DENONCIMI PUBLIK NGA PROF. DR. MEHMET SPAHIU

948
Sigal

Një “Selam” për gjyqtaren Enkela Bajo (Vlora): Shihemi ne Vetting

Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, vendos detyrimin e të paditurit të njohë bashkëpronare  paditësen në një truall  pa titull pronësie, por që ka qenë dhe vazhdon të jetë  “Oborr në përdorim”.

Krijimi i Komisionit të Pavarur për Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, ngjalli shpresën dhe besimin e humbur për një pjesë të mirë të gjyqtarëve dhe vendimeve të tyre klienteliste dhe me nuanca korruptive. Mjafton të shohësh pasurinë e tyre marramendëse për të vlerësuar edhe vendimet dhe pasojat e këtyre vendimeve nga këta gjyqtarë që në vend të drejtësisë kanë prodhuar padrejtësinë dhe konfliktet si brenda familjeve, komunitetit dhe dëmtimin e interesave shoqërore dhe  kombëtare. “Telegraf” prej kohësh ka qenë në qendër të trajtimit të një pjese të mirë të  skandaleve dhe problematikave që kanë lindur nga shqetësimet qytetare dhe ankimimet e tyre si në redaksi ashtu edhe në portalet e qeverisë dhe institucioneve të tjera të administratës shtetërore. Tre nga shtyllat bazë të pastërtisë së një gjyqtari apo prokurori kanë të bëjnë me figurën e pastër morale, atë profesionale dhe pasurinë që gëzon subjekti së bashku me familjarët e tij. Sot po bëjmë publike një denoncim të Prof. Dr. Mehmet Spahiu në lidhje me figurën profesionale dhe vendimet e dhëna në çështjen e gjykuar nga gjyqtarja Enkela Bajo-Vlora. Në deklarimin e bërë publik Prof. Spahiu  me banim në  Tiranë , denoncon procesin farsë të zhvilluar nga  gjyqtarja  Enkela Bajo, e cila merr përsipër një aventurë të paparë, me një kosto të madhe mbi supe, së bashku me dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues. Kjo gjyqtare, në cilësinë e kryetares së Trupit Gjykues, vendos detyrimin e të paditurit të njohë bashkëpronare paditësen znj. Nimete Meça, në një truall pa titull pronësie, por që ka qenë dhe vazhdon të jetë “Oborr në përdorim”.  Sipas qytetarit  Mehmet Spahiu, një figurë e shquar e jetës publike, qytetare në kryeqytet, por edhe e botës akademike, dyshimet  për këtë vendim skandaloz kanë ardhur  prej gjyqtares Bajo për dy arsye:

Së pari ka shumë të ngjarë që kemi të bëjmë me mitmarrje?!

Së dyti për ndonjë bashkëpunim të fshehtë  për interesa reciproke me titullarët e saj, të cilat do t’i faktojmë në organet kompetente të ngritura për këtë qëllim (Vetting, SPAK, Byroja e Hetimit)?!

Në ankimimin e vet  Prof.Spahiu tregon se si ka rrjedhur ngjarja:

Më datë 10.12.1978 bëhet një kontratë pjesëtimi e një shtëpie banimi në rrugën “Zenel Baboçi”, Nr 33 Tiranë me NR 948 dhe 488 Kol e regjistruar në hipotekë me dt.10.12.1978 me Nr.323. Më pas ankuesi merr një kredi bankare prej 13 mijë lekësh (130.000 lekësh të vjetra për kohën) dhe bën ndërtim shtesë dhe meremetim banese. Pas shlyerjes së kredisë bankare, dy motrat i dhurojnë ankuesit nga 1/3 pjesë takuese të shtëpisë ekzistuese. Duke administruar dokumentet zyrtare që nevojiteshin, ankuesi regjistroi shtëpinë e banimit në ZRPP si pronar i vetëm. Pas 12 vjetësh paditësja depoziton një padi në gjykatë me objekt “Detyrimin e të paditurit për të më njohur bashkëpronare në një truall”, sigurimin e padisë duke bllokuar çdo veprim të mundshëm mbi pronën në ZVRPP. Më pas paditësja dorëzon një shtesë padie për pavlefshmëri të kontratës së dhurimit.

Për shqyrtimin e kësaj çështje gjyqtarja Enkela Bajo u mendua gjatë. Pasi u konsultua me prapavijën e kësaj çështjeje ajo vendosi:

  1. Konstatimin e pavlefshmërinë së kontratës së dhurimit me nr.4923 REP, 1495 KOL me dt. 31.08.1992 dhe kthimin në gjendjen e mëparshme.
  2. Detyrimin e palës së paditur Mehmet Spahiu, të njohë palën paditëse Nimete Meça bashkëpronare mbi një truall (Oborr në përdorim) me sipërfaqe 636 m2 të ndodhur në zonën kadastrale 8360 etj.

Gjyqtarja Enkela Bajo nuk ka pasur as vullnetin më të vogël për të lexuar me vëmendje padinë, në të cilën vetë paditësja ka deklaruar dhe ka shprehur vullnetin e saj para trupit gjykues se i ka dhuruar vëllait të saj 1/3 pjesë takuese të shtëpisë prej 73 m2. Në faqen 2 të padisë, në rreshtatë 1, 2, 3 paditësja deklaron se ka dhuruar pjesën e saj të shtëpisë. Në faqen 3 të padisë në rreshtat 7, 8, 9, 10, 11 paditësja saktëson edhe një herë para trupit gjykues dhurimin e pjesës së saj takuese nga shtëpia prej 73 m2. Po në faqen 3 të padisë paditësja kërkon:

  1. Pranimin e kërkesë padisë
  2. Detyrimin e të paditurit për të më njohur bashkëpronare të një trualli të ndodhur në Rrugën “Zenel Baboçi”, nr 33.
  3. Sigurimin e padisë duke bllokuar çdo veprim në ZVRPP.

