Sigal

Mafia e ilaçeve bleu 4.5 mld lekë barna afër afateve të skadencës

Jakup B. GJOÇA

Kohën më parë gazeta “Telegraf” ka shkruar për skandalin e blerjes së ilaçeve afër skandencës nga spitalet publike, që tani ato gjenden në depot e spitaleve. Me këto ilaçe të skaduara, koncesionari dhe drejtuesit ndajnë paratë, sepse, në spitalet publike detyrojnë pacientët të blejnë ilaçet, duke u thënë që spitali nuk ka ilaçe, dhe ilaçet e blera nga pacientët faturohen si ilaçet që jep spitali. Koncesionarët sjellin në spitale, vetëm doza të vogla të ilaçeve, ndërsa depot janë të mbushura me ilaçe të skaduara, që as merren nga koncesionarët, por as asgjësohen.

Denoncimi nga PD-ja

Partia Demokratike i ka bërë thirrje Prokurorisë të hetojë skandalin e ilaçeve të skaduara të depozituara në QSUT dhe përgjegjësen kryesore të grumbullimit të tyre, Ogerta Manastirliun, e cila dje si drejtore e QSUT dhe sot si ministre e Shëndetësisë, bleu me 4.5 miliardë lekë ilaçe afër afatit të kadencës. Deputeti Bardh Spahia dha një deklaratë për shtyp, lidhur me këtë skandal, ku i bëri thirrjen Prokurorisë të hetojë për mafien e ilaçeve: “Pak kohë më parë, një investigim i agjencisë së lajmeve BIRN, zbuloi se 15 ton apo 93 % e ilaçeve në farmacinë qendrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, janë të skaduara.

Spahia: 3 pyetje për ministren e Shëndetësisë

Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT-ja sot e kësaj dite nuk kanë dhënë asnjë shpjegim: Pse është krijuar ky mal me ilaçe të skaduara? Sa prej tyre u janë dhënë pacientëve? Kush ka përfituar nga mali i korrupsionit me ilaçe të skaduara?

Nuk ka asnjë dyshim se përgjigjet e këtyre pyetjeve të çojnë të paktën tek 1 emër përgjegjës: Ogerta Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë, e cila, para kësaj detyre, ka qenë Drejtoresha e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është përgjegjësja kryesore për shndërrimin e QSUT-së në koshin e mbeturinave të ilaçeve të skaduara. Shqiptarët duhet ta dinë se pjesa më e madhe e malit me ilaçe të skaduara në QSUT, me etiketën “dhuratë”, janë, në fakt, një mal i madh korrupsioni për të favorizuar Mafian e Ilaçeve, klientë të pushtetit. Në këtë rast, depoja farmaceutike e QSUT është përdorur si kosh plehrash për të pastruar depot e disa kompanive private dhe për t’u kursyer atyre qindra milionë lekë për asgjësimin e ilaçeve të skaduara.

Cilat kompani blejnë ilaçet e skaduara?

Prandaj, Ogerta Manastirliu duhet të tregojë sot:Tek cilat kompani ka blerë ilaçe me afat të afërt skadence? Nga cilat kompani ka pranuar gjoja dhuratë, duke i çliruar ato apo ortakët e tyre jashtë Shqipërisë nga kosto e lartë e asgjesimit. Ku janë depozituar aktualisht barnat e skaduara dhe a ka nisur asgjësimi i tyre?

Ministrja Manastirliu reagon: Për ne, shëndeti i qytetarëve është i pari

Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, i është kundërpërgjigjur deklaratës së deputetit demokrat, Spahia, i cili i bëri ministres 6 pyetje për ilaçet në QSUT, duke thënë se faktet dhe shifrat janë ilaçi më i mirë kundër shpifjeve të skaduara. Një nga punët e bëra në katër vitet që drejtova Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ishte që i dhamë fund praktikës së blerjes së barnave në prag skadence, e bashkë me të, edhe pazarit që bëhej në kurriz të jetës së qytetarëve. Për herë të parë nga 2014, vendosëm që në çdo kontratë blerje barnash në QSUT, të përfshihej një klauzolë e posaçme: “Në rast mospërdorimi për arsye objektive të medikamenteve, duke sjellë si pasojë afrimin e skadencës, shoqëria furnitore, duhet të marrë masa për tërheqjen e medikamenteve dhe zëvendësimin e tyre me të njëjtin artikull, me afat më të gjatë skadence”. Ky është fakt! Prandaj sot, barnat në spitale janë të sigurta dhe blihen vetëm sipas nevojave, duke shmangur një herë e mirë skadencën, dhe duke garantuar që çdo bar të shkojë për kurimin e qytetarëve.