Denoncimi: Ja si mafia shtetërore e kreut të bashkisë kontrollon gjithë qytetin e Pukës

204

Një qytetar nga Puka ka denoncuar Kryetarin e Bashkisë Pukë Gjon Gjonaj për veprime abuzive dhe vendosjen e gjithë qytetit të Pukës nën ‘kontrollin’ e njerëzve të tij. Denoncimi është bërë publik nga ish-Kryeministri Sali Berisha: Denoncohet mafia shtetërore e Pukës me në krye kryetarin e Bashkisë Gjon Gjonaj! Lexoni mesazhin e qytetarit digjital! sb. “Përshëndetje, doktor Berisha! Duke qenë besimplotë se adresimi i çështjes së mëposhtme tek Ju, si “institucioni” më i rëndësishëm dhe më influent në denoncimin e zullumeve të zyrtarëve të administratës dhe të drejtuesve të saj anekënd Shqipërisë, po të referoj një situatë shumë shqetësuese që ndodh në Pukë. Që me zgjedhjet e vitit 2015, ku u zgjodh kryetar i bashkisë Pukë Gjon Gjonaj, një emër i njohur në procesverbalet e policisë për vepra të ndryshme penale, është instaluar një kastë kriminale në drejtim të institucioneve lokale, e cila vjedh dhe zhvat qytetarët me çdo formë dhe mjet. I tillë është rasti i përgjegjësit të OSSHE -së Pukë Z. Ndue Nikolli, i cili në paligjshmëri të plotë dhe përmes një skeme korruptive ka krijuar një sistem abuziv mbifaturimi të faturave të energjisë elektrike në kurriz të abonentëve familjarë dhe e gjitha kjo bëhet për të mbuluar humbjet që vijnë nga favorizimet ndaj biznesit të kryetarit të bashkisë. Z Berisha, kapja e administratës lokale nga shpura e kryetarit të bashkisë Pukë, është në kufijtë e alarmantes, por qytetarët e “ngratë” nuk mund ta ngrenë zërin, sepse ndjehen të kërcënuar nga brutaliteti dhe ashpërsia e bandës kriminale të Gjon Gjonajt. Mjafton të evidentosh faktin e “çuditshëm” se në krye të dy institucioneve lokale, me një peshë specifike për përmbushjen e qëllimeve ogurzezë të kryetarit të bashkisë Pukë, janë dy vëllezër; Ndue Nikolli, përgjegjës i OSSHE-së Pukë dhe Gjovalin Nikolli, përgjegjës i zyrës vendore të regjistrimit të pasurive Pukë.