Denoncimi i kryegjyqtarit të Gjirokastrës hap lojën në qarqe të tjera

38

 

8 femra
kallëzojnë dy ish-kryetarë gjykate e prokurorë për korrupsion e ngacmime
seksuale

Maksim TUFA

Denoncimi me
audio të regjistruar i kryegjyqtarit të Gjirokastrës, duket se u ka nxjerrë
frikën dhe turpin edhe femrave të tjera edhe në mjaft rrethe të vendit. Nisur
nga rrethanat dhe vlera e denoncimit, ka patur dhjetëra e dhjetëra raste kur
gra dhe vajza të pambrojtura, kanë ngurruar dhe kanë ndjerë peshën e turpit dhe
diskriminimit  publik për të denoncuar
“ofertuesit” e seksit në  sistemin e
drejtësisë. Burime tepër të sigurta nga Elbasani i thanë “Telegraf” se “janë të
paktën 8 kallëzime të bëra nga gra dhe vajza për dy ish-kryetarë gjykate në
këtë rreth, dhe tre prokurorë, që lidhen me korrupsionin, ngacmime  dhe përfitime seksuale, pasi kanë patur
probleme  dhe çështje që lidhen me
hetimin apo gjykimin e dosjeve penale dhe civile. Tre prej këtyre rasteve janë
kallëzuar ditët e fundit në Komisariatin e Policisë Elbasan, për një oficer të
Policisë  Gjyqësore pranë Prokurorisë
Rrethit, por duket se gjithçka është tentuar të mbyllet brenda rrethit të
“njohjes”, pasi nuk donin të hapej lajmi keq, që do të hapte telashe edhe në
familjet e tyre. Dy ish-kryetarë Gjykate në Elbasan, janë kallëzuar nga dy
vajza nga Elbasani, banuese në lagjen Kala, të cilat kanë patur prej 10 vitesh
një çështje pronash në gjykim, pronë e trashëguar nga gjyshi i tyre, dhe që
është zaptuar padrejtësisht nga një person me peshë në politikën dhe qeverinë e
Rilindjes”. Sipas të njëjtit burim mësohet se “në Elbasan, metoda e abuzimit
dhe kërkimit të favoreve seksuale mbetet diçka normale për njerëzit që punojnë
në organet e sistemit të drejtësisë, pasi vetëm 7 muaj më parë, një grua nga Belshi,
ka denoncuar një gjyqtar që i ka kërkuar asaj para ose favore seksuale, për të
fituar procesin gjyqësor ndaj një “të forti”, por çështja është mbyllur edhe
pse 43 vjeçarja kishte depozituar kallëzimin e saj edhe në polici edhe në
organet e hetimit, pasi asaj i ishte bërë presion nga njerëz të panjohur”.
Mësohet se në të gjitha rastet e denoncimeve nga gra dhe vajza, asnjëherë nuk
ka patur hetim të plotë, ndërkohë emrat e përfolur që kanë shfrytëzuar postin
dhe kanë abuzuar me ligjet e shtetit, sot kanë prona, miliona euro, dhe
vazhdojnë avazin e vjetër me  abuzimet
dhe ngacmimet seksuale. Një rast tjetër që mësohet ka të bëjë me një dosje
penale e cila ishte marrë për gjykim nga një emër i përfolur në sistemin gjyqësor
në Elbasan, i cili është denoncuar deri në KLD qysh në vitin 2013, dhe sot e
kësaj dite ndaj tij nuk është marrë asnjë masë administrative e ligjore. Ai
edhe sot  vazhdon të zhvasë  miliona nga hallexhinjtë, vazhdon të shtojë
pronat, milionat, edhe pse mbi 90 për qind e vendimeve të tij, kthehen nga
Apeli i Durrësit si “të  pambështetura në
ligj”. Ky  person që fatkeqësisht është
akoma gjyqtar, sot vazhdon të vegjetojë, vazhdon të jetë objekt i denoncimeve
nga qytetarët e Elbasanit, vazhdon të shkelë ligjet, vazhdon të firmosë dhe
vulosë vendime të blera dhe të shitura, duke mbajtur në këmbë një rrjet të gjerë
njerëzit të korruptuar, duke nisur nga avokatë, noterë, e prokurorë, me të
cilët kryen pisllëqet në kurriz  të
ligjeve kushtetuese. Tre muaj më parë dhe pikërisht në korrik të 2016, në
Gjykatën e Shkallës Parë Elbasan, ka ardhur një anëtare e KLD, e cila ka
kontrolluar mbi 113 dosje penale dhe civile që lidheshin me ankesat dhe denoncimet
e qytetarëve, duke gjetur shkelje flagrante ligjore. Zonja nga KLD, ka qëndruar
afro 10 ditë në Gjykatën e Elbasanit, ka shqyer sytë, dhe ka vënë duart në
kokë, kur ka prekur nga afër vendimet e kolegëve të saj, (kryesisht ato të
pronave) por në fund u mjaftua me “qortime dhe paralajmërime”, duke mos dërguar
deri lart sinjalin e alarmit. Heshtja 
dhe keqardhja për kolegët, duket se ka sjellë akumulimin e llumit të zi,
që ka mbytur shumicën e zyrave në sistemin e drejtësisë  edhe në Elbasan. Ndoshta pas Gjirokastrës,
KLD-së do ti duhet të ndalet në Elbasan, nga ku mund të merret me Ajsbergun e
shkeljeve dhe abuzimeve skandaloze në gjithë sistemin e organeve të drejtësisë
atje. Neglizhenca, do të sillte pasoja të pariparueshme dhe do të zhyste thellë
në moçal, gjithçka ligjore atje.