Denoncimi: Ministrat, në përgjimet e aferave kriminale e korruptive. Dosja “Tahiri” në Gjykatën e Lartë

559
Ministrat e Ramës, në përgjimet e aferave kriminale
Opozita akuzon Ahmetajn dhe Gjiknurin se kanë komunikuar për çështje korruptive dhe materiali ndodhet në dosjen e prokurorisë
Opozita ka deklaruar se qeveria “Rama” mund të përballet me një furtunë e re, pas asaj të çështjes “Tahiri” të tetorit të shkuar. Sipas nënkryetari i Kuvendit dhe deputetit demokrat, Edi Paloka, në duart e prokurorisë ndodhet një material përgjimi, ku bëhet fjalë për implikimin e dy ministrave në afera kriminale e korruptive. “Në media ditët e fundit janë ngritur akuza publike se prokuroria zotëron përgjime të dy ministrave Ahmetaj dhe Gjiknuri në komunikime me personazhe, të cilat i implikojnë këta dy ministra në afera kriminale dhe korruptive, lidhur me çështjen e inceneratorëve. Biseda, ku flitet për shuma të mëdha parash dhe zgjedhjet parlamentare”, shprehet Paloka në një deklaratë. Sipas tij, ministri i Financave dhe ai i Infrastrukturës e Energjisë janë shumë të afërt me kryeministrin. “Pas Saimir Tahirit, këta dy ministra njihen si dora e Ramës në aferat e tij më të zeza. Jo më kot për këta të dy u krijuan dhe dy superministritë, të cilat praktikisht përmbledhin shumicën absolute të fondeve të gjithë qeverisë. Informacione mbi ekzistencën e përgjimeve të këtyre ministrave vijnë dhe nga burime të tjera”, tha Paloka. Ai kërkoi edhe reagimin e organit të akuzës, ndonëse mbetet ende e paqartë në çfarë faze të hetimit mund të jetë prokuroria për materialin e përgjimit që pretendon opozita. “Prokuroria duhet patjetër të reagojë e të prononcohet, në se janë apo jo të vërteta çfarë ngrihet nga mediat dhe pse nuk veprohet. Çfarë pritet që Rama të sanksionojë me ligj paprekshmërinë e ministrave të tij, duke legjitimuar rastin Tahiri???”, shprehet deputeti demokrat. 

Ekzistenca e përgjimeve të ministrave është publikuar së pari nga gazetari Basir Çollaku. Edhe pak ditë më parë, deklarata e tij tërhoqi vëmendjen e të ftuarve në panelin e emisionit “Kapital”. Duke diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe reformën në drejtësi, Çollaku deklaroi se anëtarët e qeverisë kanë folur në këto përgjime për sasira parash. “Në Elbasan ka një dosje ku janë të përfshirë dhe dy emra ministrash që kanë dalë nga përgjimet e një subjekti tjetër. Edhe pse nga transkriptimet janë zbuluar emrat e tyre, ata nuk janë thirrur nga prokuroria. Dy ministra të qeverisë së sotme kanë folur me subjektin për sasira parash. Kjo dosje është në prokurorinë e Elbasanit, por ka shkuar dhe në gjykatë”, është shprehur Çollaku. Ai ka shtuar se nuk preferon t’i thotë emrat e ministrave, pasi do të donte që të fliste me fakte dhe dokumente, që sipas tij, i disponon edhe ai vetë. Megjithatë ka qenë opozita e cila ka përmendur emrat e dy anëtarëve të qeverisë. Ata u konfirmuar në detyrë nga kryeministri edhe në mandatin, duke “përfituar” edhe nga zgjerimi i ministrive. 
Sigal