas saj, rasti i Erion Manohasës si modeli i zyrtarit të shkarkuar nga gjykata për shpërdorim detyre me dyshime për korrupsion, nxjerr në dritë realitetin që fshihet nga propaganda qeveritare: Se tepsia e pushtetit jo vetëm nuk është çuar për skrap, por ajo ka vend për këdo që i shërben pushtetit të korruptuar dhe të inkriminuar të Edi Ramës. Ndërkohë, pas deklaratës së PD-së, Instituti i Statistikave deklaroi se Manohasa ka dorëzuar dorëheqjen nga detyra që mbante. “Nisur nga një reagim publik i një partie politike, lidhur me emërimin pranë Institutit të Statistikave të Erion Manohasës, sqarojmë se emërimi është bërë konform Ligjit për Nëpunësin Civil. Është e vërtetë se Erion Manohasa ka pasur një çështje gjyqësore, por çështja është pushuar dhe ai është punësuar sipas ligjit nga lista e pritjes së nëpunësve civilë. Duke u nisur, sidoqoftë nga domosdoshmëria për të mos lënë asnjë hije në integritetin absolut të INSTAT, si një institucion i një rëndësie të veçantë, Erion Manohasës i është kërkuar menjëherë dorëheqja, dhe ai e ka dhënë atë”, deklaroi INSTAT në një njoftim zyrtar.
Sigal