Denoncimi i LSI, Luan Rama: Radarët e forcave detare në shërbim të trafikantëve

595
“Radarët detarë janë lënë enkas jashtë shërbimit në disa raste, për t’u ardhur në ndihmë trafikantëve të drogës. Kapot e drogës drejt Italisë duhej ta kishin rrugë të lirë”
Nënkryetari i LSI, Luan Rama është ndalur dje në fakte të reja në lidhje me menaxhimin e radarëve nga një firme private, ku bën me dije se në periudha të caktuara ata janë lënë enkas jashtë shërbimit për tu ardhur në ndihmë trafikantëve të drogës. Rama e ka cilësuar skandal të radhës këtë çështje, pasi kompania private kontrollon me kamera aktivitetin e personelit ushtarak.“Nuk është rastësi që pikërisht prej vitit 2015 e deri sot, që në fakt është edhe periudha kur e gjithë Shqipëria u mbush me drogë prej kultivimit të stimuluar e të kontrolluar nga trafikantët e Rilindjes, janë lënë jashtë shërbimit edhe radarët e Sistemit të Integruar të Hapësirës Detare! Trafikantët e tonelatave të drogës që vërshuan drejt Italisë, duhej ta kishin rrugën të lirë”, shkruan ndër të tjerra Luan Rama.
Reagimi i plotë i Luan Ramës
Kompania private kontrollon me kamera aktivitetin e personelit ushtarak! Nuk është rastësi që pikërisht prej vitit 2015 e deri sot, që në fakt është edhe periudha kur e gjithë Shqipëria u mbush me drogë prej kultivimit të stimuluar e të kontrolluar nga trafikantët e Rilindjes, janë lënë jashtë shërbimit edhe radarët e Sistemit të Integruar të Hapësirës Detare! Trafikantët e tonelatave të drogës që vërshuan drejt Italisë, duhej ta kishin rrugën të lirë! Duke parë e analizuar të gjitha faktet e dokumentet që disponoj, por edhe nga bisedat me shumë ushtarakë e specialistë të fushës, një gjë mund ta them me bindje: mosveprimi i strukturave përgjegjëse në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe në mënyrë të veçantë në Komandën e Forcave Detare, e ka vënë Sistemin e Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare të Republikës së Shqipërisë, në shërbim të trafikantëve të drogës! Ka me dhjetëra relacione e akte kontrolli ku provohet se shqetësimi për mosfunksionimin e radarëve është bërë prezent, mirëpo në vend që të ndërhyhej menjëherë për vënien e radarëve në punë, janë larguar nga postet e punës ushtarakët e specialistët që kanë ngritur shqetësimin për mosfunksionimin e Sistemit të Integruar të Vëzhgimit të Hapësirës Detare! Në këtë mënyrë jo vetëm që janë krijuar kushte të favorshme për trafikimin e drogës kryesisht drejt Italisë, por janë cenuar rëndë standardet e Sigurisë Kombëtare!Dhe si vend anëtarë i NATO-s, Shqipëria ka cenuar në këtë mënyrë edhe vetë standardet e sigurisë së Aleancës! Edhe një fakt tjetër; skandaloz dhe i paprecedentë! Nga data 20 deri më 22 janar 2016 është ushtruar kontroll për të evidentuar gjendjen e shërbimeve dhe riparimeve në SIVHD të kryera nga shoqëria e kontraktuar për këtë qëllim, nga i cili rezultoi se nga shoqëria ( Nuk po e shënoj emrin e shoqërisë. Shënimi im.) nga data 1 deri më 22 janar 2016 nuk ishin kryer kontrolle dhe as shërbime sipas kontratës në SITE-et e PRT-11 Ksamil, PRT-VQ Sarandë, PRT-13 Portopalermo, QO Pashaliman dhe PRT-19 Gur, Lushnje. Për defektet e mangësitë e konstatuara, do të kem rast të shkruaj një ditë tjetër. Por sot po veçoj një konstatim të komisionit, që në vlerësimin tim përbën një skandal më vete! Po citoj nga akt-kontrolli: “… specialistët e shoqërisë kanë instaluar në çdo SITE të SIVHD-së kamera vëzhgimi për ruajtjen e shelterave dhe pajisjeve të SIVHD-së, gjë e cila nuk është parashikuar në kontratën e shërbimit. Kërkojmë nga firma që serveri i këtyre kamerave të instalohet në QVD Plepa Durrës dhe të monitorohet nga QO Durrës. (Që do të thotë se firma kontrollon aktivitetin e personelit ushtarak nëpër PRT)”.

I gjithë shteti e shumë e shumë funksionarë mediokër të qeverisë u mallëngjyen e u përlotën nga shfaqja melodramatike në të ashtuquajturin “Parlament Rural” (një emërtesë fyese e poshtëruese!), por askush nuk reagon përballë skandaleve të tilla si mosfunksionimi i radarëve, lënë enkas jashtë funksionit operacional për të lehtësuar “punën” e trafikantëve të drogës, duke cenuar rëndë Sigurinë Kombëtare.
Sigal