Denoncimi: Në makinë me Orest Sotën ka qenë Saimir Tahiri

561
Ish-kryeministri Berisha deklaron në Kuvend se ish-ministri i Brendshëm ndodhej në automjetin ku u gjetën 863 mijë euro: Balili ka videot e orgjive 
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në Kuvend se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ndodhej në automjetin e Orest Sotës, i cili u arrestua në fillim të nëntorit në Elbasan me 863 mijë euro. Gjithashtu, në makinën e Sotës efektivët e policisë ndodheshin edhe dy patenta për drejtim mjeti lundrues, në emër të Saimir Tahirit. Ish-shefi i qeverisë akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama se kishte dijeni për trafikun e drogës, pasi ishte informuar nga shërbimi sekret. “Dilni e filloni me hipokrizira vetëm për të mbuluar Tahirin. A tha ky njeri (Rama) se s’ka pasur dijeni? A u publikuan raporte, sipas të cilave SHIK e kishte informuar për 127 oficerë madhorë të policisë që merreshin me mbjelljen dhe trafikun e drogës? A tha Tahiri se nuk e njihte Orest Sotën? Pa shkoni merrni pak videon e ditëlindjes së tij në lokalin e kunatit se si hedh vallen Oresti, si krushk i parë aty”, u shpreh Berisha. Ndër të tjera, Berisha deklaroi se Spartak Braho, këshilltar i kryeministrit, është takuar me kreun e policisë së Elbasanit, Altin Qato, pas arrestimit në Elbasan të sipërmarrësit Orest Sota. “Pa na thuaj pak për çfarë e çove Spartak Brahon të nesërmen e kapjes së parave, tek drejtori policisë Qato. A e dini se thonë që në makinë me Sotën ka qenë vetë Saimir Tahiri? A e morët vesh se ka çuar Agaçion (Ëngjëll Agaçi, shën.red) për t’i nxjerrë në Katania dokumentin e falsifikuar”, u shpreh Berisha. Ai shtoi: “Pas një jave na dolën 850 mijë euro dhe dy patentat e Saimir Trafikut. Tani më thonë që në makinë mund të ketë qenë vetë Saimiri. Nuk lëshove një fjalë për të”, tha Berisha. Ish-kreu demokrat foli edhe për ekzistencën e videove të regjistruara në hotelin “Santa Quaranta” në Sarandë, në pronësi të familjes Balili. “Po ore po, po Balili të ka në grusht ty. Videon e orgjive të tua në ‘Santa Quaranta’ ia ka dërguar të gjithëve”, u shpreh Berisha. Ai shtoi se Tahiri i ka bërë presion Ramës për të mos lejuar arrestimin. “Saimir Tahiri të tregoi kartonin e kuq ty, të sfidoi nga Blendi Fevziu, të tha se do bëj Edmond Dantesin dhe se të gjithë ata që e lëshuan do bien aty ku e meritojnë, të solli Gazin (Demin) në mesnatë dhe të tha, mos gabo, se tërmeti prej tij është i tmerrshëm. Të numëroi Xibrakën dhe të gjitha çështjet e tjera me radhë. Atëherë ndryshoi gjithçka. U bë e paqenë dosja”, tha Berisha. Sipas ish-kryeministrit, kur partnerët ndërkombëtarë i kanë thënë opozitës se çështja “Tahiri” do të jetë kusht kryesor për integrimin. “Kur na e thonë ne, ju garantoj se atij ia thonë tre herë më shumë”, deklaroi Berisha. Ish-kryeministri tha se Xibraka është një dosje e tmerrshme. “Unë ju kam sjellë këtu udhëtimin e vëlla Olsit, pesë herë me makinën e transportit të kokainës, këtu të fotografuara i kam të TIMS”, tha Berisha.

Sipërmarrësi Orest Sota ndodhet në arrest dhe hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërsa dosja e tij është bashkuar me atë të ish-ministrit të Brendshëm. Organi i akuzës e cilëson Tahirin si pjesëtar të një grupi të strukturuar kriminal, që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali. 
Sigal