Denoncimi i Berishës: Mega-vjedhje me ARMO-n

530
Ish-kryeministri deklaron se sistemit tatimor i mungojnë 580 milionë euro. Ahmetaj paralajmëron aksion tjetër ndaj biznesit
Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi një skemë vjedhjes ndaj tatimeve me kompaninë ARMO. Duke iu referuar të dhënave të ofruar nga zyrtarë, të cilët mbeten anonim, Berisha shprehet se po ndodh një “megavjedhje shtetërore e paimagjinueshme, me pasoja katastrofale për ekonominë!”.

Mesazhi për Berishën
“Një vjedhje e paimagjinueshme shtetërore po bahet me skemën që funksionon me uzinën e Ballshit dhe ARMO-n. Edhe pse i janë vjedhë me këto skema 580 milionë euro gjithë sistemit (tatime, dogana, banka), evazioni vazhdon në të njëjtën mënyrë. Besniku i partisë ka sjellë një kompani nga parajsat fiskale, ‘investitor i huaj’, mund të quhet nga Rilindja, apo edhe Diplomaci Ekonomike, ka paraqit dhe një të huaj dy-tre herë në media sikur është investitor i madh dhe ka marrë me qira uzinën. Përveç mospagimit të ujit, dritave dhe sigurimeve etj, deri sot nga Janari i këtij viti, janë shmangur nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe karbonit afro 50 milionë euro. Kjo vjedhje është realizuar nëpërmes gjoja magazinës fiskale, jashtë gjithë kushteve ligjore dhënë nga ish-ministri Ahmetaj. Pa fol këtu që solar, verxhin dhe squfur jashtë çdo standardi i jepet tregut dhe mushkërive të qytetarëve dhe askush nuk guxon të flasë, pasi shuma të mëdha nga ky evazion janë hedhur në fushatë në Fier e Vlore për pushtetin. Tani që ka filluar të ziejë ky problem, qiramarrësi fiktiv, (pasi i vërteti fshihet), po bëhet gati të shpallë falimentin dhe të zhduket dhe thjesht ARMO-s i rritet borxhi nga 580 në 630 milionë euro, skemë kjo që ka 3 vjet që vazhdon”.

Tatimet, tjetër aksion ndaj biznesit
Ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ka deklaruar se më 1 tetor do të nisë një fazë e re e luftës kundër informalitetit. Arben Ahmetaj tha se që nga fillimi i muajit tjetër strukturat në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Doganave dhe Inspektoratit të Punës do të zbresin në terren. Ai shpjegoi se beteja kundër informalitetit do të shoqërohet paralelisht edhe me një tjetër reformë të rëndësishme, ndër prioritetet kryesore të qeverisë në mandatin e dytë, që lidhet me lehtësimin e shërbimeve për qytetarët dhe sipërmarrjen apo derregulimin e tregut, duke synuar uljen e burokracisë, kohës dhe kostove për publikun. “Aksioni fillon në 1 tetor. Institucionet, tatimet, doganat dhe Inspektorati i Punës, të organizuar në grupe të përbashkëta, do të kenë një kalendar të detajuar pune në terren dhe nga zyra, në funksion të objektivit tonë për të zgjeruar bazën tatimore”, tha Ahmetaj. Sipas tij, ndërkohë po komunikohet me sipërmarrjen për të kaluar në një fazë të re të përgjegjësisë tatimore, duke u bazuar tek vullnetarizmi dhe transparenca ndaj punës. “Kryeministri e ka quajtur mandatin e dytë, midis të tjerash, mandatin e anti-informalitetit. Çdo ditë që do të kalojë, toleranca zero ndaj evazionit do të jetë evidente dhe do të jetë në qendër të punës së tatimeve, doganave, apo të gjithë instrumenteve institucionalë, fiskalë që qeveria dhe shteti ka”, u shpreh Ahmetaj.
Sigal