Më pas paditësja dorëzon një shtim në padi duke kërkuar pavlefshmërinë e kontratës së dhurimit. Shihet qartë që paditësja insiston 3 herë radhazi me padinë e saj para trupit gjykues, se e ka dhuruar pjesën e saj të shtëpisë, por gjyqtarja Enkela Bajo nuk është dakord me vullnetin e paditëses, madje nuk do t’ja dijë dhe i bën të qartë paditëses, që ti e ke dhuruar por unë nuk jam dakord?! Kontrata është e pavlefshme.

Absurditeti më i madh dhe i paparë ndonjëherë në drejtësinë shqiptare, madje as nga vampirët e kësaj drejtësie është vendimi i Enkela Bajos: Detyrimin e palës së paditur të njohë bashkëpronare mbi një truall (Oborr në përdorim) me sipërfaqe 636 m2 të ndodhur në Rrugën “Zenel Baboçi” nr 33.

A e di kjo gjyqtare se për efekt të Kushtetutës së vitit 1976 si dhe të Dekretit “Mbi Mbrojtjen e Tokës” Nr 4823, datë 02.03.1971, neni 2, parashikon që tokat jobujqësore, janë tokat që janë zënë nga ndërtesat e ngritura mbi to, si dhe oborret, avllitë e ngritura në to, që janë baras me tokën që zë secila ndërtesë, por jo më shumë se 200 m2. Pjesa tjetër mbi sipërfaqen e parashikuar nga ky dekret është tokë në përdorim pa titull pronësie. Që nga data 10.12.1977, që prona jonë është regjistruar “Oborr në përdorim” dhe gjatë gjithë procesit gjyqësor në të gjitha shkallët, toka ka qenë “Oborr në përdorim” dhe e tillë vazhdon të jetë edhe deri më sot. Megjithatë, edhe pse pala e paditur nuk ka titull pronësie mbi këtë “Oborr në përdorim”, Enkela Bajo ka vendosur: Detyrimin e palës së paditur që të njohë palën paditëse Nimete Meça bashkëpronare mbi një  truall “Oborr në përdorim” prej 636 m2, të ndodhur në Rrugën “Zenel Baboçi” nr 33 Tiranë. I padituri di vetëm një fakt, bashkëshorti i paditëses Agim Meça është xhaxhai i ish-Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, asokohe në detyrë. Nëse ka ndikuar apo jo ish-shefi I saj në këtë palo proces gjyqësor dhe në këtë sipërmarrje mafioze, këtë e di vetëm gjyqtarja Enkela Bajo, e cila e ka shpallur këtë vendim, më dt 14.02.2005 në Tiranë.

Manipulimi më i rëndomtë i këtij procesi gjyqësor

Në seancën gjyqësore të radhës, më datë 11.01.2005, pala e paditur kishte përgatitur prova të reja nëpërmjet të cilave do të argumentonte pretendimet e veta, duke përfshirë dhe fitimin e sendit nëpërmjet parashkrimit fitues. Pala e paditur u paraqit në gjykatë në orën 11.00 sipas përcaktimit të orarit në seancën e mëparshme. Në mënyrën më të habitshme, gjyqtarja njofton se seanca gjyqësore kishte qenë në orën 10.00 dhe ajo kishte përfunduar. Në këtë seancë gjyqtarja kishte mbyllur edhe hetimin gjyqësor. Të ndodhur përpara këtij manipulimi spektakolar të procesit, pala e paditur e pa të arsyeshme për të bërë një kërkesë për riçelje të hetimit gjyqësor. Bazuar në nenin 304 të Kodit të Procedurës Civile për riçeljen e hetimit gjyqësor, me datë 17.01.2005, pala e paditur dorëzoi pranë kësaj gjykate kërkesën  për të paraqitur provat, të cilat kishin rol të rëndësishëm në shqyrtimin objektiv të kësaj çështjeje. Gjyqtarja Enkela Bajo nuk ishte e interesuar për të pranuar prova të reja, sepse  argumentet dhe transparenca në këtë çështje gjyqësore nuk përputheshin me “misionin mafioz” që kishte marrë përsipër kjo gjyqtare në dhënien e vendimit në favor të xhaxhait të kreut  të gjykatës. Po sikur të mos mjaftonte kjo, në një tjetër çështje, edhe më skandaloze dhe që do ta denoncojë në ditët në vijim, përsëri gjyqtare ishte Enkela Bajo-Vlora. Megjithëse I kërkuam të mos gjykonte, sepse ende kishim një çështje me të, ajo nuk u tërhoq. Në këto kushte dhe për këto veprime i jam drejtuar Komisionit të Vetingut dhe zonjës së nderuar Kalavera, duke i premtuar që do të jem në rreshtin e parë të denoncimit për gjyqtaren Enkela Bajo-Vlora, kur ajo të jetë në gjykim nga Vetingu, megjithëse paraprakisht dokumentacionin e kam depozituar sipas të gjitha rregullave pranë këtij Komisioni.