Denoncimi i Palokës: SHISH nuk na jep certifikatën e sigurisë

608
Shërbimi Informativ refuzon të pajisë me certifikatë sigurie anëtarët e Komisionit Hetimor për rastin Tahiri. Edi Paloka, kryetar i hetimit parlamentar akuzon Shërbimin e Inteligjencës për pengim të punës. “Personi që ka kthyer përgjigje shprehet se nuk mund të jepet certifikata e nivelit tepër sekret në një kohë kaq të shkurtër. Në fakt ne nuk kemi kërkuar këtë certifikatë, kemi kërkuar certifikatën që është dhënë gjithnjë, certifikata e përkohshme për rastet kur është kërkuar, dhe është pikërisht për këto raste që jepet me urgjencë, me verifikimet e duhura sigurisht”, shprehet Paloka. Edi Paloka sheh tek përgjigjja e Helidon Bendos dorën e Kryeministrit. Lëvizjet e fundit në kupolën e Shërbimit Informativ, sipas numrit dy të Partisë Demokratike, janë tregues i qartë se Edi Rama ka kapur SHISH për të penguar hetimin e nisur për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit në vendin tone. “Jo rastësisht janë ata drejtues të Shërbimit Informativ, të cilët kanë hartuar gjithë raportet që lidheshin me trafikun e drogës në Shqipëri, dhe kryesisht me emrat e drejtuesve të policisë të implikuar në këtë trafik droge. Arrijmë në konkluzionin që Edi Rama ia arriti të marrë edhe Shërbimin Informativ në duart e tij”, thekson Paloka për “News24”. Pas lëvizjeve të fundit dhe refuzimit për të pasur akses në raportet sekrete të Shërbimit Inteligjent për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, Edi Paloka është skeptik për faktin se komisioni të cilin ai drejton do të vendosë para drejtësisë përgjegjësit. “Hetimet të fillojnë nga kreu i ekzekutivit tek Tahiri dhe drejtuesit e policisë shqiptare. Ajo që është edhe më skandaloze, është fakti që personat që kanë zëvendësuar këta drejtues të Shërbimit Informativ sipas të gjithë informacioneve që vijnë nga mediat, janë ish-punonjës të Sigurimit të Shtetit. Kjo pra është ta marrë në dorë krejtësisht shtetin një njeri i papërgjegjshëm si kryeministri Edi Rama”, përfundon Paloka. Komisioni hetimor për rastin “Tahiri” dhe fenomenin e kanabisit ka zhvilluar tre mbledhje. Herën e fundit ai u thirr nga socialistët pa dakordësinë e demokratëve të cilët kanë kryesimin e komisionit.
Sigal