Sigal

Pardje Kuvendi, vetëm me votat e mazhorancës rrëzoi dekretin e Presidentit për projektligjin “Për Lojërat e Fatit”, ku qeveria i bën lehtësira fiskale biznesit të kazinove, edhe pse në vitin 2017, këto biznese ishin ndër 10 bizneset me fitime më të mëdha, ndërkohë, që çdo ditë në Shqipëri mbyllen 45 biznese, për shkak të mungesës së konkurrencës dhe barrës së madhe fiskale dhe të paqëndrueshme, pasi qeveria e ndryshon shpeshherë, edhe brenda një gjashtëmujori.

PD-ja: Ja skema si pastrohen paratë me lojërat e fatit

PD-ja dje zbardhi skemën sesi vëllezërit e kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, Olsi Rama dhe Agron Xhafaj, me mbështetje politike të fuqishme, po pastrojnë dhe përfitojnë para nga lojërat e fatit: Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të fituar dhe për të pastruar paratë e krimit dhe të drogës nëpërmjet lojërave të fatit, të kontrolluara nga vëllezërit e tyre. Fatmir Xhafaj bllokoi në komision ligjin e lojërave të fatit për 8 muaj për interes të kompanive të vëllait Agron Xhafaj, të fshehura pas emrave të dy anëtarëve të bandës. ? Kompania e Agron Xhafajt me Ecobet, Eurolive, etj janë shtuar me 2176 pika që nga viti 2014. Kompania e ortakut të Olsi Ramës me firmën e Edi Ramës do të fitojë miliona euro nga koncesioni i monitorimit të sistemit online të lojërave të fatit. Lidhja me krimin e organizuar dhe aktivitetin kriminal të pastrimit të parave të krimit, arsyeja e vërtetë pse Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj refuzojnë vettingun e politikanëve?

Ja si pastrojnë dhe fitojnë para me lojërat e fatit

PD: “Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj kanë përdorur pushtetin politik për të fituar dhe për të pastruar paratë e krimit dhe të drogës nëpërmjet lojërave të fatit. Dy njerëzit më të pushtetshëm të vendit, kanë ofruar mundësi korruptive dhe mbrojtje politike për vëllezërit e tyre. Olsi Rama dhe Agron Xhafaj në fushën e bixhozit dhe të lojërave të fatit. Fatmir Xhafa si kryetar i Komisionit të Ligjeve në vitin 2015 bllokoi ligjin për mbylljen e lojërave të fatit në qytete duke detyruar që të dalin nga tregu biznesmenë të ndershëm dhe të suksesshëm, që kishin mbi 25 vite, për t’i përqendruar lojërat e fatit në dy ose tre duar. Lojërat e fatit jo vetëm nuk u mbyllën por u shumëfishuan nën presionin e kryetarit të atëhershëm të Komisionit të Ligjeve. Fatmir Xhafaj e bllokoi për tetë muaj në Komisionin e drejtuar nga ai ligjin, derisa bënë marrëveshje për ndarjen e tregut të bixhozit. Ndonëse ligji u paraqit për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve në prill të vitit 2015, Fatmir Xhafaj, si kryetar i Komisionit të Ligjeve e bllokoi atë deri në nëntor 2015, duke e bërë atë ligjin që ka qëndruar më gjatë në Komisionet parlamentare në historinë e Parlamentit.

Deputeti Alibeaj: Pse nuk ka vepruar ligji AntiMafia?

Pjesë e bandës së Agron Xhafajt janë edhe dy bashkëpunëtorë të ngushtë të tij, vëllezërit Besnik dhe Gramos Murataj, të dënuar, gjithashtu, për pjesëmarrje në krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtar droge. Ky është vendimi i gjykatës italiane ku vërtetohet se vëllezërit Besnik dhe Gramos Murataj janë pjesë e bandës së Agron Xhafës, të arrestuara dhe dënuar në Itali për pjesëmarrje në krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtar droge. Bashkëpunëtorët e Agron Xhafajt, vëllezërit Murataj, janë pronarë të dy kompanive të basteve. Njëra prej kompanive, ITGSA është më e njohura ne tregun e bixhozit dhe njihet me disa emra si Ecobet, Eurolive. Për këta dy të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, duhet të kishte vepruar Ligji Antimafia për të verifikuar burimin e pasurisë së tyre. Por deri tani ligji nuk ka vepruar për kompaninë e regjistruar me emrin e dy trafikantëve të drogës. Nga vitit 2015 deri ne vitin 2018, Ecobet, Eurolive, brenda 5 vjetëve ka shumëfishuar aktivitetin ne tregun e bixhozit, duke hapur 2176 pika të reja bixhozi. Koncesioni i monitorimit online të pikave të basteve i siguron Olsi Ramës miliona euro fitim, sepse i vëllai kryeministër detyron me ligj pikat e basteve të bëjnë pagesën e mirëmbajtjes së sistemit tek kompania monopol e tij, që pastron paratë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shqiptarët e kanë parë se si Edi Rama i trembet vettingut të politikanëve njësoj si dekriminalizimit dhe nuk pranon që për politikanët të zbatohet i njëjti standard i përcaktuar për gjyqtarët, prokurorët, punonjësit e Policisë dhe Gardës së Republikës.