Denoncimi i PD-së: Spiropali nga Doganat, mori 5 milionë euro dhe u bë deputete. Hetim shtëpisë 100.000 euro në Lungomaren e Vlorës

633
Sigal

PD-ja ka filluar të bëjë vettingun publikisht, duke publikuar fakte të pasurimit material të deputetëve socialistë. Dhe dje PD-ja i bëri vetting Elisa Spiropalit, e cila është zëdhënësja e Rilindjes Socialiste dhe nënkryetare e Grupit Parlamentar të PS-së. Deputetja e PD-së Orjola Pampuri ka deklaruar se Elisa Spiropali shfrytëzoi postin në doganë për t’u bërë pjesë e politikës, ndërsa shtoi se Ervin Bushati i shiti pronën Linda Ramës, aty ku kryeministri ndërtoi vilën në Surrel. “Deputetja e PS-së Elisa Spiropali iu shtua sot listës së shërbëtoreve të oborrit të Edi Ramës për të sulmuar me të pavërteta opozitën, në mënyrë që të mbrojë pasurinë e saj personale. Është fakt i njohur botërisht se Elisa Spiropali u bë deputete pasi u publikuan të dhëna se e shfrytëzoi postin në dogana për të vënë 5 milionë euro pasuri të paligjshme. Elisa Spiropali nuk ka dhënë akoma asnjë shpjegim, se më çfarë parash ka blerë një makinë luksoze, që kushton rreth 100 mijë euro. Elisa Spiropali nuk ka dhënë akoma shpjegim sesi e ka blerë familja e saj apartamentin luksos buzë Lungomares në Vlorë. Elisa Spiropali bën shërbëtoren e Edi Ramës për të sulmuar me të pavërteta opozitën, për të mbrojtur pasurinë e saj të paligjshme dhe pozicionin e bashkëshortit të saj si anëtar i bordit të shoqërisë shtetërore “Albgaz”, që menaxhon interesa prej miliona eurosh në fushën e gazit. Me vettingun që propozon PD-ja Elisa Spiropali largohet nga politika. Por nuk është e vetmja. Ervin Bushati, një shërbëtor tjetër i oborrit të familjes së Edi Ramës, ka një perandori për të mbrojtur me sulmet e pavërteta kundër opozitës. Familja e Ervin Bushatit i ka shitur Linda Ramës, tokën ku Edi Rama ka ndërtuar sarajet luksoze në Surrel. Me dy kontrata të veçanta vjehrra e Ervin Bushatit i ka shitur Linda Ramës tokën me çmim qesharak. Ervin Bushati sillet si mercenar i Edi Ramës, sepse do të mbrojë pasurinë që i buron nga kompania e tij e ndërtimit dhe nga aksionet në bankën Credins.”, – u shpreh deputetja Pampuri.